Selfo Kapllani: “Kam vizion të ri për të zgjidhur problemet e Beratit”

889
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” prefekti i sapoemëruar i Qarkut të Beratit, Selfo Kapllani: “Ndihem i vlerësuar”

Ka filluar dje zyrtarisht punën në prefekturë, prefekti ri i Qarkut të Beratit, Selfo  Kapllani. Prefekti i ri, me vizion të ri, Selfo Kapllani është vetëm 40 vjeç. Ai ka lindur në qytetin e Kuçovës dhe po aty banon së bashku me familjen e tij, e cila njihet ndër breza si një familje naftëtarësh. Kapllani ka mbaruar studimet e larta për inxhinier nafte. Vite më parë ka punuar si drejtues në ndërmarrjet e naftës në rrethin e Kuçovës, madje ka qenë drejtori i Uzinës Mekanike të Naftës, kur më pas është emëruar tek kompania shqiptare e naftës “Albpetrol”, ku pas prishjes së koalicionit LSI-PD, Kapllani u shkarkua nga detyra, sepse bindjet e tija i përkisnin Lëvizjes Socialiste për Integrim, por tashmë ai është emëruar prefekt i Qarkut të Beratit po nga forca politike që ai mbështet, nga LSI. Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Telegraf”, Selfo Kapllani shprehet se ndihet i vlerësuar për emërimin që i është bërë, madje shton se, këtë detyrë do ta kryejë me përgjegjësi dhe korrektësi.

Z. Sejfo ju sapo jeni emëruar nga Kryeministri Rama si prefekti i Qarkut të Beratit, si ndiheni pas marrjes së një detyre kaq shumë të rëndësishme?

Detyra e prefektit është shumë e vështirë dhe me përgjegjësi të mëdha. Unë, këtë besim që më ka dhënë Kryeministri Rama dhe kryetari i partisë sime që është njëkohësisht dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta do ta kryej me devotshmëri dhe korrektësi. Menjëherë sapo të njihem me situatën aktuale në prefekturë, pasi sot (dje) është dita e parë e punës në këtë detyrë do të nis nga planet. Do të punojë me të gjitha mundësitë e mija që të realizoj detyrën që më është caktuar.

Me detyrën e re keni marrë përsipër edhe problemet që ka Qarku i Beratit, por duke qenë se janë të mbledhura ndër vite a do të mundeni t’i zgjidhni ato?

Unë jam i vetëdijshëm që Qarku i Beratit ka probleme të mbartura ndër vite dhe si të tilla këto kërkojnë një zgjidhje të shpejtë. Do të fillojë nga hallet që kanë banorët e këtij qarku, i cili pret shumë nga ne si qeveri. Për zgjidhjen e problemeve unë do të koordinojë punën edhe me drejtuesit e pushtetit lokal dhe ata të qarkut, të cilët së bashku të kontribuojmë për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë në këtë prefekturë. Do të përpiqemi që të ndërtojmë një infrastrukturë me parametra bashkëkohore, të punësojmë njerëzit në punë në mënyrë që të ulet numri i papunësisë. Por për të realizuar këto faktorë ne do të koordinojmë punën edhe me institucionet e tjera që janë në vartësi të prefekturës. Prefektura në përbërje të saj do të ketë një staf të përgatitur në të gjitha sferat. Çdo drejtues duhet të kryejë detyrat e veta, madje në të gjitha institucionet përkatëse do të punohet me një disiplinë të fortë. Kjo do të ndikojë dhe në mbarëvajtjen e punës në këtë prefekturë. Populli na ka dhënë votën dhe ne duhet të vlerësojmë atë, qytetarët kërkojnë ndryshim dhe ne do ta realizojmë atë.

Zonat muzeale të Beratit janë drejt degradimit për shkak të mungesës së fondeve, si do të veproni ju për ruajtjen e këtyre vlerave muzeale?

Berati është një qytet me vlera muzeale qindra vjeçare dhe si i tillë ai kërkon investime për ruajtjen e këtyre vlerave muzeale. Unë do të punoj që në bashkëpunim dhe me Qeverinë “Rama” të marrim fonde për të ruajtur këtë vlera, të cilët janë një thesar jo vetëm për Shqipërinë, por dhe më gjerë, duke qenë se jemi edhe pjesë e UNESCO-s.

Duke qenë se jeni një inxhinier nafte, cili do të jetë kontributi juaj për zhvillimin e sektorin e naftës në Kuçovë?

Unë e njoh mirë profilin e naftës së jam i atij profesioni dhe kam kontribuar në këtë sektor prej shumë vitesh. Janë përgatitur projektet për zhvillimin e sektorit të naftës dhe zgjerimin e tij, ku do të punësohen dhe shumë punëtorë. Kuçova si një zonë naftëmbajtëse ka nevojë për investime, të cilat kanë munguar prej vitesh. Së shpejti dhe në sektorin e naftës do të ketë investime dhe ndryshime.