Revoltë nga faturat fiktive, qindra denoncime në prokurori për CEZ-in

596
Sigal

DURRËS/Qytetarët: Faturojnë disa herë më shumë se sa shpenzojmë, favorizojnë biznesmenët

Në zyrat e sportelet e CEZ në Durrës, çdo ditë do të takosh njerëz me fatura në dorë, tek trokasin dhe ankohen për vlerat e financiare të caktuara, për mungesën e energjisë elektrike, për padrejtësi etj. Qysh në orët e para të mëngjesit në zyrat e CEZ shikon, takon dhe dëgjon të ankohen vetëm hallexhinj, banorët e lagjeve të qytetit, Shkozetit dhe plazhit. Ka prej tyre të papunë, pensionistë, kryefamiljarë që jetojnë me asistencë sociale, por nuk takon dhe dëgjon të ankohet qoftë edhe ndonjë biznesmen, apo tregtar. Këta të fundit madje janë të përkëdhelurit e faturistëve, janë të përkëdhelurit e drejtuesve të filialit CEZ.

SHQETËSIMI

E ndërsa një familje ku jetojnë prej vitesh dy pensionistë paguan një faturë prej 35 apo 40 mijë lekësh të vjetra në muaj, kur në banesën e tyre nuk ndizet asgjë me energji, një familje tjetër ku punojnë ditën dhe natën mbi 2 kondicionerë, soba me energji, dushi dhe impiante te tjera, paguan vlera qesharake prej 15 mijë lekë të vjetra. Këto fakte i di edhe stafi filialit, por bëjnë “shurdhin”, “memecin” tek i pyesin qytetarët se “përse ne të papunëve dhe pensionisteve na vjen fatura e kripur, kurse bosëve u vjen fature e ulët”. Drejtuesit e filialit CEZ premtojnë “ndreqjen e parregullsive” por nga burimet e marra edhe nga qytetarët, shpesh edhe faturistët bëhen ortakë me abuzuesit duke  mbushur fiktive. Në të gjitha lagjet e qytetit të Durrësit do të takosh familje që ankohen për faturat e energjisë elektrike, tek të tregojnë faturat me vlera financiare që do të duhet t’i harxhonte vetëm një subjekte tregtar apo një familje e pasur.

DENONCIMET

Në Prokurorinë e Durrësit, janë me qindra denoncime për abuzimet e CEZ,  por duket se organi akuzës mjaftohet me veprime sipërfaqësore ndaj abuzuesve. Qytetarët me të drejtë shprehen të indinjuar se “interesat tona nuk ka kush ti mbrojë, faturat na vijnë të mbushura, faturistët as nuk i shikojnë fare sahatet dhe pastaj thonë se, janë futur në sistem, duhen paguar. Kjo gjë ndodh tek lagjet periferike, por edhe në qendër. Natyrisht një futurist nuk ka se si të mbushë fatura në kundërshtim me ligjin, në qoftë se nuk ka mbështetje diku tjetër. Por shpesh faturistët shprehen se “ne bëjmë çfarë na thonë”. Faturat e mbushura me vlera fiktive, realisht përbëjnë krim ekonomik dhe organi akuzës duhet të nisë ndjekjen penale ndaj çdo personi përgjegjës.