Sekserët dhe kodoshët e ministrave mësyjnë në rrethe

478
E ndërsa kryeministri Rama po gjezdis nëpër rrethe për t’i mbushur mendjen bazës socialiste për të “Pastruar Shqipërinë nga korrupsioni”, duket se ministrat dhe ndonjë tjetër poshtë tyre, nuk janë në një mendje. Madje këta të fundit, në fundjavë nisin me “mision” sekserët dhe kodoshët e tyre të kollarisur (njerëzit e besuar) në rrethe për të marrë para. Para nga përqindjet dhe fitimet e fundivitit për bizneset e përbashkëta dhe ortakëritë. Bizneset dhe ortakëritë që ministrat e kësaj qeveria kanë ngritur me vartësit e tyre në rrethe dhe pothuajse në të gjitha fushat, duke nisur nga ortakëria e tenderave, ndërtimeve, në trojet e shitura dhe legalizuara, e duke përfunduar tek listat e gjata të kopsitura të punësimeve. Mbi 2700 persona, duke nisur nga shkollat e spitalet, qendrat shëndetësore, drejtoritë dhe institucionet e tjera shtetërore, pas janarit 2016 rrezikojnë të zëvendësohen me “gjakun e ri” të partisë. E njëjta formë dhe metodë, të njëjtat mënyra presioni jo për të larguar të paaftët, por për t’i detyruar ata të paguajnë, sepse “reformat kanë kostot e tyre”- do të deklaronte një sekser i një ministri, që sillet si hije në rrethet e vendit. Duket se edhe viti 2016 ka gjasa të nisë i mbrapshtë, sërish me refrenet e njohura “reformimi i administratës” apo “luftë ndaj të korruptuarve”, kur sekserët dhe kodoshët e kollarisur janë edhe mbeten më të fuqishëm se kurrë. 
Ortakëritë e mëdha bëhen me “të fala andej”
Ai drejtues apo biznes, që deri sot ka pranuar të vihet në rresht dhe të bashkëpunojë, tenton të distancohet e pëson shumë keq. Shkarkohet, flaket në rrugë, penalizohet, (burgoset) dhe akuzohet për “shkelje ligjore, abuzime financiare”, kurse për bizneset ka edhe më keq, ata detyrohen të mbyllin aktivitetin dhe dërgohen në ndjekje penale. Një politikë denigruese dhe poshtëruese, duke shfrytëzuar postin e lartë dhe duke u bërë milionerë pa mbushur mandatin 4 vjeçar qeverisës. Kodoshët e kollarisur në çdo fundjavë do t’i takosh dhe shikosh në lokalet e shtrenjta të rretheve, duke thirrur në telefon një e nga një, ortakët e “bashkëpunëtorët” e shefave. Kuptohet se pas takimit bëhet edhe dhënia e “plaçkës” për shefin duke e mbyllur takimin me fjalët “të fala shumë andej”. Hipokrizi, poshtërsi, babëzi, të mbuluara me skandale dhe abuzime që ndoshta nuk janë bërë kurrë në 25 vjet tranzicion. Duket sikur gjithçka është kthyer dhe trajtohet sikur të ishte pronë private. Trajtohet e tillë ministria, drejtoria, zyra e shtetit, ligjet e shtetit, fajësia dhe denoncimi, blihet drejtësia dhe padrejtësia, ndërkohë që gjithçka zhytet në llumin e zi. Askush nuk flet, sepse ruhen për vendin e punës, askush nuk guxon të kundërshtojë, pasi shahet, fyhet dhe flaket në rrugë si pleh, askush nuk akuzon sepse veç vetes tij, pasoja kanë edhe familjarët. Një shtet i kalbëzuar që ka brenda tij dhjetëra minishtete që po e gërryejnë, duke i marrë dhe zhdukur gjithçka të mirë dhe të bukur që ka. 
Rama, të pastroj Shqipërinë nga ministrat e korruptuar
E ndërsa kryeministri Rama po u flet socialistëve në rrethe mbi nismën më të fundit të tij, për ta “Pastruar Shqipërinë nga Korrupsioni”, jashtë sallave të mbushura me ajkën e militantëve të punësuar, kodoshët dhe sekserët e ministrave të tij bëjnë të tjera takime “sqaruese”. Ky realitet ndodh pothuajse në të gjitha rrethet, atje ku Rama po kërkon të “riformatojë” edhe PS-të lokale, pasi sipas tij “partia ka nevojë për njerëz të rinj dhe mendimin e ri të çdokujt nga ju”. Por Rama do të ishte mirë ta niste “pastrimin e Shqipërisë” nga maja dhe jo nga fundi, nga ministritë e akuzuara dhe denoncuara nga pothuajse çdo institucion kontrollues apo drejtësie, pa përmendur shumicën e hallexhinjve, e atyre që rrinë e dergjen zyrave të shtetit për një firmë, për një vulë, për një vërtetim dhe një dokument, sepse u duhet të japin para kudo që shkojnë. 
Sigal