Rotacioni i “bajraktarëve” nëpër poste universitare

549
Zgjedhjet në universitetet shtetërore, do të zhvillohen sipas një rregulloreje të miratuar nga Ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, por që për nga përmbajtja dhe kushtëzimet e vendosura duket qartazi, sikur është hartuar “shoqërisht” dhe të krijon dyshimin e arsyeshëm se kjo rregullore i është çuar zonjës ministre “në shtëpi” sa për firmë e vulë, por është hartuar nga “mendjet dhe interesat” e atyre që synojnë të mbajnë peng institucionet e arsimit të lartë! Rregullorja është në vetvete “Kodi Zgjedhor” i këtij procesi në universitete, por fatkeqësisht ky “kod” është konceptuar si një “kanun” që u jep “kartabiankë” favorizuese “bajraktarëve” e klaneve aktualë dhe “bejlerëve” të rinj që janë futur në listë për t’u “graduar” si drejtues “jeniçerë”, të paracaktuar si të parazgjedhur që thjeshtë do të konfirmohen nga ministria, por që do të zgjidhen nga “duar” që komandojnë mbi ministrinë. Sipas profesorëve, pedagogëve dhe ekspertëve të arsimit të lartë, madje edhe sipas denoncimeve të studentëve që janë bërë “gjah për vota” prej klaneve, thuhet se këto zgjedhje janë të manipuluara që në “nisje”, madje qëë pa nisur si proces dhe këtë e provojnë shumë fakte. Sot, po ndalemi në disa prej tyre.
Skenari për mbajtjen “peng” dhe “kapjen” e universiteteve, shtyu zgjedhjet me 3 muaj
Sipas ligjit të arsimit të lartë, madje edhe këtij të riut të miratuar me protesta studentësh e profesorësh, zgjedhjet në universitete për postet dhe strukturat drejtuese, duheshin zhvilluar në fillim të muajit shkurt 2016, por nuk u zhvilluan në afatin e detyrueshëm. Këto zgjedhje, siç ka vendosur ministrja Nikolla, do të zhvillohen në datën 20 prill 2016, ose më saktë afro 3 muaj me vonesë! Madje edhe Urdhri Nr. 110 i Ministres së Arsimit, doli 5 muaj më vonesë, konkretisht në datën 15 mars 2016, kur duhej të dilte qysh në muajin nëntor 2015 e po kështu rregullorja e cila doli po në datën 15 mars 2016. Skandali që bie ndesh me ligjin, ka lidhje me faktin që Urdhri dhe Rregullorja nuk dalin në një datë, në një ditë e në një orë, por fillimisht publikohet rregullorja e zgjedhjeve e më pas del urdhri si akt finalizues e miratues i krejt procedurës formale të procesit. pra, rregullorja del në fillim, pasi kjo të jetë konsultuar me institucionet universitare dhe grupet e interesit të subjektit zgjedhor e si subjekt të arsimit të lartë! Ka një logjik” Zgjedhjet nuk bëhen me urdhër, por me “Kod” të miratuar nga palët dhe rregullorja është “Kod” i këtyre zgjedhjeve! Ministrja mund të nxjerr urdhër për ndonjë investim, për blerje mobiliesh, për ristrukturim fondesh, për ndryshim objekti fondesh, ose për largim e transferim zyrtarësh të ministrisë, por nuk mund të përcaktoj rregullat se si bëhen zgjedhjet në një komunitet, siç ka nxjerr edhe urdhra se si zgjidhen kryetarët e komiteteve të prindërve në shkollat 9 vjeçare! 


Kjo rregullore është optik tipike si “model fletë garanci”, për të zgjedhur e rizgjedhur, ata që i interesojnë atyre që kanë “gatuar” këtë rregullore, të cilët sipas bisedave me profesorë edhe jo kandidatë, janë ata që nuk duan drejtim efikas të universiteteve, por që duan të uzurpojnë, të mbajnë peng e nën kontroll universitetet shtetërore. Përveç rregullores, këtë këtë e shpjegon edhe fakti i shtyrjes së shpalljes së afatit ligjor të zgjedhjeve me 3 muaj vonesë! Sipas ligjit të arsimit të lartë, rektorët, dekanët, senatet, shefat e departamenteve dhe strukturat drejtuese në universitete, do ishin zgjedhur qysh në javën e parë të muajit shkurt 2016. Përse u shty ky proces? Kush urdhëroi? Kush pengoi zbatimin e afatit ligjor të këtyre zgjedhjeve? çfarë interesash fshehin “kriteret e veçanta” të vendosura në rregulloren e re? Këto pyetje bëhen, mbasi sipas burimeve të gazetës “Telegraf” rregullorja e këtyre zgjedhjeve ishte hartuar prej grupit të punës dhe i ishte dërguar për miratim Ministres së Arsimit që në muajin tetot 2015, me synimin që sipas ligjit, rregullorja e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të shpallej në muajin nëntor 2015, bashkë me urdhrin për zhvillimin e zgjedhjeve universitare! Por ajo u mbajt e bllokuar qëllimisht në “sëndukun” e ministres deri në datën 15 mars 2016, ditën kur u shpall bashkë me urdhrin e lëshuar nga ministrja! Sipas “zërave” nga brenda “kullës” së ministres Nikolla, kjo shtyrje ka lidhje me qëllimin e vetëm e djallëzor, që zgjedhjet të mbaheshin nën kontroll jo si proces, por si procedurë, jo vetëm si procedurë, por së pari si emra “fituesish” që i nevojiten klikës së arsimit të lartë! Ndaj kjo rregullore u bë që të “rregulloj” zgjedhjet sipas skenarit për të mbajtur peng e për të “kapur” kupolat e reja drejtuese të universiteteve shtetërore në gjithë strukturat drejtuese! Vonesa tregon, se tashmë klanet që synojnë mbajtjen peng dhe kapjen e universiteteve janë “të sigurt” për të arritur këtë qëllim dhe janë hedhur në veprim, duk seleksionuar kundërshtarët që nuk janë në listat e tyre “me kulaç, me kërbaç, me anonime e pazare” postesh. Ky seleksionim është parashikuar e përcaktuar në rregullore, si “model zgjedhor demokratik”! Sa për kujtesë, pas shpalljes së kandidaturave të miratuara, me urdhër të shefave, “sekserët” kanë nisur sulmin e telekomanduar ndaj konkurrentëve potencialë, duke u dërguar me postë elektronike e me “anonime poshtë derës” presione për dorëheqje, për pranim manipulimi votash, ose për pazare me kërcënimin për publikim “cenesh” që kanë pasur e kanë, ose me kërcënimet për largim nga puna në universitete!
Rotacioni i “bajraktarëve” nëpër poste universitare, rregullorja “kanun” që riciklon e krijon klika sunduese
Ajo që bie në sy në zgjedhjet për drejtuesit universitar dëshmon një skandal tjetër të rëndë, që lidhet me “sundimtarët” e universiteteve. Në universitete shtetërore janë krijuar klika sunduese me të njëjtit emra. Çfarë po ndodh? Ata që janë rektorë dhe për shkak të plotësimit të numrit të mandateve të përcaktuar në urdhrin nr. 110, datë 15. 03. 2016 të Ministres Nikolla nuk kanë të drejtë të kandidojnë për mandat tjetër në vijim, nuk dalin nga postet drejtuese, por kanë shpallur kandidaturat e tyre për t’u zgjedhur dekan, ëpr të zgjedhur përsëri në senate e në krye të senateve! Ky rotacion, ose më saktë ky ndryshim postesh prej të njëjtëve persona në kryet posteve të universiteteve ka afro 20 vite që ndodh. Në çdo 4 ose 8 vite, të njëjtit i gjen ose në krye të fakulteteve, ose ën krye të universiteteve. Duke ndërruar vendet me njeri-tjetrin. Nëse shikon listën e kandidatëve të këtyre zgjedhjeve në universitete, shikon se janë po ata, që kanë lënë postin e dekanit dhe kërkojnë postin e rektorit, që kanë lënë postin e rektorit dhe kërkojnë postin e dekanit. Ky qarkullim kolltukësh nuk është qarkullim vlerash, por sundim postesh drejtuese, duke votuar për kolltukët e njeri-tjetrit në çdo 4 ose 8 vite! Prej mëse 20 vitesh universitete shqiptare janë marrë peng prej disa mediokreve që nuk kanë nivel shkencor e profesional as të një ekonomisti, financieri firme kokoshkash, të një elektricisti, të një motoristi, të një mësuesi gjuhe të ciklit të ulët, të një laboranti me shkollë të mesme, të një tekniku ndërtimi etj, por ja që me vota të blera e me mbështetje klienteliste, politike e klanore uzurpojnë postet drejtuese në universitete dhe i shkëmbejnë me njeri-tjetrin në çdo proces zgjedhjesh.
vijon
——————————————————-
Ja për cilët poste e struktura drejtuese universitare, do të bëhen zgjedhje në datën 20 prill 2016
1. Anëtarët e Senatit Akademik
2. Rektori
3. Dekani i Fakultetit të Biznesit
4. Përgjegjësit e pesë departamenteve të Fakultetit të Biznesit
5. Dekani i Fakultetit të Edukimit
6. Përgjegjësit e katër departamenteve të Fakultetit të Edukimit
7. Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale
8. Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve Profesionale
9. Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
10. Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike
11. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
12. Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
13. Dekani i Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën
14. Përgjegjësit e tre departamenteve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën
———————————————–
Nesër do të lexoni
1. A ka lista të hartuara me studentë të qarkulluar për votim nga një fakultet në tjetrin?
2. Sa pedagogë janë pranuar në punë në 4 muajt e fundit në universitete?
3. Cilët, nga cilët dhe përse janë graduar disa shefa komisionesh votimi?
4. A ka shkelje mes nivelet të komisioneve të votimit?
5. A po transferohen profesorë nga një fakultet në tjetrin për efekt votash të sigurta?
6. A janë listat mbi mbivendosje emrash dhe a ka në lista edhe emra studnetësh që kanë përfunduar studimet prej 1 e 2 vitesh?
7. në cilët universitete po bëhet presion ndaj pedagogëve e studentëve votues? 
8. A quhet konkurrim, votimi me një kandidat të vetëm?
9. Çfarë skenarësh e aferash po “gatuhen” e serviren nga Ministria e Arsimit dhe nga familjarë të titullarëve të saj, për cilët rektorë e dekanë “çifligarë” bëjnë propagandë e presion?
Sigal