Sigal

Reshjet e borës që ranë gjatë natës së fundit të shoqëruara me uljen e temperaturave nën zero, kanë krijuar vështirësi serioze në disa segmente të rrugëve të fshatrave malorë të bashkive të Përrenjasit, Librazhdit, Elbasanit dhe Gramshit në Qarkun e Elbasanit.

Sipas burimeve zyrtare nga Emergjencat Civile aktualisht segmenti më problematik në rrethin e Librazhdit është Shkalla e Lunikut-Steblevë, që lidh qytetin e Librazhdit me Peshkopinë ku kalimi i mjeteve është i mundur vetëm me zinxhirë për shkak të mbizotërimit të akullit mbi trasenë e rrugës. Vështirësi të kësaj natyre ka pothuajse në të gjitha rrugët rurale.

Ndërkohë raportohet se janë marrë të gjitha masat nga ana e firmave kontraktore që mirëmbajnë rrugët nacionale në Qarkun e Elbasanit si dhe nga ndërmarrjet përkatëse në secilën bashki.