Robert Wilton/ Avokati i Popullit duhet të jetë një mbrojtës i fortë i të drejtave të njeriut

526
Sigal

Plani Strategjik i Avokatit të Popullit 2013-2015

*Kryetar në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Ndihem i nderuar që më jepet mundësia të mbyll këtë seancë të nderuar prezantuese. Prezenca e OSBE-së është entuziazmuar dhe e impresionuar nga progresi i arritur. Plani Strategjik është një nga rezultatet e para të rëndësishme të këtij projekti. Siç e dimë të gjithë, nga udhëtimet në Shqipëri gjatë pushimeve, ndodh që nëpër rrugët e këtushme të mungojnë ndonjëherë tabelat treguese. Hartat janë shumë të rëndësishme nëse do që të shkosh aty ku je nisur. Ky Plan Strategjik është harta e Avokatit të Popullit për vitet në vazhdim. Katër fushat strategjike të ndërhyrjes që ju theksuat në Planin tuaj të japin idenë e një terreni të vështirë përpara: vënia e institucioneve publike para përgjegjësisë, ndërtimi i një kulture të të drejtave të njeriut në Shqipëri, forcimi i stabilitetit dhe profesionalizmit të Avokatit të Popullit, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar. Plani Strategjik bëhet për të parë përpara, por unë do të doja të ndalesha një moment për të theksuar punën e mirë që është bërë deri tani. Prezenca e OSBE-së ka qenë krenare për mbështetjen që i ka dhënë Avokatit të Popullit që nga krijimi i këtij institucioni. Ne kemi qenë dëshmitarë të evolucionit tuaj të mrekullueshëm gjatë viteve dhe Avokati i Popullit është bërë një partner i vyer i Prezencës. Ne bashkëpunojmë për çështje të reformës legjislative që prekin të drejtat e njeriut dhe Avokati i Popullit është një zë i rëndësishëm në forumet e konsultimit me publikun. Ne bashkëpunojmë në promovimin e të drejtave të grupeve të dobëta, si për shembull ato të personave me aftësi të kufizuara. Avokati i Popullit ka ndërmarrë një rol lidershipi aktiv sa i përket integrimit të minoriteteve – sidomos, siç është theksuar nga shumë parafolës, të romëve. Përveçse ka folur kundër akteve të qeverisë që i marxhinalizojnë edhe më shumë romët, Avokati i Popullit ka mirëpritur si pjesë të stafit të Zyrës së tij edhe një profesionist të ri rom, me financimin e OSBE-së. Gjithashtu, do të doja të theksoja edhe përpjekjet tona të përbashkëta sa u përket të drejtave të të burgosurve dhe të vlerësoja punën rigoroze të bërë nga Avokati i Popullit për të dokumentuar dhe për të raportuar shkeljet e të drejtave të njeriut në burgje. Kur shohim përpara, është e qartë se ende ka shumë sfida, sikurse edhe shumë mundësi. Vura re se në Planin Strategjik theksohet komunikimi me shoqërinë civile dhe unë besoj fort se bashkëpunimi me shoqërinë civile do ta pasurojë informacionin dhe ekspertizën e Avokatit të Popullit e do të krijojë partneritetet premtuese. Avokati i Popullit ka një rol unik në Shqipëri – Kryetari i Kuvendit, z. Meta, përshkroi shumë mirë edhe rëndësinë unike – dhe pavarësia juaj duhet të ruhet. Më lejoni ta mbyll fjalën time me disa shqetësime, disa shpresa. 1. Theksoj edhe një herë nevojën e një financimi të mjaftueshëm dhe të sigurt që Zyra juaj të ruajë pavarësinë e të përmbushë mandatin e saj. 2. Që Avokati i Popullit të jetë një mbrojtës i fortë i të drejtave të njeriut, ashtu siç synohet të jetë, duhet të ketë një reagim të përshtatshëm. Është vendimtare që rekomandimet e Avokatit të Popullit të diskutohen rregullisht në Kuvend. 3. Institucionet duhet të angazhohen me Avokatin e Popullit duke dhënë informacione dhe, ç’është më e rëndësishmja, duke reaguar ndaj rekomandimeve të tij. Z. Avokat, kur ju ngritët zërin para ca kohësh, në verë, në emër të disa qytetarëve minoritarë shqiptarë, kur ju ngritët zërin në emër të sundimit të ligjit – ligjit shqiptar, kur ju ngritët zërin i vetëm, kur gjithkush tjetër ishte në plazh, OSBE-ja – unë – isha krenar që qëndrova përkrah jush. Por nuk duhet të kishte qenë e nevojshme që krah jush të qëndronte një diplomat ndërkombëtar, një organizatë ndërkombëtare, për të tërhequr vëmendjen ndaj fjalëve tuaja, për t’u dhënë më shumë peshë. Teksa ju përmbushni misionin tuaj – për të qëndruar objektiv, për të thënë të vërtetën dhe për t’i vënë institucionet para përgjegjësisë, ashtu sikurse titulli juaj e thotë qartë, në emër të popullit – siç e tha edhe Kryetari, për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë – teksa ju përmbushni misionin tuaj, unë u bëj thirrje institucioneve dhe pjesës më të madhe të popullit të Republikës së Shqipërisë që ta dëgjojnë me vëmendje atë zë; për ta bërë këtë institucion sa më të suksesshëm që të jetë e mundur; për ta bërë këtë demokraci sa më të suksesshme që të jetë e mundur.

Konsolidim i pushtetit gjyqësor me holandezët partnerë

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka pritur në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Z. Martin de la Beij. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Gjykatës së Lartë e ka falënderuar Ambasadorin Holandez për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Holanda i ka dhënë Shqipërisë si shtet kandidat për integrimin evropian, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm me anë të projekteve konkrete në ndihmë të gjyqësorit shqiptar. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka fituar projektin e financuar nga qeveria Holandeze “Rritja e Efiçencës në Administrimin e Drejtësisë”. Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se ky projekt i shkëlqyer do të ofrojë ndihmë konkrete në trajtimin e çështjeve me interes për Gjykatën e Lartë, gjithnjë në funksion të forcimit e konsolidimit të mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, në mënyrë që të përballohen me sukses sfidat për forcimin e demokracisë në Shqipëri, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të individit me anë të një drejtësie efektive në shërbim të qytetarit. Në frymën e bashkëpunimit, Z. Zaganjori mirëpriti idenë e ambasadorit De la Beij për vazhdimin të kësaj marrëdhënie bashkëpunimi, mes dy Gjykatave të Larta të të dyja vendeve dhe Këshillit të Gjyqtarëve në Hagë. Ambasadori Holandez Z. Martin de la Beij, u shpreh se personalisht i vlerëson hapat e marra nga Shqipëria për plotësimin e standardeve që do t’a afrojnë atë më pranë Evropës, duke u angazhuar se qeveria Holandeze do të jetë përkrah vendit tonë me ndihma dhe asistenca  konkrete në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit. Trajnimi që pritet të organizohet në fillim të tetorit në Hagë, është një tregues pozitiv se Holanda është mike e Shqipërisë dhe është e interesuar që institucionet në Shqipëri të funksionojnë normalisht në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, etj., duke plotësuar sa më pare kriteret për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Më pas Ambasadori Holandez Z.Martin de la Beij dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Z.Xhezair Zaganjori zhvilluan dhe bisedë me 23 punonjësit e Gjykatës së Lartë, të cilët do të nisen për trajnim 10 ditor në Hagë në datat 6 – 16 tetor 2013.