Rrëfimi/ Na duket sikur coronavirusi na përgjon prapa derës!

510
Sigal

Pogradec, rrëfim i dy bashkëshortëve të moshuar nga Tirana

Nga Vepror Hasani

Ditët e fundit në qytetin e Pogradecit janë vërejtur edhe banorë të kryeqytetit të cilët janë me origjinë nga qyteti bregliqenor ku kanë edhe shtëpitë e tyre të hershme. Banorët e ardhur nga Tirana pohojnë se ndodhen në Pogradec pak më parë se të kufizohej lëvizja dhe do të vijojnë të qendrojnë aty deri sa ta shohin të arsyeshme. “Erdhëm para se të ndodhte “mbyllja”, na thotë një çift bashkëshortësh të moshuar, (të cilët nuk dëshirojnë të identifikohen), këtu në vendin e lindjes ndihemi më të qetë, qyteti është i bukur, ka lulishte, shëtitore, ka liqenin e mrekullueshëm, lumin gjithashtu, ka ajër të pastër, këtu njeriu mund të marrë frymë lirisht, njerëzit të flasin kur të shohin në rrugë, të përshëndesin edhe nga larg, nuk ndihemi të izoluar, këtu kemi kujtimet tona,  vitet e bukura që kemi kaluar, por edhe për shëndetin besojmë se jemi më mirë. Për të dalë shfrytëzojmë oraret kur lejohet. Nëse do të kishim qendruar në Tiranë, nuk do ta shijonim këtë kënaqësi, Tirana nuk ka kaq shumë gjelbërim, është tejet e populluar dhe  ndërtesat e shumta të marrin frymën. Njerëzit nuk janë më aq të shoqërueshëm sa më pare, duket sikur gjithkush ka hallin e vet dhe nuk dëshiron të përzihet me hallin e tjetrit. Ndaj me të pikasur “mbylljen” ikëm nga Tirana.

Qyteti bregliqenor

Këtu në qytetin tonë të lindjes, sa hërë dalim shohim edhe pleq të shumtë, (sigurisht kur lejohet),  ndodh kështu sepse për pleqtë kjo është periudhë e vështirë, çdo ditë thuhet coronavirusi prek më së shumti të moshuarit dhe ata që vujanë nga sëmundjet kronike. Që nga dita e mbërritjes në Shqipëri e këtij viusi, duket sikur corona na qendron prapa derës, ndaj pleqtë vrapojnë të dalin jashtë kur e kanë të mundur, që të shohin njerëz të tjerë, të marrin ajër të pastër, të shohin bashkëmoshatarët e tyre. Ndokush prej tyre mendon se është në ditët e fundit të jetës. Këdo që pyet të jep të njëjtën përgjigje: “Mërzitemi shumë brenda, kemi nevojë të dalim, nuk jetohet vetëm duke menduar nëse do të na kapë coronavirusi apo nuk do të na kapë. Kur dalim buzë liqenit na vijnë mendime të tjera, jeta na duket më e bukkur dhe sërish mendojmë sikur nuk do të vdeism kurrë, por kjo është jeta, të shpresosh për të nesër, jeta nuk është gjë tjetër vetëm shpresë”. Ndërsa për të rrinjtë është ndryshe, edhe ata mërziten, por kanë shumë mënyra për të komunikuar më bashkëmoshtarët e vet, shrytëzojnë kohën e lejuar, janë aktive, marrin pjesë në grupet vullnetare për të ndihmuar njerëzit e vetmuar dhe në nevojë. Ata janë vetë jeta. Kurse pleqtë vërtet dalin, por nuk arrijnë ta shijojnë as koha e lejuar, edhe kur kthehen në shtëpi duhet të çlodhen dy-tri herë nëpër stolat që gjejnë rrugës. Ndodh që i kap edhe policia, por edhe këta të fundit tregohen të arsyeshëm.

Mjeket po bëjnë të pamundurën

Me t’u kthyer në shtëpi dëgjojmë lajmet, dëshirojmë të ketë sa më pak humbje jete, mjekët po bëjnë të pamundurën. Janë heronjë të Shqipërisë, kanë rrezikuar edhe jetën e tyre, por vazhdojnë të luftojnë me virusin e padukshëm. Edhe në rrethin e Pogradecit ka patur dy të dyshuar të prekur nga virusi “corona”, një vajzë 15-vjeçare në zonën e Mokrës, e cila para disa ditësh kishte qenë e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ndërsa tjetri në njësinë administrative të Çëravës, tashmë të dy gjenden të karantinuar, shpresojmë të mos rezultojnë me coronavirus.  Këtu në qytetin e Pogradecit është dezinfektuar gjithçka, tashmë prej disa ditësh dezinfektimi po bëhet edhe në njësitë administrative të bashkisë. Rrugët më të frekuentuara dizifenktohen me klor. Duket se kjo do të jetë një luftë e gjatë mes shqiptarëve dhe coronavirusit, sepse edhe mundësitë tona janë më të pakta, por përkushtimi është i madh. Megjithatë, ne do të vijojmë të qendrojmë këtu në vendlindje, ku edhe flladi që fryn nga liqeni duket sikur na njeh, na përqafon dhe rri një çast me ne. Në Pogradec është shumë bukur, këtu nuk vdes kurrë!