Rrëzimi i kandidaturave/ Ardian Dvoranit i hapet rruga për në Gjykatën Kushtetuese

330
Sigal

Rrëzimi i të gjithë kandidaturave për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese fundjavën e kaluar, pritet t’i hapë rrugën Ardian Dvoranit, i cili nuk e ka fshehur ambicjen e tij jo thjesht për të qenë anëtar, por edhe kryetar i institucionit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili po shqyrtonte kandidatët për dy vakanca në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, vendosi që asnjë nga 9 aplikantët nuk mund të vijonte garën.

Tre prej kandidatëve dhanë dorëheqjen para përfundimit të procedurës, ndërsa të tjerët nuk plotësonin kriteret ligjore.

Në këtë mënyrë, në rast se nuk do të ketë ankimime, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), pritet t’i drejtohet shumë shpejt organeve të emërtesës për këto dy vakanca, pra Presidencës dhe Kuvendit, që të shpallin thirrjen për kandidatë të rinj.

Dhe, pikërisht, në këtë moment, pritet të përfshihet sërish në lojë juristi i shumë-kontestuar, Ardian Dvorani.

Dvorani në garë?
Ardian Dvorani ishte anëtar me funksionet e kryetarit të Gjykatës së Lartë deri pak javë më parë.

Megjithëse kishin kaluar 5 vjet nga përfundimi i mandatit të tij si anëtar në Gjykatën e Lartë, Dvorani qëndroi në detyrë, falë disa “manovrave” ligjore, të hartuar nga mbështetësit e tij në Partinë Socialiste.

Gjithësesi, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që të deklaronte përfundimin e mandatit të Dvoranit në Qershor 2020, duke i dhënë të drejtë kërkesës së Presidentit Ilir Meta për largimin e gjyqtarit nga detyra për shkak të tejkalimit të afateve të qëndrimit në detyrë.

Dvorani e priti me kundërshtime vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe deklaroi publikisht se do të ankohej në Gjykatën Administrative.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi mund të stopojnë dëshirën e tij për përplasje gjyqësore me KLGJ-në dhe të shohi përpara, për të siguruar një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë vitit 2017, kur Gjykata Kushtetuese nisi zbrazjen, kryesisht si pasojë e Vetingut, Partia Demokratike në opozitë paralajmëroi se kryeministri Edi Rama po përgatiste “gjyqtarin e partisë”, Ardian Dvoranin, për kryetar të atij institucioni.

Dyshimet e opozitës nuk ishin të pabaza. Dvorani kandidoi për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2018.

Megjithatë, për shkak të dorëheqjeve dhe “zbrazjes” nga Vetingu të Gjykatës së Lartë, Dvorani mbeti i vetmi anëtar në detyrë, i cili, për shkak të ligjit, u zgjodh edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, struktura që shqyrton kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese.

Për shkak të kësaj situate “konflikti interesi”, Dvorani dha dorëheqjen nga kandidimi për në Gjykatën Kushtetuese, në janar të vitit 2019.

Tashmë, që ai është pa asnjë post në sistemin e drejtësisë, duket se e ka të lirë rrugën për të kandiduar sërish për në Gjykatën Kushtetuese.

Dhe, duket se do e ketë të thjeshtë për të gjetur mbështetjen e Partisë Socialiste në Kuvend, institucion që duhet të plotësojë një prej vakancave në Gjykatën Kushtetuese.