Republika e Divjakës

486
Sigal

Ajo ç’ka ngjau në Divjakë mbetet pa dyshimin më të vogël dyshim, një ngjarje e  rëndë dhe e shëmtuar e ndodhur në 20 vitet e  fundit në Shqipëri. Ngjarja në Divjakë për shumicën e shqiptarëve, ka mbetur në mendje si ndodhia që u tregoi atyre se, “Divjakë” mund të ketë edhe në Belësh të Elbasanit, në  Ishëm të Durrësit apo Shkodër, Korçë, Vlorë, Skrapar, Berat etj. Çdo ditë të gjitha shtresat e shoqërisë, në çdo bisedë si kryefjalë kanë Divjakën, avionin, drogën, akuzat e politikanëve. Më tepër se rrëzimi i avionit dhe thyerja e rrotës, e keqja më e madhe mbetet se tek ne prej 20 vitesh mungon zbatimi i ligjit, zbatimi i rregulloreve, zbatimi i masave të rrepta administrative ndaj shkelësve të ligjit dhe stimulimi i tyre përmes aferave  korruptive dhe mafioze. Divjaka dhe historia e saj, më tepër se çdo gjë tjetër tregoi se shteti është zhbiriluar, shteti duhet të nisë dhe të funksionojë si një makinë e vetme duke ndëshkuar pazarexhinjtë e kamur me paratë e pista. Divjaka zbuloi skandalet e Ministrisë së Mbrojtjes, Brendshme , Forcave tona ajrore (në qoftë se kemi të tilla), zbuloi shkeljet në sigurimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, zbuloi mungesën e reformave. Tashmë shqiptarët me të drejtë  janë në dilemë dhe dyshojnë se, “jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo Republikën e Divjakës”. Droga, avioni, trafikantët, akuzat me fjalë fyese, janë sponto nga ku nisin bisedat dhe  fjalimet e politikanëve, ministrave, deputetëve, apo edhe militantëve të partive. Shqipëria nga ky kaos politik, institucional, mediatik e ligjor, ka gjasa që të humbasë shansin edhe në muajin Qershor për të marrë ftesën nga BE për t’ u bërë kandidate dinjitoze. Kjo për faktin se, në 277 ditë të qeverisjes socialiste, Shqipëria ka ecur kuturu, e pa mbështetur në doktrina dhe parime të drejtimit ligjor të vendit, duke shkelur direkt ose indirekt parime të rëndësishme të konventave europiane. Në Shqipëri, në  277 ditë të qeverisjes socialiste, janë zbatuar në administratë jo ligjet kushtetuese, por statute kanunore, ku inatet politike dhe mllefet klanore kanë flakur në rrugë qindra e mijëra specialistë. Gjithmonë e më shpesh po konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut në  rrugë, parlament, institucione, etj. Politika mbetet klasa më e akuzuar jo vetëm nga opinion i brendshëm publik, por edhe  nga ai ndërkombëtar. Divjaka tregoi se, sa larg është  ky shtet nga zbatimi i ligjit, sa larg  janë institucionet nga ndërgjegjësimi moral dhe kushtetues, sa larg janë politikanët tanë nga modeli që shohim çdo ditë ne me ata të vendeve të BE, sa larg janë ata nga institucionalizimi i dorëheqjes, pasi e shohin atë si të keqen  më të madhe. Në Australi për një shishe verë që e pranoi si dhuratë, kryeministri i vendit dha dorëheqjen, në Çeki pse ra një urë diku në një qytet të vogël, ministri Transportit dha dorëheqjen. Rastet nuk kanë të mbaruara, po ashtu edhe habia dhe reagimi ynë, që shpesh themi, “si nuk kemi edhe ne qeveritarë të tillë të  dorëhiqen kaq lehtësisht dhe denjësisht”. Tek ne shpesh në situata tragjike, askush nuk ka pranuar dhe deklaruar dorëheqjen, askush nuk ka pranuar të jetë fajtori, askush nuk ka dalë publikisht dhe të pranojë se është i paaftë. Divjaka duhej të kishte detyruar e pakta moralisht, të kishte  kryer dorëheqje dy prej ministrave veç ndonjë zyrtari të rangut të dytë. Por kjo gjë nuk u bë dhe nuk do të bëhet edhe në të ardhmen, sikur të ndodhë edhe kataklizmoja. Pasi thellë në qenien e tyre politikanët dhe qeveritarët tanë janë nga pak “gërdecas”, “divjakas”, “lazaratas”, apo edhe diçka tjetër, por kurrë europianistë të qytetëruar. Kjo i ka bërë ata të pajtohen me të keqen dhe mënyra më e mirë për të mbijetuar është lufta mes tyre, inskenimet, akuzat, përbaltja dhe pastaj paqja pas kuintave. Qëllimi i vetëm sërish është mbijetesa, pavarësisht se ajo bëhet mbi viktima, mbi gërmadha, mbi fatet e shqiptarëve dhe të këtij vendi. Ndoshta me vonesë, por tashmë shqiptarët e kanë kuptuar se shumica e tyre jeton si në “Republikën e Divjakës”, një zonë që  ndoshta  rastësisht veç  mushkonjave këtej e tutje do të ketë si “resurs” të saj edhe  avionin me pilot italian.