Revoltë në aeroport/ 16 makina policie për të qetësuar shqiptarët

201
Sigal

Një ngjarje e pazakontë u shënua në aeroportin e Hamburgut në Gjermani.

Sipas rrjetit gjerman RTL, të paktën 16 makine policie u dërguan në aeroport për të qetësuar një protestë të pasagjerëve të një avioni që do fluturonte nga Hamburgu drejt Tiranës.

Gjithçka nisi kur u njoftua se fluturimi i datës 4 korrik do shtyhej për një ditë më vonë për shkak se avioni kishte pësuar një defekt teknik.

Ditën tjetër megjithatë, avioni mbërriti shumë vonë nga Tirana dhe autoritetet thanë se ai nuk mund të ngrihej në fluturim për shkak të një vendimi të Autoritetit Kundër Zhurmave.

Për shkak se nuk lejohet fluturimi natën, 250 pasagjerë duhej të prisnin edhe një ditë tjetër.

Këtu nisi protesta e zhurmshme. Pasagjerët ishin të revoltuar pasi u skadonin edhe rezultatet e testeve anti-Covid.

Autoritetet e sigurisë së aeroportit nuk e përmbanin dot turmën, ndaj në vendin e ngjarjes mbërritën 16 makina policie.

Vetëm pas shumë negociatash, avioni u nis në fluturim në orët e para të mëngjesit të 6 korrikut.

Ngjarja në fjalë ka ndezur një debat në parlamentin vendor, për shkak të cenimit të sigurisë në aeroport, por edhe për të vënë në diskutim ndalimin e fluturimit natën.