Rezultatet e maturës 2023/ Rritet numri i nxënësve ngelës, si është raporti në qarqet e vendit. Ja kur dalin notat për provimet e tjera

128
Sigal

Dy javë nga provimi i gjuhës së huaj, 37 mijë maturantë janë njohur me rezultatet e provimit. Referuar të dhënave të publikuara, numri i maturantëve mbetës ka qenë më i lartë krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i atyre që janë vlerësuar me notë maksimale më i vogël.

37 mijë maturantë janë njohur me rezultatet e provimit të gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore. Nga të dhënat e publikuara, kalueshmëria ka qenë 96%. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 1043 maturantë në të gjithë vendin janë vlerësuar me notë negative 4.00, ndërsa 384 prej tyre kanë marrë notë maksimale 10.00.

Krahasuar me një vit më parë, numri i maturantëve ngelës ka qenë më i madh, ndërsa numri i atyre që janë vlerësuar me notë maksimale më i vogël. Kjo pasi në provimin e Anglishtes, vitin e kaluar, 611 maturantë u vlerësuan me 10.00 dhe 861 me 4.00.

Për sa i përket qarqeve, Vlora renditet e para me 8.24 dhe Dibra e fundit me 7.3. Qarku Kukës që në maturën e vitit të kaluar doli qarku i parë në të gjitha provimet, këtë vit ka një pozicionim mesatar.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u bëri thirrje nxënësve dhe mësuesve, që të vijojmë të respektojmë rregulloren me korrektësi maksimale, në mënyrë që të garantohet një proces mature i qetë dhe me standard.

Ndërkohë maturantet janë në pritje të rezultateve të dyta të provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, teksa më 13 qershor do t’i nënshtrohen testimit të matematikes dhe më 19 qershor, lëndës me zgjedhje.

Rezultatet e maturës 2023/ Rritet numri i nxënësve ngelës,