Shah Mat! Vajza 11-vjeçare Klean Shuqja shpallet nënkampione e botës

707
Shqipëria ka arritur një rezultat historik në shah, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një 11-vjeçare.
Klean Shuqja, ka bërë mrekullinë në përfundim të kampionatit botëror të shkollave që po zhvillohet në Iasi të Rumanisë për grupmoshën e vajzave U-13. Në përfundim të shtatë raundeve të Botërorit, e reja Shuqja është kurorëzuar nënkampione e botës në garën “Blitz” mes 59 bashkëmoshatareve. Shahistja shqiptare u rendit e dyta, por me pikë të barabarta (6.5) me kampionen e botës, rumunen Ema Obda.
Shuqja ka qenë fenomenale në konkurrimin e saj, duke arritur 6 fitore dhe vetëm një barazim, atë ndaj shahistes rumune Ema Obada në raundin e pestë të kampionatit botëror. Kampione kombëtare e padiskutuar në moshën e saj, Shuqja ka shpërthyer me talentin e saj tashmë edhe në arenën ndërkombëtare. Një figurë të mirë po bën në këtë garë edhe 8-vjeçari Aleksi Kote, i cili një ditë më parë kaloi me sukses kundërshtarin rus, duke siguruar fitoren e tretë në pesë takimet e zhvilluara.
Midis 89 pjesëmarrësve në seksionin “Open-U9”, Kote renditet në vendin e 32-të dhe në sfidën e radhës do të përballet me bashkëmoshatar vendës. Ndonëse në inferioritet moshe prej 1 viti me kundërshtarët, i riu Kote po përballet me dinjitet duke shënuar rezultate pozitive. Në këtë seksion garon për herë të parë edhe Daniel Agolli, i cili deri tani ka siguruar fitoren e parë në nivel ndërkombëtar dhe duke shpresuar se përvoja që po merr së bashku me Ajkuna Agollin do t’u shërbejë në të ardhmen.
Federata Shqiptare e Shahut përfaqësohet në këtë botëror me shahisten Rozana Gjergji si arbitre. Ndërkohë, sekretarja e Përgjithshme e Federatës, Majlinda Pilinçi, tha se janë mbyllur regjistrimet për Europianin e shkollave që zhvillohet në Budva në muajin 10-20 qershor, ku do të përfaqësohen me Ajkuna Agollin, Daniel Agollin, Elisa Isufin, Adrian Gurin, Aleks Koten, Klean Shuqjen dhe Lambion Salihajn. 
Sigal