Rrezikun e çokollatave e largoi brenda 4 orëve… “magjia dhe lutjet” e drejtorit të AKU!

557
Vetëm drejtuesit e rinj dhe “ushtria” e vjetër e AKU të Shqipërisë, mund t’u jap shqiptarëve shpjegime “bindëse” e argumente “shkencorë”, se si ka arritur që brenda 4 orëve… të nxjerr një urdhër bllokimi për “rrezikshmëri produkti”, një analizë certifikimi “sigurie” dhe një urdhër anulimi për bllokimin, zhbllokimin dhe garantimin e konsumatorit për çokollatat që kanë përmbajtje plastike, për të cilat u dha alarmi dhe ultimatumi nga prodhuesi, nga vendi i origjinës së mallit, nga tregu i BE dhe ai SHBA, me thirrjen ndërkombëtare për bllokim të gjithë prodhimit të disa lloje çokollatave që janë gjendje në treg dhe të sasive të hedhura në treg me datë fillimi konsumi nga 19 qershori 2016, deri në datën e skadencës në janar 2017! Kjo “çudi” me 3 “zbulime shkencore” brenda 1 ore është arritur nga AKU e Shqipërisë, siç duket me “magjinë dhe lutjet” e drejtuesve të AKU. 
Skandali që duhet të hetuar urgjent “për fshehje dhe lejim të krimit ushqimor” në treg
Jo çudia, por skandali që duhet hetuar urgjent prej anti-krimit ekonomik dhe drejtësisë e institucioneve shtetërore, ka ndodhur brenda datës 25 shkurt 2016, kur institucioni që ka detyrë të na sigurojë për sigurinë e ushqimeve që blejmë në tregje, bëri të ditur për tregun dhe për konsumatorin, Urdhrin e datës 25 shkurt 2016 të drejtorit të AKU të Shqipërisë, zotit Isuf Shehu, për bllokimin dhe nxjerrjen nga tregu shqiptar brenda 24 orëve (dmth brenda datës 26 shkurt 2016), të sasive të çokollatave të markave “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures”! Çfarë ndodhi? Skandali që preku gjigantin amerikan të prodhimit të çokollatave “Mars Inc” pas gjetjes së materialit plastik në një nga produktet në fjalë, shërbeu si “alarm” edhe për AKU e Shqipërisë, duke e njoftuar dhe duke i kërkuar si prodhues e posedues marke produkti, bllokimin e këtyre çokollatave. AKU e Shqipërisë urdhëroi bllokimin e këtyre produkteve. Por ky urdhër bllokimi, zgjati vetëm… 4 orë! Sepse brenda datës 25 shkurt 2016, drejtori i AKU që kishte urdhëruar nxjerrjen nga tregu të çokollatave “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures”, që prodhohen nga kompania prestigjioze amerikane, pas 4 orësh nxorri urdhrin e dytë, që ato të mos hiqen nga tregu, por të shiten për konsumatorin, mbasi sipas “magjisë dhe lutjes” së drejtorit të AKU “baba” Isuf Shehu, u zbulua se çokollatat “Mars”, “Snickers”, “Milky Ëay Minis” dhe “Miniatures” janë plotësisht të sigurta vetëm në tregun shqiptar, ndërsa të rrezikshme janë vetëm ato që shiten në tregun amerikan, holandez, italian, polak, gjerman, kanadez, australian, austriak, suedez, danez, francez e kudo! Ndoshta, “zbulimi si me magji” që bëri brenda 4 orëve “baba” Isufi i AKU të Shqipërisë, mund të jetë i vërtetë, mbasi Shqipëria njihet për ushqime “shumë të sigurta” dhe këtë e vërteton fakti, që sa herë zbulohen produkte ushqimore të rrezikshme në vendet e BE, të Amerikës e Botës, të njëjtat produkte që importohen prej andej në Shqipëri, AKU i nxjerr “100% sigurta”. Kështu ndodhi këto ditë edhe me çokollatat. AKU e cila në orën 08.00 të datës 25 shkurt, tha: “Mos i hani se janë të rrezikshme”, në orën 12.00 po të datës 25 shkurt, doli publikisht e tha: “Hani se nuk janë të rrezikshme”! Ndërsa në datën 3 mars 2016, në një deklaratë për mediet dërguar edhe në gazetën “Telegraf”, AKU deklaroi se u bë kontrolli i çokollatave me 861 monitorime në tregjet e 9 qarqeve të vendit dhe rezultoi se prej “syrit vigjilentë” të inspektorëve nuk u “zbulua” asnjë copë çokollatë me rrezikshmëri për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve, nga ato marka prodhimi që janë zbuluar në Amerikë, Holandë, Itali, Francë, Gjermani etj.
——————————————————————————–
Ja lajmi i orës 08.00, datë 25 shkurt 2016, dhënë prej AKU për bllokimin e çokollatave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar bllokimin e çokollatave “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures” me datë skandence 19.06.2016, deri më 08.01.2017, pasi vetë kompania e prodhimit të tyre të Holandë ka njoftuar tërheqjen nga tregu për shkak të përmbajtjeve plastike. Megjithatë, AKU ka sqaruar se megjithëse u nxor një urdhër për bllokimin e të gjitha çokollatave të këtyre markave, situata ndryshoi pas verifikimeve konkrete në terren dhe pranë kompanisë, distributor zyrtar i këtyre produkteve, duke bërë që të dalë një urdhër tjetër pune, i cili rrëzonte të parin. Kjo pasi, nga verifikimet e bëra prej Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Tiranë, pranë kompanisë distributore “Interbrands”, rezultoi se, të tri produktet në fjalë, nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures” që importohen në Shqipëri nga kjo kompani, prodhohen në Poloni. Kjo është vërtetuar nga një shkresë zyrtare ardhur kompanisë shqiptare prej prodhuesit amë të këtyre produkteve, ku thuhet se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende, janë të prodhuara në Poloni dhe jo Holandë. Por pavarësisht kësaj, konsumatorët shqiptarë duhet të jenë tejet të kujdesshëm në konsumimin e tyre, pasi vetë AKU bën me dije se në tregun shqiptar janë gjetur sasi të këtyre çokollatave, të prodhuara në Holandë.
————————————————-
Ja pjesë nga njoftimi zyrtar i AKU i orës 12. 00, datë 25 shkurt 2016 për zhbllokimin e çokollatave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, ka vlerësuar maksimalisht lajmet e medieve ndërkombëtare e më pas edhe atyre shqiptare, duke marrë masa të menjëhershme në lidhje me tri markat e çokollatave, “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures” të prodhuara në Holandë. Megjithëse u nxor një urdhër për bllokimin e të gjitha çokollatave të këtyre markave që kishin datën e skandencës 19. 06. 2016, deri më 08. 01. 2017, situata ndryshoi pas verifikimeve konkrete në terren dhe pranë kompanisë, distributor zyrtar i këtyre produkteve, duke bërë që të dalë një urdhër tjetër pune, i cili rrëzonte të parin. Dhe, brenda 4 orëve, nga ora 08.00 deri në orën 12.00 u bë verifikimi në terren, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU në qarqe, si dhe pranë kompanië importuese të këtyre produkteve në Shqipëri. Nga verifikimet e bëra prej Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU -së në Tiranë, pranë kompanisë distributore “Interbrands”, rezultoi se të 3 produktet në fjalë, nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” dhe “Miniatures” që importohen në Shqipëri nga kjo kompani, prodhohen në Poloni, si dhe u verifikuan lotet si dhe elementët tjerë. Kjo është vërtetuar nga një shkresë zyrtare ardhur kompanisë shqiptare prej prodhuesit amë të këtyre produkteve, ku thuhet se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende, janë të prodhuara në Poloni dhe jo Holandë.
———————————-
Ja pjesë nga njoftimi i AKU, i datës 3 mars 2016 për kontrollet e çokollatave në treg
Bazuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, Z.Isuf SHEHU, të datës 25.02.2016 “Për kryerjen e monitorimit në të gjitha njësitë e tregtimit (markete, supermarketet, pika tregtimi etj) nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU-së”, në datat 25 dhe 26.02.2016 u kryen monitorime me objekt verifikimin, bllokimin dhe ndërprerjen e menjëhershme të tregtimit të produktit ushqimor Çokollatë “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” me origjinë nga Holanda dhe datë skadence nga data 19.06.2016 deri më 08.01.2017, si dhe dërgimit të tyre në distributorin shpërndarës brenda një afati 2 (dy) ditor. Nga informacionet e dërguara nga DRAKU-të rezulton se janë kryer 861 monitorime, të ndara në qarqe, si më poshtë:
• Në Qarkun Lezhë, janë kryer 102 monitorime
• Në Qarkun Shkodër, janë kryer 60 monitorime
• Në Qarkun Berat, janë kryer 23 monitorime
• Në Qarkun Korçë, janë kryer 35 monitorime
• Në Qarkun Elbasan, janë kryer 300 monitorime
• Në Qarkun Kukës, janë kryer 27 monitorime
• Në Qarkun Vlorë, janë kryer 80 monitorime
• Në Qarkun Dibër, janë kryer 34 monitorime
• Në Qarkun Fier, janë kryer 7 monitorime
Në këto qarqe nuk është gjetur asnjë prej produkteve “Mars”, “Snickers”, “Milky Way Minis” me origjinë nga Holanda. Këto produkte, bazuar në etiketë dhe në dokumentacionin shoqërues, kanë rezultuar me origjinë nga Polonia.
———————— 
Sigal