Roland Qafoku: Koncesionet gëlojnë, ky është një nga dështimet e qeverisjes së Edi Ramës

770
Jakup B. GJOÇA
Jo vetëm ekzistenca, por më shumë se kaq, prezenca me numra përcaktues në Kuvend i LSI-së është një e mirë e demokracisë së brishtë shqiptare, që i ka bërë vetëm mirë vendit. Interesat e ngushta, se LSI-ja është e keqja e këtij vendi, janë në fakt ankesa se kjo forcë politike nuk i ka lënë rehat dy të mëdhenjtë e politikës
Rolandë Qafoku, moderatori i njohur i emisionit “DEBAT” në intervistën për gazetën “Telegraf” duke iu kundërvënë baltosje që kryeministri Ramë u bën gazetarëve dhe medieve që e kritikojnë, në mënyrë të përsëritur, pohon se “…fama e fjalës ‘kazan’ të artikuluar nga kryeministri shqiptar e ka kapërcyer oqeanin Atlantik dhe oqeanin Paqësor” dhe shton se qytetarët e besojnë Medina, derisa i drejtohen për zgjidhjet e halleve të tyre, ngaqë nuk besojnë më qeverinë dhe drejtësinë. Zoti Qafoku, duke iu referuar konfliktit Qeveri – Presidencë mbi marrëveshjen Shqipëri- Greqi për kufijtë detare, analizon se “ Presidenti Meta kërkoi vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe nuk kërkoi asgjë më shumë nga ajo që i takon”. Ndërsa mungesën e investimeve publike, por dhënien e koncesioneve nga qeveria e Rilindjes Socialiste, zoti Qafoku e cilëson si “skandal dhe dështim”.
Zoti Qafoku, a mendoni se Media në Shqipëri informon, apo manipulon opinionin publik?
– Kjo është një pyetje, me përgjigjen e të cilës mund të mbrosh titullin Doktor i Shkencave të komunikimit. Duhet të bësh një analizë të gjerë dhe të detajuar se çfarë bënë media shqiptare dhe a e plotëson misionin e saj. Natyrisht që media shqiptare informon, raporton dhe përçon te publiku informacionin që merr. Tashmë, edhe në kushtet e “hidh teh”, që ka prishur të gjithë traditën, se si merret lajmi me burimet e tij dhe si transmetohet lajmi. Dhe natyrisht kjo do të thotë që media shqiptare informon. A ka raste të manipulimeve? Natyrisht që ka. Diskutimi më i madh sot në botë janë lajmet “fake news” dhe, si të tillë, Shqipëria jonë e vogël me lajme të mëdha nuk mund të jetë ndryshe. Edhe këtu ka “fake news” dhe tashmë kemi një betejë të hapur mes gazetarëve dhe asaj pjesë të medias, që raportojnë me profesionalizëm dhe gazetarëve dhe mediave që prodhojnë “fake news”. Kush do të fitojë? Natyrisht që kam bindjen që do fitojnë profesionistët. Në pamje të parë duket sikur “fake news” e bëjnë xhiron me lajmin e tyre të pavërtetë, por kjo është e përkohshme dhe profesionalizmi dhe saktësia paraprin dhe do të triumfojë.

– Cili është halli i kryeministrit Rama, i cili në mënyrë të përsëritshme (dhe madje edhe e pazakontë që një kryeministër të fyejë median publikisht), cilëson median ‘Kazan’, kur ndërkohë ai është i përditshëm në Media?
– Pak ditë më parë kisha në emisionin tim “Debati në Channel One” ikonën dhe drejtorin e “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Elez Biberajn, i cili tha se ndjehej shumë i shqetësuar kur dëgjonte kryeministrin Rama që thoshte, se media është kazan. Pra fama e fjalës ‘kazan’ të artikuluar nga kryeministri shqiptar e ka kapërcyer oqeanin Atlantik dhe oqeanin Paqësor. I nderuar koleg! Unë nuk do bëj viktimën. Unë them se Edi Rama na e bën mirë. Sepse ka një rregull në përvojën e jetës: Nuk mund të të nënshtrojë dikush, nëse ti nuk e ul kurrizin. Media shqiptare në fakt e ka ulur kurrizin. Imagjinoni sikur kjo të ndodhte në SHBA, Angli, Francë, Itali. Doemos, që do ishte bërë nami. Minimumi mediat do ta bojkotonin kryeministrin e vendit të tyre, ndërsa këtu nuk ndodh asgjë, në një media të frustruar dhe me përjashtime të vogla, komuniteti i gazetarëve është konvertuar me komunitetin e pronarëve të medias. Ka shumë gazetarë që nuk marrin rrogat apo i marrin me vonesë, mungon solidariteti mes kolegëve, atëherë çfarë mund të presim? Kam dëgjuar ankesa publike nga gazetarë të njohur, por vetëm kur ata vetë janë larguar nga puna. Ata nuk e kanë bërë këtë, kur një koleg i tyre është larguar nga puna. E pra, një largim nga puna pa të drejtë i një gazetari nuk vlen, kur të ndodh vetëm ty, por vlen kur i ndodh çdokujt të njohur, apo të panjohur, të ri apo të vjetër, me, apo pa eksperiencën e duhur. Çudia është se i njëjti gazetar, apo gazetare habitet që kolegët nuk solidarizohen në rastin në fjalë. Kam një pyetje: Po ti ku ishte, kur kjo u ndodhte kolegëve?

– Pse ndodh që në tematikën e medias trajtohen në mënyrë të përsëritur tema të preferuara për politikën, sikurse korrupsioni, kriminalizimi ku palët politike kanë të njëjtën përgjegjësi dhe askush nuk “laget”, duke shmangur temat si, ekonomia, papunësia, varfëria, që “djegin” politikën, por që i interesojnë drejtpërdrejt qytetarit?
– Unë mendoj se këto tema janë trajtuar, por politika e ditës me aktivitete qeveritare është ajo që zë pjesën më të madhe. Ky disproporcion është edhe për fajin e medias. Por a e dini se ç’ndodh nëse një media nuk e jep? Duket si jashtë vathës, duket si delja e zezë dhe duket si jo profesioniste. Këtu kemi arritur.

– Sa është bashkëfajtore edhe media, derisa qytetari tashmë nuk e beson më, sikurse nuk beson më edhe politikanin?
– Nuk jam dakord me këtë konstatim. Sipas raporteve, media është një nga institucionet më të besueshme në Shqipëri. Nëse një qytetar ka një problem, ajo që i shkon më parë në mendje është ta denoncojë në media në një emision, apo në një edicion lajmesh, apo edhe në një gazetë. Atëherë kjo nënkupton që qytetarët kanë interes dhe besim. Pas kësaj çfarë ndodh? Kemi disa shekuj që rregulli e do që këtu çudia e madhe ndodh 3 ditë…

– Kryeministri Rama, duke propaganduar përditë në media, punë, ju mendoni se kjo është fasadë e propagandës apo vërtet qeveria punon për të përmbushur zotimet elektorale?
– Kryeministri Rama ka të drejtën e vet të propagandojë punën e qeverisë. Kjo nuk është gabim nga ana e tij. Gabim është nga media që këtë propagandë e merr si të mirëqenë dhe e transmeton pa asnjë ndryshim.

– Zoti Qafoku, ende qeveria nuk ka përcaktuar nivelin minimum të jetesës. A mund të jenë të drejta kriteret e qeverisë në dhënien e Ndihmës Sociale apo heqjen e qytetarëve nga kjo ndihmë?
– Juve mund t’ju duket e habitshme por në këtë pikë unë bashkohem me konkluzionet e ekspertëve të qeverisë. Nuk e vë në dyshim që është një numër i popullsisë shqiptare që është në nevojë emergjente dhe duhet të marrë ndihmë sociale, sidomos ata që janë në pamundësi fizike. Por ama duhet ta themi se problem numër 1 i shoqërisë shqiptare është dembelizmi. Si nuk ka një statistikë sa shqiptarë dembelë ka? Në fakt ka një matës: Të gjitha klubet, baret lokalet dhe restorantet janë gjithnjë plot. A ka më të zymtë, kur mëson se jemi në vend të dytë në Evropë, pas Spanjës, për nga numri i lokaleve për banorë? Më kujtohet kur isha në SHBA në vitin 2001, bashkia e Bostonin nxori një njoftim, ku shkruhej: Papunësia në qytetin tonë është 2 për qind. Këta janë dembelët e qytetit. Imagjinoni rastin shqiptar, sa për të qeshur jemi.

– Në 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste, të pakta janë investimet publike, ndërkohë që çdo vit paguhen 120 milionë euro për koncesionet. Kjo nuk është një kontradiktë?
– Kjo nuk është kontradiktë, ky është skandal. Unë e kam thënë edhe në analizat e mia. Me ndërtimin e sistemit rrugor në të gjithë vendin me kryeveprën, rrugën e kombit Durrës-Kukës-Morinë gjatë kohës së qeverisjes së kryeministrit Berisha, kryeministrit Edi Rama i kishte mbetur të bënte dy vepra të mëdha publike, tunelin nënujor Durrës-Bari dhe tunelin rrugor në Llogara. Ngjajnë utopike këto ide, por tashmë jemi përpara faktit që nuk janë ndërtuar vepra publike, ndërsa koncesionet gëlojnë. Ky është një nga dështimet e qeverisjes së Edi Ramës.

– Zoti Qafoku, ju si e shpjegoni që vetëm në Shqipëri ndodh, që kemi përplasje të forta politike midis institucioneve, sikurse Qeveria me Presidencën, edhe për tema kaq të rëndësishme kombëtare, sikurse ndodh tani me negociimet Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë?
– Unë mendoj se në përplasjen e fundit, presidenti Ilir Meta ishte shumë i qartë në atë që ka ndodhur dhe në atë që ai kërkon. Nuk mund të realizohet një marrëveshje me dy shtetesh që lidhet me kufijtë detarë dhe të mos ketë, jo vetëm transparence, por të mos njoftosh kreun e shtetit. Presidenca nuk është e Ilir Metës dhe e askujt, por Ilir Meta dhe presidentët që kanë qenë dhe do të jenë duhet ta përdorin detyrën, sipas Kushtetutës. Presidenti Meta kërkoi vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe nuk kërkoi asgjë më shumë nga ajo që i takon. Pse çfarë është presidenca, plani i rehabilitimit të qendrës së Roskovecit, që është projektuar në atë mënyrë se ashtu i pëlqen kryeministrit dhe nuk ka rëndësi fakti se nuk është njoftuar kryetari i bashkisë?! Deklarata e Metës ishte serioze, e qartë dhe parimore. Kujt nuk i pëlqen respektimi i institucioneve, ka jo pak probleme.

– Ju, si mendoni, cila është prapaskena politike e deklarimit të kryeministrit Rama, për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë?
– Unë mund të jem nga të paktët që e kam përshëndetur dhe e kam duartrokitur madje kryeministrin kur e tha këtë. Nuk bëhet fjalë që nga kjo ide të ikë nga puna Ilir Meta dhe Hashim Thaçi. Nuk duhet t’i shikojmë gjërat në këtë formë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një proces i natyrshëm dhe tani duhet t’i lëmë pas frikërat, se mos na keqkupton BE-ja, apo dikush tjetër. Dhe që ky proces të arrihet, do kalojë njëherë në mendje si ide, më pas të shprehet dhe më pas akoma të kalohet në veprime konkrete. Po. Unë jam dakord që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. Kjo mund të ndodhë, kur Ilir Meta dhe Hashim Thaçi të mos jenë president, madje as Edi Rama dhe Rramush Haradinaj të mos jenë më kryeministra. Por, ama, bashkimi nis kështu dhe këtu dhe Rama meriton, një bravo!

– Flitet, sërish për reformën zgjedhore. Ju mendoni se kryetarët e PS-së dhe PD-së do të pranojnë që të heqin nga duart e tyre monopolin e tyre të listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë, saqë parlamenti është Kuvendi i beniaminëve të kryetarit të Partisë dhe jo i të zgjedhurve të popullit? 
– Nuk kërkon të jesh ekspert i çështjeve zgjedhore për të kuptuar se PS dhe PD synojnë ta eliminojnë LSI-në. Për ata ajo ka qenë një ferrë nëpër këmbë, që nuk e kanë dashur e, megjithatë ia kanë puthur dorën sa herë kanë pasur nevojë. Në Shqipërinë tonë politike bipolariteti do ishte një dëm i madh dhe do na ngjante si një sistem monopartiak me dy parti. Jo vetëm ekzistenca, por më shumë se kaq, prezenca me numra përcaktues në Kuvend i LSI-së është një e mirë e demokracisë së brishtë shqiptare, që i ka bërë vetëm mirë vendit. Interesat e ngushta, se LSI-ja është e keqja e këtij vendi, janë në fakt, ankesa se kjo forcë politike nuk i ka lënë rehat dy të mëdhenjtë e politikës. Unë nuk besoj se ata do t’ia dalin ta dëmtojnë këtë forcë politike, e cila tashmë pas 14 vite ekzistencë ka goxha përvojë në të tilla beteja.
Sigal