Një shpërthim i sëmundjes infektive të bruçelozës tek bagëtitë në zonat malore të Dibrës ka vënë në alarm fermerët vendas, të cilët akuzojnë autoritetet për mungesë reagimi, transparence dhe mbështetje. Edhe pse sëmundja është e njohur si zoonozë – që mund të transmetohet nga kafsha te njeriu, institucionet vendore dhe qendrore duket se kanë lënë komunitetin e blegtorëve të përballet i vetëm me pasojat.
Rastet e para të bruçelozës janë konfirmuar në njësitë administrative Kastriot dhe Muhurr të bashkisë Dibër, pak javë pas një tjetër shpërthimi infektiv të murtajës së bagëtive në Martanesh, Bulqizë. Në një zonë ku blegtoria është shtylla ekonomike e familjeve rurale, përhapja e sëmundjes ka shkaktuar frikë dhe pasiguri.
Fermerët theksojnë se mungesa e vaksinimit të rregullt është një ndër shkaqet kryesore të përhapjes së sëmundjes, duke i bërë ata të ndihen të pambrojtur dhe të braktisur nga autoritetet veterinare. Sipas dëshmive të mbledhura nga BIRN, shumë banorë janë informuar për rrezikun vetëm pasi janë marrë mostrat e gjakut nga bagëtitë e tyre.
Veterinerët lokalë, ndërkohë, konfirmojnë se përballen me mungesë fondesh për analizat laboratorike dhe me refuzimin e fermerëve për të raportuar rastet, nga frika se nuk do të kompensohen për kafshët e humbura.
Përballë kësaj situate, Bashkia Dibër nuk ka bërë ende një prononcim publik. Një kërkesë për informacion e dërguar nga BIRN nuk ka marrë përgjigje, në kundërshtim me detyrimin ligjor për transparencë. Burime nga brenda bashkisë pranojnë se situata është serioze, por justifikohen me mungesën e kompetencave: bujqësia dhe shërbimi veterinar janë kompetencë e qeverisë qendrore.



















