Rrëfeu si vëllai vrau motrën! Merret në mbrojtje, bashkëpunëtori i drejtësisë largohet nga Tirana

286
Sigal

Bashkëpunëtori i drejtësisë që rrëfeu krimin makabër të vrasjes së vajzës nga babai me vëllanë është larguar nga Tirana.

Pasi mori statusin e bashkëpunëtorit, ai është larguar së bashku me familjen nga kryeqyteti duke iu dhënë mbrojtje.

Por si është historia? Bashkëpunëtori që për arsye të sigurisë së tij nuk po e publikojmë emrin ka vetëm pak kohë që është liruar nga burgu, pasi u dënua me 2.8 vite si bashkëpunëtor në tentativën që Shkëlzen Buci bëri për të vrarë aktorin Mishel Prela.

Ai u arrestua në korrik të vitit 2017 me akuzën e bashkëpunëtorit, pasi Shkëlzen Buci i kishte kërkuar që të ruante duke monitoruar lëvizjet e aktorit. Por në momentin e arrestimit ai kishte një kërkesë për drejtësinë.

“Unë nuk do të jap shpjegime në këto momente, kërkoj nga organi i akuzës të më vendosë në dispozicion një kopje të akteve të hetimit konformë rregullave ligjore pasi të njihem me këto materiale jam në dispozicion të jap shpjegime” tha ai në korrik 2017 kur u arrestua.

Gjashtë muaj më pas në janar të vitit 2018, ai tregoi vrasjen e Eglantina Bucit nga vëllai në bashkëpunim me të atin në vitin 2012 në Malin me Gropa. Për zbardhjen e kësaj ngjarje, ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.