Saranda, rigjenerim urban, katalizator për turizmin

600
Sigal

Në Bashkinë e Sarandës përgatitjet për sezonin turistik të ri janë përqendruar në organizimin e Konferencës së dytë për Sarandën. Konferenca që pritet të mbahet në 12 prill, është ideuar si një ditë plot veprimtari informuese në fushën e urbanizimit të qytetit dhe më pas në diskutimet e ekspertëve. Sipas zëdhënësit të bashkisë, Thoma Nika, programi i konferencës një ditore përfshin përballjen me realitetin e qytetit të zgjeruar, përmes një video- projektori, diskutimet, mbjelljen simbolike të fidanëve të gjelbër, si dhe më pas diskutimet e ekspertëve. Një vit më parë, në konferencën e parë Kryetari i bashkisë Stefan Çipa apeloi për mbrojtje të bregut të detit, ndërsa deklaroi mbushjen me materiale inerte të një shpërfaqjeje prej 53 mijë metër katror të detit, tashmë e shndërruar në sipërfaqe e mbushur me lokale e ndërtime të tjera. Shqetësimi i qytetarëve në mjediset e bashkisë nuk është më aq buza e detit, tashmë si vijë e zënë në qytet, por hapësirat e mbetura mes pallateve. Në degën e  shërbimeve dhe në Policinë Bashkiake të Sarandës mbërrijnë shumë ankesa nga qytetarët, të cilët adresohen t’i drejtohen gjykatës për konfliktet e tyre. Elsa Minga është një nga banoret e pallatit 66 në lagjen 2, e cila tregon se ndërhyrja pa leje në godinën ku ajo banon rrezikon shembjen e pallatit. Në katin përdhes të pallatit, dikur punishte e një mekaniku, sot po zgjerohet nga familjarët e tij, si  hapësira për një lokal shërbimi, ndërsa banorët i tremben themelit të vjetër të hapur me punë vullnetare dikur.

Elsa tregon se, nuk do të jetë në konflikt me fqinjët që po gërmojnë në katin përdhes, ajo dhe banorët kanë kërkuar mbrojtje në bashki për pezullim të punimeve, por si fillim i kanë dëgjuar, më pas i kanë përcjellë. Gjatë konfrontimit me fjalë me fqinjët që vazhdojnë gërmimin kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë te 129, por edhe aty i kanë drejtuar te Policia Bashkiake. Kështu në rrethin vicioz të bashkisë ata marrin përgjigje se, “e mirë ç’ju prish punë juve se po hapen themelet, ai do i rregulloj”. Askush s’u kërkon një projekt apo leje. Në Sarandë gërmohet edhe në bashki! Ja për të shmangur fluksin në korridorin e katit të parë, në zyrën e pajisjes me karta identiteti, bashkiakët kanë gjetur zgjidhjen e  artë, kanë ndërtuar një shkallë të re te muri i jashtëm, kanë hapur dritaren si derë dhe tashmë zyra ka dy dyer në largësinë 2 metër nga njëra- tjetra, ballë për ballë, njëra nga jashtë njëra nga korridori. Njerëzit duhet të presin jashtë, në bashki brenda ka kamera! Askush nuk i kujton grupin e arkitektëve dhe ndërtuesve të viteve 80 kur u ngrit godina e bashkisë. Nëse në katin e parë hapen shkallë pa leje e projekt në katin e dytë po restaurohet një tjetër sallë që ekspertët të flasin sesi të përballin urbanizimin e Sarandës. Ndërsa gjendja e plazhit publik lë shumë për të dëshiruar pavarësisht fondeve të hedhura aty një vit më parë. Aty erozioni i natyrës dhe reshjeve të dimrit gërshetohet me indiferencën e shërbimeve publike. Ndërsa një vit më parë pastrimi dhe rregulli i vijës së plazhit përfundoi në muajin korrik. Nëse del sot shëtitje nga krahu i Portit, sapo lë terminalin e  udhëtarëve, syri s të kap më ndonjë kalim publik drejt detit. Përgjatë rrugës lidhëse të kodrës ti ecën dhe në anën nga duhet të kishte një peizazh deti ka vetëm ndërtime të larta dhe porta hyrëse të kyçura nga pronarët e rinj. Plazhet publike tashmë janë ngushtuar në Sarandë plotësisht nga bizneset sezonale, ndërsa banorët e zonës nuk mund të shëtitin në buzë të detit. Detin Jon në Sarandë mund ta kundrosh vetëm në shëtitoren e qytetit. Nga investimet e një viti më parë kanë mbetur pak elementë pritës për sezonin e ri turistik, kjo për shkak të standardeve jocilësore të investimeve dhe projekteve të vogla që investohen 2 herë brenda vitit në të njëjtën rrugë apo trotuar. Organizimi i konferencës, pritet të pasohet nga ndërhyrjet e ekspertëve me projekte konkrete për zgjerimin e vijës së verdhë të qytetit dhe rregullimin e hapësirave publike për të shtuar gjelbërimin.