Rreziku nga koronavirusi/Shqiptarët anulojnë fluturimet drejt Italisë, pezull dhe udhëtimet për 8 marsin

430
Sigal

Përhapja e koronavirusit në Europë, ku Italia po rezulton më e prekura, ka ndikuar dhe planet e shumë shqiptarëve që kanë pasur plane të vizitojnë vendin fqinjë si për pushime, ashtu dhe për qëllime biznesi.

Agjente udhëtimesh pohojnë se ka pasur anulime për udhëtime biznesi, apo dhe shtyrje biletash nga individë për një afat të papërcaktuar. Ditët e fundit është anuluar një konferencë në Milano, ndërsa ka pasur dhe anulime nga individë dhe grupe. Rreth 40% e udhëtimeve të planifikuara drejt Italisë janë anuluar.

Alban Zusi, President i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, pohoi më herët se janë kufizuar lëvizjet e menaxherëve drejt Italisë dhe kjo do të reflektohet në punën e biznesit, pasi disa marrëdhënie janë të domosdoshme për kontakte nga afër. Eksportues të tjerë pohojnë se ka pasur anulime panairesh dhe udhëtimesh të planifikuara në Itali.
Përhapja me shpejtësi e virusit në Europë e ka zgjeruar frikën e udhëtimeve dhe në shtete të tjera të Europës.

Hoxha thotë se ndonëse po afrohet 8 marsi, që shoqërohet me udhëtimeve të shumta turistike nga grupet e grave, vihet re një lloj hezitimi. “Ka frikë për udhëtime me autobus, pasi janë vende të mbyllura dhe ka kontakte mes njerëzve”, pohon ajo. Destinacioni më i preferuar për momentin për 8 marsin mbetet Budva.

Megjithatë, deri tani, pjesa më e madhe e anulimeve kanë qenë drejt Italisë.
Italia mbetet destinacioni kryesor i fluturimeve nga dhe drejt Rinasit, me 50% të trafikut total të pasagjerëve për vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport. Pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.7 milionë në vitin 2019.

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 334 mijë pasagjerë në 2019-n. Destinacioni i dytë është Milano, me 317 mijë pasagjerë, i treti është Bergamo, me 169 mijë pasagjerë.

Edhe përmes porteve të vendit, çdo vit udhëtojnë rreth 1.6 milionë pasagjerë.

Virusi shkakton kaos në udhëtime në Europë, Italia me anulime për Pashkët
Përhapja e koronavirusit ka shkaktuar një amulli totale me udhëtimet ajrore. Mediat e huaja njoftojnë se ka pasur fluturime të anuluara dhe bileta për t’u rimbursuar. Kompanitë e fluturimeve Lufthansa dhe Klm janë të parat që kanë njoftuar marrjen e masave.

Frika për të udhëtuar po ndikon turizmin. Më e prekura është Italia ka njoftuar shumë anulime rezervimesh që kishte pasur për festën e pashkëve në prill. Në Itali, segmenti i turizmit vlen një total prej 146 miliardë eurosh: një shifër e barabartë me 12% të PBB-së, e krijuar nga një zinxhir prej 216 mijë njësish akomodimi dhe 12 mijë agjenci udhëtimesh. Përhapja e koronavirusit ka bërë që disa qeveri, nga Irlanda në Izrael, të përfshijnë Italinë midis vendeve “jo të rekomanduara” për vizita kënaqësie dhe “jo rekomanduar rreptësishtë” për udhëtime biznesi, shkruan il Sole24ore.

Izraeli njoftoi dje se do të ndalojë hyrjen e qytetarëve italianë të hyjnë në vend, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Arie Deri, duke theksuar se ai do të nënshkruajë një dekret në këtë drejtim. “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër – shpjegoi ai, cituar nga media – virusi është përhapur në Itali”.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të monitorojnë të gjitha ardhjet nga zonat e infektuara me shpërthime të koronavirusit dhe janë “shumë, shumë të gatshëm” për të bërë gjithçka që kërkohet.

Këtë e theksoi Presidenti Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar se SHBA deri më tani ka qenë e suksesshme, në trajtimin e urgjencës. Për më tepër, për Trump është ende shumë herët që Shtetet e Bashkuara të vendosin për ndonjë kufizim udhëtimi nga Italia dhe Koreja e Jugut. “Tani nuk është koha e duhur. Në kohën e duhur që mund ta bënim, do të shohim se çfarë ndodh “.