Rrugët si pistë patinazhi, eksperti: Menaxhim i dobët në mirëmbajtje

227
Sigal

Rrugët e vendit për 48 orë janë shndërruar në pista patinazhi. Ekspertët për këtë situatë të krijuar nga bora dhe ngricat, mendojnë se kontraktuesit për mirëmbajtjen e akseve rrugore duhet të merrnin masat e nevojshme që çdo segment i vendit edhe në këto temperatura të ishte i kalueshëm.

”Nga parashikimi i motit duhej që dita e shtunë dhe e diel do të ishte me dëborë, ishin përcaktuar dhe qytetet ku do të kishte dëborë, atëherë ARRSH duhet të kishte supervizuar menjëherë nën kontraktorët e saj apo koncesionarët për mirëmbajtjen e rrugëve, që të mos bllokoheshin. Por ne pamë që menaxhimi ishte i dobët”, thotë Artur Sulçe.

Përdorimi i gomave të dimrit është një tjetër problematikë që vihet re nga drejtuesit e automjeteve. Sipas Sulçes ky detyrim nuk është në kulturën e shoferëve shqiptar, kjo edhe për shkak të kushteve ekonomike. Nisur nga kjo situatë policia rrugore ka kaluar në gatishmëri të përforcuar por pavarësisht kësaj nuk kanë munguar ngjarjet rrugore ku në 48 orët e fundit janë regjistruar 15 aksidente të rënda në gjithë vendin si dhe qindra të tjera por me dëme të vogla materiale.