Sekuestrohen 16 pajisje elektronike për gjenerimin e kriptovalutave më Shkodër, një i arrestuar, një tjetër shpallet në kërkim

120
Sigal

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Avalon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjenden dhe sekuestrohen në një magazinë, 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Shpallet në kërkim poseduesi i pajisjeve. Vihet në pranga bashkëpunëtori i tij.

Procedohet në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe OSHEE Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avalon”, në kuadër të të cilit është ushtruar kontroll në këtë magazinë dhe është shpallur në kërkim shtetasi:

-J. M., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Gjatë kontrollit në magazinë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 16 pajisje elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave dhe dyshohet se përdoreshin nga 21-vjeçari.

Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi:

-F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.