Sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro në pronësi të fierakut, të përftuara nga trafiku i drogave të forta

805
Sigal

Finalizohet megaperacioni i koduar “Furtuna”, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Megaoperacioni nga strukturat hetimore të Drejtorisë Për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Sekuestrohen pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro. Pasuritë të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Në kuadër të luftës së pandërprerë për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, finalizuan me sukses megaoperacionin policor “Furtuna”, në kuadër të të cilit u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit A. Sh., banues në Fier, të cilat kapin vlerën 12 milionë euro.

Ky shtetas më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.

Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.

Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Pas investigimeve për pastrim parash dhe gjurmimit të pasurive të shtetasit A. Sh. dhe personave të lidhur me të, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1371/2017.

Si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Agjencisë së Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, koordinuar nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20.10.2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të shtetasit A. Sh dhe personave të tjerë familjarë të tij

Këto pasuri përfshijnë:

• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
• 2 vila trekatëshe;
• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
• 3 apartamente banimi;
• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
• 20 000 euro në llogaritë bankare;
• Një automjet me vlerë 40 000 euro;

Strukturat përkatëse të Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Fier, në bashkëpunim me administratorët e AAPSK-së kryen veprimet procedurale për kalimin e pasurive në administrim të AAPSK-së.

Theksojmë se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh.

Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje.

Më datë 18.07.2016 shtetasi A. Sh. u shpall në kërkim pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur “Ishull Lezhë”, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj. duke konsumuar veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Kanosja”.

Policia e Shtetit vijon me vendosmëri e profesionalizëm punën për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të ndihmuar në evidentimin e pasurive të paligjshme të vendosura nga persona me aktivitet kriminal duke denoncuar në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112 çdo rast të tillë e çdo paligjshmëri në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm, profesional e të paanshëm.