Sektori farmaceutik në vend, Diana Toma rrëfen problemet, punën profesionale dhe sfidat

1764
“Është një nga sektorët më të diskutuar në vend. Ka probleme, mund të ketë dhe mungesë profesionalizmi, por puna dhe korrektesa janë kërkuar me këmbëngulje”
Sot është dita Ndërkombëtare e Farmacistëve. Pikërisht në këtë ditë, gazeta “Telegraf” sjell për lexuesin intervistën e Presidentes së Urdhrit të farmacistëve Diana Toma. E vendosur në krye të këtij institucioni në vitin 2014, Toma rrëfen se është munduar që profesionalizimin e fituar që në auditore dhe përsosur më tej në punën e saj, mundohet t’ia transmetojë edhe kolegëve. Rrëfen për problemet që ka sektori farmaceutik, kontrollet e vazhdueshme, punën që bëjnë për të qenë sa më pranë qytetarit me shërbimet e tyre. Toma flet gjithashtu edhe për studentët e rinj të farmacisë. Ndërsa nuk harron të japë një mesazh për të gjithë farmacistët e vendit. Në tregon për sfidat dhe për mangësitë ligjore që shoqërojnë këtë ent. 

Prej sa kohësh Diana Toma drejton Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë?
Në tetor të vitit 2013 u zhvilluan zgjedhjet për kreun e UFSH-se, ku unë kandidova për këtë post drejtues dhe prej janarit të vitit 2014 fillova të ushtroj funksionin e presidentit të UFSH-së.

Çdo të thotë për ju të jeni në krye të këtij institucioni?
UFSH-ja është ent publik dhe në qëllim ka si të ruaj pacientin nga kequshtrimet profesionale,si dhe ruajtjen e cilësisë së lartë të shërbimit farmaceutik,duke garantuar një nivel të lartë të formimit dhe të edukimit shkencor e profesional të farmacistit. Në mënyrën e organizimit e të funksionimit nuk bazohet vetëm në ligjin e saj organik, por dhe në ligjin e enteve publike ku përcaktohet se vendimmarrja është kolegjiale. Ndaj nëse ju më pyesni se çfarë domethënie ka për mua të jesh në krye të këtij institucioni do të thoja se së pari një përgjegjësi karshi kolegëve, për realizimin e çdo vendimi të marrë kolegjialisht, se dyti përgjegjësi përballë çdo pacienti e kurajë për të parë këdo prej tyre në sy,sa i takon gatishmërisë për të mbrojtur shëndetin e tyre. Veç përgjegjësisë karshi të tjerëve, po kaq vlerë ka për mua ,që sa herë të analizoj veprimet e bëra, të jetë thuajse e pamundur alternativa se do të kisha vepruar ndryshe po të përsëritej e njëjta situatë.

A ka probleme ky sektor dhe nëse po si i klasifikoni?
Sektori farmaceutik është një sektor në të cilin vërehen probleme. Do të grupoja thjeshtë dhe vetëm origjinën e tyre e që do i ndaja në probleme nga përcaktimet e deritanishme ligjore apo të akteve nënligjore, si dhe ato që vijnë nga moskorrektësia në ndjekje ,nga ana e institucioneve dhe të rasteve kur ka shkelje, ndonëse përcaktimet ligjore për këto raste mund të jenë të sakta dhe në probleme , të cilat hasen nga ritmet e shpejta të zhvillimit të sektorit farmaceutik, por që këto të fundit jo gjithmonë gjejnë një terren të përshtatshëm te ne. Sa i takon rëndësisë, unë do i klasifikoja të gjitha në të rëndësishme, pasi veç efektit domino që ato kanë, kanë vetëm një pikë ku të tëra mblidhen dhe është shëndeti i pacientit.

Cilat janë kërkesat e farmacistëve të vend?
Kërkesat e farmacistëve përmblidhen kryesisht në: Vendosjen e kritereve të studiuara sa i takon standardeve që duhet të plotësojë sistemi farmaceutik. Të jenë pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje që lidhen me profesionin e tyre. Vlerësimin e shërbimit farmaceutik që ata ofrojnë ,sa i takon aspektit financiar, sikundër koleget e tyre ,qoftë në vendet e rajonit, qoftë me gjerë.

Tregtimi i barnave në gjithë vendit shpesh shoqërohet edhe me uljen e marzhit të fitimit. Çfarë qëndrimi mban Urdhri i farmacistëve ndaj këtij problemi?
Sa herë ka pasur ulje të marzhit të tregtimit të barnave,UFSH-ka reaguar. Ky reagim nuk ka qenë një kundërshti sa për të kundërshtuar, por UFSH-ja ka kërkuar gjithmonë që ndryshime të tilla të paraprihen nga studime, tek të cilat të gjendet i pasqyruar dhe pjesa e vlerësimit profesional. Deri tani s’ka pasur as studime e as përgjigje për pyetjen se sa është vlerësimi profesional. Për sa kohë do jemi në të tilla situata UFSH-se s’i mbetet veç të reagojë në mbrojtje të komunitetit që përfaqëson.

Keni një mesazh për të dhënë ndaj farmacistëve?
Sa i takon mesazhit profesional, Hipokrati, babai i mjekësisë e ka dhënë atë në mënyrë shteruese, ndaj unë thjesht do përsërisë gjithçka ai ka thënë. Sa i takon mesazhit që mund të jap si një farmaciste në drejtim të UFSH-së mund të shpreh”Të nderuar kolegë!-Dëshiroj e uroj që çdo moment i punës suaj të tregojë vërtet që farmacistët janë profesionistë dhe misionarë! “

Çfarë mendimi keni për studentët e degës së farmacisë?
Një profesionist i kompletuar, para së gjithash kërkon të kesh qenë një student i tillë, ndaj për cilindo student të farmacisë, i cili dëshiron që nesër të jetë dhe një farmacist i suksesshëm, themelet e suksesit i hedh që në vitet e fakultetit.

Shpesh kemi dëgjuar që farmacistët luajnë edhe rolin e mjekeve. Keni konstatuar ju raste të tilla dhe nëse po, si është proceduar?
Këtu ndalemi në dy momente. Në farmaci, ekziston një kategori barnash që janë ato, OTC. Është kompetencë e farmacistit që t’i rekomandojë ato pa përshkrim nga mjeku .Grupi tjetër i barnave ,që jepet veç me përshkrim të mjekut, në rastet kur është identifikuar nga grupi i kontrollit ose është denoncuar nga qytetarë, se është dhënë në kundërshtim me atë që ligji parashikon, i kalohet për shqyrtim komisioneve disiplinore që funksionojnë në rajonin ku vërehet kjo shkelje.

Në sa raste farmacistëve u është hequr licenca kur janë konstatuar me shkelje? Si realizohet kontrolli në farmacitë e vendit?
Në farmacitë e vendit, kontrolli realizohet nëpërmjet inspektimit. Bazë për të është zbatueshmëria e kodit etik dhe deontologjik. Dua të theksoj faktin se UFSH-ja kontrollon vetëm farmacistin dhe nuk mund të ushtrojë asnjë ndikim mbi persona të tjerë që mund të gjenden në farmaci. Unë në këtë pikë do të doja të përqendrohej vëmendja e institucioneve që kanë kompetencë të ndërhyjnë , pasi kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë parandalon dhe raste të cilat mund të kthehen fatale.
Cilat janë sfidat tuaja në këtë sektor?
Si farmaciste , përpiqem të realizoj figurën e profesionistes në farmaci,sa i takon pozicionit tim në krye të UFSH-së, mosdorëzimi para vështirësive që hasen në ushtrimin e funksionit tim si dhe përdorimi i energjive të mija në funksion të konsolidimit dhe zhvillimit të sistemit farmaceutik, nuk përbën një sfidë, por përbën të vetmin qëllim timin.
Sigal