Salmonela/ Miliona vezë të kontaminuara në treg

752
Sigal

Pas alarmit të Belgjikës e Gjermanisë pak kohë më parë për praninë e salmonelës në vezët e importuara u lajmëruan të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për të hequr nga tregu vezët me salmonelë. Ndërkohë edhe Amerika po has në këtë problematikë ku rreziku nga prania e vezëve të kontaminuara është evident. Më shumë se 200 milionë vezë të shitura në nëntë shtete amerikane mendohet se janë të prekura nga sëmundja e salmonelës. Një fermë me seli në Seymour, Indiana, bëri një tërheqje vullnetare të 206.749.248 vezëve për shkak të kontaminimit të mundshëm. Deri më tani janë raportuar të paktën 22 sëmundje, sipas Food and Drug Administration. Testimi i FDA përcaktoi se këto vezë janë të lidhura me 22 sëmundje të shkaktuara nga Salmonella Braenderup. Kjo është tërheqja më e madhe e vezëve që nga viti 2010 kur shpërthimi i salmonelës pa qindra njerëz të sëmureshin, gjë që çoi në tërheqjen e gjysmë miliardë vezëve.

Salmonela është një bakter që mund të gjendet në ushqime të papërpunuara dhe shkakton simptoma të tilla si diarre, dhimbje barku dhe ethe, zakonisht rreth 12 deri në 72 orë pas infektimit, edhe pse sëmundja nganjëherë mund të zgjasë disa javë për t’u zhvilluar. Të moshuarit dhe fëmijët e vegjël janë më të rrezikuarit nga infeksioni. Rreth 400 njerëz vdesin çdo vit nga salmoneloza akute.