Rezervat e Shtetit, 550 mijë euro verë e pije alkoolike “VIP”, janë falur e janë shitur me 10% të çmimit si “të skaduara“

593
Janaq SOKOLI
Një ministër që “ia hëngri kokën” hashashi, furnizohej çdo 2 muaj me nga 500 shishe verë 160 euro shishja, duke i blerë me çmimin e 1 “Karte identiteti”
Projekti i qeverisë “Rama-2”, për bashkimin e Rezervave Materiale të Shtetit me Emergjencat Civile është një emergjencë antikorrupsion, për të shkatërruar përfundimisht “shpellën” e abuzimeve të shumta, që vazhdojnë të bëhen në depot e kësaj ndërmarrjeje, me urdhra të lëshuar nga drejtori Irfan Dashi dhe me letra të zografisura nga nëpunësit rajonalë, nën presionin e “brirëve” të tij korruptivë, por që në fund certifikoheshin prej tij, me gjoja letra të rregullta. Gjithë abuzimet rezultojnë të “rregullta”, mbasi janë “ambalazhuar” ligjërisht me urdhër të Dashit të “kopesë” së korruptuar në qendër e bazë, por edhe me “ngjyerje gishti” prej shefave dhe anëtarëve të Auditit të Brendshëm e të disa komisionerëve “nga baza” (punëtorë në drejtoritë rajonale). Një fakt: Nga këto kontrolle të bëra në depot ku çdo javë magazinohen, administrohen e nxirren në shitje, miliona copë e mijëra ton mallra dhe produkte të çdo lloji, shënohet se në 4 vitet e “bejlerllëkut” të Irfan Dashit, nuk rezulton të ketë as “1 kokërr gozhdë” mangët në inventar e administrimet hyrje-dalje! Por, rezulton se ka një “mal” me mallra të asgjësuar si “të skaduar”, ose “për rënie cilësie e dëmtime magazine” apo “dëmtim ambalazhi”! Edhe pse kanë qenë me standard e çmim real tregu, këto janë shitur me çmime të ulëta ose janë asgjësuar me komisione e proces-verbale, me përfaqësues nga qendra dhe nga “klasa punëtore” si roje, shoferë e pastrues nëpër drejtoritë rajonale, të cilët siç shprehen “nën zë”, vetëm sa kanë hedhur firmat e janë instruktuar të mbyllin gojën! Sot po publikojmë një nga 65 skandalet e rënda që kanë ndodhur me mallrat në depot e Rezervave të Shtetit, të maskuar pas urdhrave ligjorë dhe dosjeve të mbyllura me procedura e letra të rregullta! Sipas informacioneve të shumtë, që kemi për fatin e sasive të mëdha të produkteve e mallrave pasuri shtetërore, thuhet se ato janë bërë “kurban”, duke u zhdukur me urdhër shkresor e gojor nga drejtor Dashi, paçka se edhe në rastet, kur ujku hante një dash në ish-kooperativa, i dorëzohej një shenjë, qoftë edhe nga “lëkura”! Ndërsa “dashi” i rezervave zhduket pas nam e pa nishan! E jo vetëm kaq, por shumë mallra e produkte, janë bërë dhuratë me falje për njerëz me pushtet, për familjarë të tyre e për… vete në raste dasmash, piknikësh e sebepesh të ndryshme, por edhe si “furnizim” për bar-kafe e restorante, ku drejtor Dashi çon shpesh të deleguarit e partisë e të pushtetit por edhe miq nga diaspora! Këto mallra, janë shitur me 10% të vlerës për ministra, deputetë, drejtorë të lartë në qeveri, për këshilltarë shefash, për ambasadorë e konsuj, për prefektë, krye-bashkiakë dhe familjarë të tyre, për shokë e shoqe brenda dhe jashtë Shqipërisë! Madje sipas porosive “gojore” që ka dhënë drejtor Dashi, në shumë raste kur veturat qeveritare dhe furgonët mbusheshin me shishe vere e pije alkoolike të huaja dhe të shtrenjta. Financiarisht është përdorur si person porositës e zhvatës edhe emri i kryeministrit! Bëhet fjalë, për skandalin me përmbajtje krim ekonomik-financiar me mallrat, shishe vere dhe pije alkoolike “VIP”, të çdo marke të njohur botërore, të sekuestruara e të kaluara në pronësi të shtetit! Në informacion thuhet, se nëse bëhet verifikimi mallrave që janë futur në depo, e që janë shitur me vlerë tepër të ulët në ankand apo janë groposur si të skaduar, rezulton një batërdi e madhe. Sipas informacionit dhe “ca letrave” që disponojmë, thuhet se gjatë periudhës Janar 2016-Korrik 2017, shteti ka humbur miliona lekë me letra fiktive shitje e asgjësim mallrash që kanë dalë nga depot e rezervave! Janë 550 mijë euro verë dhe pije alkoolike “VIP”, të cilat janë falur, gjoja janë groposur e janë shitur me 10% të çmimit, duke u trajtuar si “të dëmtuara e të skaduara” gjatë transportit për në depo, gjatë ngarkim-shkarkimit apo sistemimit të tyre në magazina! Mjafton të hapen letrat, për të verifikuar se çfarë zullumi është bërë me pijet alkoolike dhe verërat që janë futur e janë bërë dalje nga depot e rezervave në të gjithë drejtoritë rajonale! Madje, ka edhe një fakt: Rezulton sikur banorëve të zonave të bllokuara nga dëbora në zonat veriore, u janë dhuruara pije alkoolike “për t’u nxehur trupin”! Sa për t’i ftilluar memorien e lodhur nga bëmat e shumta me mallrat e shtetit, po i kujtojmë Dashit të Rezervave të Shtetit, dy “sekrete” që janë në dosjet e shitjes së verërave e pijeve direkt nga magazina, por më pas të futura në letrat ankandeve: 

1. Në pikun e vapës së këtij viti, një shtetari i janë shitur (siç ka thënë Dashi) afro 45 mijë euro shishe verë dhe pije alkoolike “VIP”, nga ato që pinë “sheikët”, pa llogaritur ato që iu dhuruan “për respekt” e që u futën tek letrat e dosjes së groposjeve. 

2. Afro 1 vit më parë, një ministër që “ia hëngri kokën” hashashi, ka marrë nga depot e rezervave të Korçës 500 shishe verë që kushton 160 euro shishja në tregun me shumicë, duke ia dhënë me çmim sa vlera e.. 1 “Kartë Identiteti”! Për më tepër ka parapaguar lekët dhe një nga drejtuesit flet lart e poshtë se edhe ato kacidhe nuk m’i dhanë të plota por i pagova nga xhepi.

Në vijim, gazeta “Telegraf” do të publikojë abuzimet e bëra në 56 raste ankandesh e groposjesh me 110 lloje mallrash…, që nga 3000 batanijet dhe krevatet e dimrit për zonat e Korçës, që nga maunat me miell që iu shitën e iu falën si krunde një fabrike mielli, ku thuhet se Dashi është aksionar e për shumë mallrat të tjerë, për të cilat ai vazhdon e përflet si “klient” edhe… kryeministrin!
Sigal