Rrëzomë, aty ku mbijetesa mësimore bën duel me braktisjen dhe kushtet shkollore

1057
Agron MEMA 
Këto ditë karakteristike dimërore ndodhemi në fshatrat e Rrëzomës, krahina më malore dhe e skajit veriperëndimor të bashkisë së Delvinës. Gjashtë fshatra të braktisura nga erozioni i tranzicionit, i lëvizjes së popullsisë. Banorët e mbetur kryesisht meren me blegtori duke mbarështuar të imtat dhe me bujqësi, vreshtari. Frutikulturë, ullinj dhe agrumekulturë. Natyrisht që kjo tronditje “sizmike” e braktisjes së fshatrave nga banorët, ka ndikuar ndjeshëm edhe në arsimin e detyruar 9-vjeçar, por gjithsesi kanë mundur t’i mbijetojnë mbylljes së shkollave, përveç fshatit Fushë-Vëri ku ka mbetur vetëm arsimi fillor dhe fshatit Senicë ku nuk ekziston shkolla, por edhe banorët e mbetur numërohen me gishtat e dorës. Na tërhoqi vëmendjen ky fakt dhe u përqëndruam tek arsimi. Të gjashtë fshatrat, shkollat i kanë të ndërvarura nga shkolla “Seit Lesko” e Vergoit. Më parë kjo shkollë ishte edhe e nivelit të arsimit të mesëm, ku drejton poetja dhe shkrimtarja Natasha Xhelili. Drejtoreshën Xhelili e gjetëm në shkollën 9-vjeçare të fshatit Kopaçezë. Fillimisht na njeh me stafin mësimdhënës. Janë 18 mësues dhe tre edukatore që mësojnë 86 nxënës në të gjitha shkollat e fshatrave të ish komunës së Vergoit. Duke qenë se çdo fshat ka shkollën e tij, nuk ka probleme të trasportit të nxënësve. Përqendrohemi tek shkolla e Kopaçezës. Aty punojnë mësues të rinj, djem dhe vajza që vinë nga qyteti, një sakrificë nëse jemi koshient me kohën që jetojmë. Shikojmë brenda saj një mjedis pune të pastër e të zbukuruar me lloj –lloj lulesh shumëngjyrëshe. Megjithëse shkolla është ndërtuar në vitin 1986, mjediset e brendshme të ftojnë për t’i admiruar. “Gjithçka, -na thotë zonja Xhelili,- arrihet dhe realizohet me punën e vet mësuesve dhe nxënësve tanë. Mësuesat pas mësimit meren me meremetime dhe përgatitje stendash, siç i shikoni vetë, kjo nuk ndodh edhe pse këto punë duhen kryer nga bashkia. Shkolla e Kalasës dhe ajo e Vergoit ka nevojë për rrethim, por këtu del edhe pengesa tjetër nga banorët, sepse janë marrë si truall privat dhe hapësira ekzistuese të oborrit të shkollës, i cili është tkurrur aq shumë sa është e pamundur qëtë zhvillosh një orë mësimi në terren, sidomos fizkulturën. “Kjo, mësimi i fizkulturës, bëhet me kushtet që kemi dhe që mundohemi t’i krijojmë vetë. Është një mbijetesë sfilitëse, por falë angazhimit të mësuesve kemi mundur të bëjmë këto që shikoni. Në shkolla mungojnë kabinetet, çka vështirëson së tepërmi konkretizimin apo mësimet praktike të procesit mësimor. Për sistemin ngrohës as që bëhet fjalë. Janë vetëm disa priza dhe rezistenca, edhe këto të siguruara në mënyrë private, që na mundësojnë përballimin e të ftohtit. Madje, këtë vit që u shtua edhe një klasë e re, dy klasat përdorin një rezistencë, një orë njëra e një orë tjetra. Dikur, u tha në ish komunën e Vergoit, se u kishin blerë soba, po se ku janë e se ku përfunduan, një zot e di. Për internet as që bëhet fjalë dhe kjo krijon një tjetër vështirësi, se nuk plotësohet mësimi në kuadër të “Shkollat e shekullit të 21-të” dhe “Shkolla digjitale”. Dy-tre kompjuterë i kemi siguruar vetë, por nuk ka internet.” 

Këto janë mungesat serioze të shkollave në këtë krahinë skajore që duket sikur është harruar dhe braktisur. Por si mbijeton arsimi në këtë zonë? Me një sakrificë të madhe të mësuesve, që në shkollën e Kopaçezës vijnë nga qyteti i Delvinës dhe Sarandës. Përveç procesit mësimor, shpesh u duhet të kryejnë edhe punën e ustait për të siguruar mbarvajtjen e mësimit dhe kushteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor. Në këtë shkollë stafi mësimor është i plotë dhe profesional për çdo lëndë. Shkolla ka një bashkëpunim të ngushtë me faktorin prindëror, të cilët në këto kushte, interesohen të japin kontributin e tyre në investime dhe lyerjen e shkollës. Por këto mjete modeste, më shumë në bazë materiale, pasi zona është shumë e varfër dhe nuk kanë mundësi monetare në investim, bëjnë diçka vullnetare herë pas here. Mësojmë se nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë probleme me sjelljen apo vese; si duhanpirja, përdorim i lëndëve narkotike dhe alkoolike, madje edhe kur shkojnë në shkollë të mesme apo të lartë, ruajnë të njëjtën qëndrueshmëri sjelljeje dhe note. Drejtoresha Natasha Xhelili, e mbështetur nga ky staf i mrekullueshëm dhe sakrifikues mësuesish, ka ngritur grupin artistik të shkollës dhe grupin e këngës labe që funksionon prej vitesh. Një nismë kjo tepër lavdëruese për mbajtjen gjallë të traditës. Ky grup artistik ka qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete të rëndësishme në shkallë lokale dhe vendi. Kanë qenë pjesëmarrës në çeljen e sezoneve turistike të Sarandës, festivalin e Çamërisë, aktivitete që janë nderuar me çmime të ndryshme. Në festivalin folklorik të këngës labe në Delvinë u nderua me vendin e parë, si dhe grupi i instrumentistëve të vegjël të kësaj shkolle mori pjesë në festivalin kombëtar që u zhvillua në Fushë-Arrëz dhe nuk mbeti pa vlerësim. Duket sikur këta fëmijë mbajnë gjallë jetën në këtë zonë që braktiset përditë. Drejtoresha Xhelili, si poete dhe shkrimtare, me rastin e fushatës kombëtare të leximit, zhvilloi një aktivitet të gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha shkollave të zonës, përfaqësuesve të Zyrës Arsimore të Delvinës, poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm dhe kjo përkoi me datën e 22 nëntorit që është edhe Dita e alfabetit, aktivitete që sipas projektit të drejtoreshës Xhelili, do të vijojnë deri në 10 dhjetor. Një nga nismat më të mira e përgëzuese është edhe fushata sensibilizuese e grumbullimit të librave artistikë për ringritjen e biblotekës së shkollës, sidomos e titujve që ministria ka përzgjedhur si detyrim për programin mësimor. Dhe nuk janë mbledhur pak, falë kontributit të fondacioneve dhe shtëpisë botuese “Milosao” të Sarandës e drejtuar nga Mjeshtër i Madh Agim Mato. Kjo fushatë sensibilizuese vijon dhe do të arrihet synimi, falë këmbënguljes së kësaj drejtoreshe kurajoze dhe stafit të shkëlqyer të mësuesve të shkollës. Në këtë mënyrë veprimtaria praktike e vazhdueshme, si kusht i domosdoshëm për të qenë gjithmonë nxitje e të menduarit dhe lindjen e dijes njerëzore, si pasqyrim i këtyre veprimtarive, i qenies materiale e shoqërore. Kjo përvojë, kjo dije elementare vjen gjithmonë duke u thelluar në veprimtaritë praktike shoqërore të kësaj shkolle në këtë skaj malor. Vet kjo praktikë shkollore tregon për punën e mirë të mësuesve të kësaj shkolle, për rritjen e nivelit teorik të përmbajtjes së mësimit, lidhjen e tij me jetën dhe brenda këtij procesi, perfeksionimin e metodave të mësimdhënies. Me formimin botëkuptimor, nëpërmjet mësimit, të krijojnë nxënësit, jo vetëm krijimin e bindjeve të shëndosha për shoqërinë, por edhe atë që ky formim i përgjithshëm i tyre t’u shërbejë për veprimtarinë e përditshme praktike. 

-Mundohemi, -nënvizon drejtoresha, – që fëmijëve të mos u mungojë asgjë, natyrisht brenda atyre që kemi mundësi. Edhe kopështi funksionon shumë mirë. Për përgatitjen profesionale të mësuesve, themi se funksionojnë rrjetet profesionale në bazë rrethi dhe një ditë në muaj mësuesit tanë e ndjekin rregullisht, pasi ka trajnime dhe trajtime temash të ndryshme, në fuksion të kualifikimit të brendshëm. Këto funksionojnë në nivel ZA-je, e cila na ka përkrahur në këto drejtime. Projektet që realizojmë i prezantojmë në bazë shkolle, ku pjesëmarrës bëhen edhe prindërit duke i kthyer në faktorë bashkëpunimi. Kaq mundemi dhe kaq bëjmë, pasi na mungojnë edhe mjetet më elementare të kancelarisë dhe këto i sigurojmë me kontributet tona, ashtu siç bëjmë edhe me meremetimet e shkollës. Mirë do të ishte të kishim pak ndihmë edhe nga shteti,-përfundon drejtoresha Xhelili duke na parë me një vështrim të trishtuar e shpresëhumbur se do të realizohet ndonjëherë ëndrra e saj dhe e mësuesve që shkolla e Kopaçezës dhe gjithë Rëzomës të ketë kushtet e zhvillimit të një arsimi bashkëkohor dhe nxënësit e saj të jenë të barabartë me ata të shkollave të qendrave urbane. Dhe vërtet largohemi me lëmsh në grykë. Me një shije të hidhur. Me një pikë loti tek sytë. Pse të ndodhë kjo? Mësuesat kanë dalë të na përshëndesin tek hyrja e shkollës me buzëqeshjen e çiltër dhe dorën lart. Janë djem e vajza që i japin vlera shkollës, duke konsumuar kohën e tyre në emër të së ardhmes: Aleksandër Islami, Proletar Proda, Elsa Isufaj, Ejona Haxhi, Gentjana Shameti, Florina Roboçi. Një staf sipatik dhe shumë puntor, që kaq kompakt e profesionalë, kaq të përkushtuar nuk janë të tilla as në qendrat urbane. “Mirupafshim!”, na thonë sytë, buzëqeshja dhe përshëndetja e tyre. “Mirupafshim!”, themi dhe ne, por ndoshta edhe u takofshim me kushte më të mira e me ëndrrat e tyre të realizuara. Dhe në fund, fjala e fundit e këtij reportazhi është: “U lumtë mësues të Kopaçezës për sakrificat dhe kushtet në të cilat punoni! U qofshim përherë mirënjohës për të punën tuaj fisnike! 
Sigal