“Republika e pavarur” e bizneseve në “Qytetin Studenti”

813
“Qyteti Studenti” është kthyer në një zonë, ku shumë biznese private po lulëzojnë dita-ditës. Këto biznese janë të pranishme në çdo metër katror të kësaj qendre studentore, hapësira të cilat janë privatizuar nga lokale, dyqane, mensa, qendra interneti, furra buke, etj. Në këtë territor, ndërtimet e paligjshme private zënë më shumë se 25% të sipërfaqes totale të vendit. E gjithë kjo zonë, është një qytet më vete, ku biznesi “në të zezë” lulëzon lirshëm, pa u prekur nga askush. Zonë, ku dhjetëra mensa, të cilat janë vënë në dispozicion të studentëve, janë private, ku me dhjetëra lokale, lloto, qendra interneti, ushtrojnë aktivitetin e tyre të pa prekur apo paralajmëruar nga askush, aktivitet ky i fundit në informalitet të plotë nga pronarë, të cilët nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga grupet e ngritura të punës për inspektimin në terren, për luftën kundër informalitetit. Të gjitha këto biznese, të vogla dhe të mëdha, ushtrojnë prej vitesh aktivitetin e tyre, duke përfituara shifra të majme të derdhura nga studentët, çdo vit shkollor. Biznese, të cilat kanë zaptuar hapësira të tëra, të cilat i përkasin “Qytetit Studenti”, hapësira të cilat u janë mohuar studentëve, duke i konsideruar këta të fundit, thjesht si burime fitimi…. 
Bizneset private në “Qytetin Studenti”, të paprekur nga lufta kundër informalitetit
Asnjë ndërhyrje nga grupet e punës të ngritura në terren, nuk kanë shkelur në zonën e “Qytetit Studenti” për të ushtruar kontrollin mbi bizneset private, të cilat kanë pushtuar hapësirat, të cilat me ligj i përkasin “Qytetit Studenti”. Qindra biznese private, kanë zaptuar më shumë se 25% të këtij territori. Shumica e bizneseve private, që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë të kryeqytetit, nuk paguajnë asnjë nga detyrimet ndaj shtetit, madje as ndaj drejtuesve të “Qytetit Studenti”, në lidhje me pagesën e qirave, për 25% të hapësirave të “pushtuara” nga privati. Asnjë nga këto biznese private nuk ka frikë nga lufta kundër informalitit, duke mos zbatuar asnjë nga rregullat e vendosura nga qeveria shqiptare, në lidhje me regjistrimin e biznesit, pajisjen me kasë fiskale dhe prerjen e të gjithë kuponëve tatimorë. Mungesa e prerjes së kuponëve, është një problem, që vazhdon me të njëjtin ritëm në bizneset private të “Qytetit Studenti”. Shumë dyqane, lokale, mensa, qendra interneti, lloto etj, vazhdojnë të mos zbatojnë asnjë nga rregullat/ligjet e vendosura nga qeveria… Edhe pse në deklaratën e kryeministrit thuhej, se ky aksion do shtrihej në çdo lagje të kryeqytetit dhe vendit, duket se grupet e punës nuk po respektojnë këtë udhëzim, duke lënë bizneset në këtë pjesë të kryeqytetit të lulëzojnë lirshëm së bashku me informalitetin. Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, ky nuk do të jetë qyteti i studentëve, pasi nuk do t’u shërbejë atyre, por interesave të bizneseve klienteliste private, të cilat kanë zaptuar një pjesë të konsiderueshme të këtij territori, për ta përdorur për fitime, fitime të majme, nga të cilët shteti shqiptar nuk përfiton asgjë. 
Sigal