Rrugët plot, pensionistët nuk pyesin për lejen: Sistemi nuk punon, nuk do vdesim për bukë

75

Nga kjo e hënë ka hyrë në fuqi një sistem i ri për të dalë nga shtëpia. Ata që shkojnë në punë mund të përdorin një autorizim nga puna dhe një nga policia ndërsa ata që duan të dalin për pazar dhe shërbime të tjera duhet të marrin një leje në polici me anë të SMS-së ose me aplikim në e-albania.

Por duket se kjo nuk ka funksionuar pasi nga një vëzhgim i bërë nga lapsi.al gjatë paradites në Tiranë është vënë re një fluks i shtuar në rrugë.

Nuk e kanë zbatuar këtë rregull të ri as pensionistët të cilët e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpia. Në disa televizione informative pensionistët thonë se duhet të dalin për të blerë për të ngrënë pasi nuk besojnë se askush do t’u trokasë në derë për t’u kujdesur për ta.

Një pjesë tjetër e qytetarëve që u lejohet të dalin nuk e kishin autorizimin pasi ose nuk punonte sistemi, ose përgjigjja vononte. Qytetarët janë shperhur të paqartë për mënyrën e re të daljes nga shtëpia. Ata thonë se nëse shteti do t’i ndihmojë duhet të shkojë vetë në dyert e tyre për t’i pyetur për çfarë ata kanë nevojë.

“Po na sorollatin, nuk dimë ku të drejtohemi. Po shkel rregullin nga e keqja,kam nevojë që të ha” – tha një qytetar i Korçës.

“Dal nga nevoja, ku di unë të përdor telefonin nuk kam as lekë në telefon. Bashkia s’na ka ndihmuar me asgjë. Unë fëmijët i kam jashtë shtetit, jam me burrin të dy të sëmurë, por do paguaj ujin, dritat, do ha bukë” – thotë një tjetër.

“Djali ka gjithë ditën dje që aplikonte për leje dhe nuk e ka marrë. Unë duhet të blej ushqime por nuk më jepet leja. Jemi 4 veta. Ka aplikuar dhe nuk e kap dot. Kërkoj zgjidhje” –thotë një tjetër.

“Kam bërë tre herë aplikimin dhe nuk më hapet kjo faqja e policisë, nuk ma pranon mesazhin që të ma caktojë orarin që kur të dalë. Kam bërë tre mesazhe, tani nëse kjo është sa për të kaluar radhën ta sqarojë policia”, shprehet një qytetar.