Regjimet totalitare që përjetuam, përfaqësojnë botën e egërsirave ku edhe Zoti ishte tërhequr

Analizë nga Prof. Gjergj Sinani / Regjimet totalitare përfaqësojnë botën e jo-lirisë, të mos-zbutjes, botën e ndrydhur ku edhe Zoti ekzekutohej me plumb ose varej në litarë. Kushti njerëzor dhe liria nuk mund të mendohen pa frymën kundërshtuese të filozofisë ndaj çdo autoriteti, sepse pa filozofi nuk do të kishte një shoqëri të drejtë dhe të denjë. Para 88 vitesh Europa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në barbaria e mungesës së arsyes dhe “kaosi i unit shoqëror”. Sot “është një fatkeqësi e kohës që të marrët drejtojnë të verbërit”.

-Ne shpresuam se në demokraci do të dilnim nga barbaria e arsyes për të ngjallur shpirtin kritik, siç e kërkon filozofia, por ramë në një barbari të re të opinionit

Sigal

– Regjimet totalitare përfaqësojnë botën e jo-lirisë, të mos-zbutjes, botën e ndrydhur ku edhe Zoti mbetet i tërhequr

– Kushti njerëzor dhe liria nuk mund të mendohen pa frymën kundërshtuese të filozofisë ndaj çdo autoriteti.

Pa filozofi nuk ka një shoqëri të drejtë dhe të denjë sepse ajo përbën themelin e patundshëm

Para do vitesh Europa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në një barbari më shumë, siç ishte barbaria e arsyes.

-Në vend që të dilnim nga apatia mendore, ne ende nuk po dalin nga “kaosi i unit shoqëror”.

Është një fatkeqësi e kohës që të marrët drejtojnë të verbërit

Uilliam Shekspir: “Mbreti Lir”

Që Europa të mos binte në një “urrejtje shpirtërore dhe barbari”, Hyserli, kërkoi një “rilindje të Europës duke nisur nga shpirti i filozofisë”, sepse “Filozofia, duke u shpalosur në format e kërkimit dhe të kulturës prodhon një pasojë të dyfishtë shpirtërore. Nga njera anë, më thelbësorja në qëndrimin teoritik të njeriut filozofik është vetë universaliteti i sjelljes kritike, e cila vendos që të mos pranojë pa pyetje asnjë opinion të dhënë që më parë, asnjë traditë dhe të shtrojë sa më parë, kundrejt universiumit tradicional të dhënë që më parë, pyetjen mbi të vërtetën në vetvete, e cila është një idealitet”. Këto rreshta ai i shkroi në vitin 1936 dhe pas tre vitesh Europa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në një barbari më shumë, siç ishte barbaria e arsyes. Ne shpresuam se në demokraci do të dilnim nga barbaria e arsyes për të ngjallur shpirtin kritik, siç e kërkon filozofia, por ramë në një barbari të re të opinionit. Në vend që të dilnim nga apatia mendore, ne ende nuk po dalim nga “kaosi i unit shoqëror”, siç shprehej dikur Niçja. Shkurt, ka ardhur koha që të vendosim rregull në unin tonë shoqëror, me qëllim që të mos mbetemi viktima të mediokritetit dhe sharlatanizmit. Të gjitha kombet e qytetëruara e kanë filluar zhvillimin përmes një ripërtëritje shpirtërore. Ne po jetojmë në kohën e vdekjes së ideve të mëdha dhe ku shqetësimi kryesor i njerëzve është puna, kënaqësitë dhe si të kalohet koha e lirë. Por, me çështjen e kënaqësive shtrohet edhe problemi i masës, ose përkorjes, në kuptimin Aristotelian të termit: “Masa është virtyti që përbën të mesmen e drejtë në raport me kënaqësitë”. Kënaqësia që bën fjalë Aristoteli janë kënaqësitë e trupit dhe të shqisave. Dhe në fakt, për çfarë shqetësohen njerëzit në ditët tona; a kanë ngrënë shumë ushqim, dhjamë, mish apo produkte qumështi? A kanë bërë mjaftueshëm sport? A kanë pirë shumë alkool? A duhet ta ndërpresin duhanin? Madje edhe jeta seksuale konsiderohet nga pikëpamja higjenike, domethënë a kanë një jetë seksuale aktive? Këto probleme, që lidhen me konsumin, konsiderohen si thelbësore, por në fakt, kjo është një shenjë e dekadencës mendore. Po për lartësimin shpirtëror të njeriut, a flet dikush? Në këtë kuptim situata e filozofisë është mjaft delikate dhe në gjendje kritike, ndërkohë që Hyserli thoshte se një qytetërim i denjë nuk mund të kuptohet pa filozofinë dhe profesionin e filozofit. Këtë gjendje e vështirëson edhe mendimi i zakonshëm që thotë se përse na duhet filozofia kur kemi shkencat?

Në fakt themeli i filozofisë nuk ka nevojë që të kërkohet shumë larg.

Ai është këtu dhe në një origjinalitet të freskët. Ai ndodhet në faktin më të thjeshtë që Sokrati dhe Dekarti e kanë shprehur sipas mënyrës së tyre, kur i pari tha: “Njih vetveten” dhe, i dyti: “Unë mendoj, pra unë jam”. Ky themel ndodhet në ekzistencën e pakundërshtueshme të atij fakti që Shën Pali e quante, në mënyrë të admirueshme, njeriu i brendshëm, njeriu shpirtëror që i kundërvihet njeriut mishtor dhe të jashtëm: “Kush do të më bëjë të lirë nga ligji i skllavërisë dhe mëkatit?”- pyeste ai. Kush do të mund ta mohonte se çdo njeri ekzsiton për vetveten me një titull tjetër nga njerëzit e tjerë dhe se ai nuk i njeh të tjerët në të njejtën mënyrë siç njeh vetveten? Njohja e vetvetes, ose e sensit intim, është një fakt pa analogji me asgjë nga ato që studiojnë shkencat e tjera. Deri në çfarë pike do të jetë e mundur që të depërtohet shkencërisht dhe metodikisht në këtë botë shpirtërore që i kundërvihet botës së sendeve, edhe pse e lidhur ngushtmërisht me të? Kjo është një çështje tjetër. Por, që ka një njeri të brendshëm, një njeri shpirtëror, që nuk mund ta shfaqë vetveten si diçka të jashtme, kjo është një e vërtetë shumë e qartë, pasi në qoftë se kjo mohohet, atëherë duhet pranuar se shkencat janë bërë nga një shpirt që nuk e njeh vetveten, domethënë nga një automat, pra do të ishin operacione mekanike. Përkundrazi, siç edhe duhet pranuar, për të shpëtuar dinjitetin e tyre, në qoftë se ata që e bëjnë shkencën e dinë që i bëjnë ato, atëherë ato ekzistojnë për atë vetë me titullin e subjektit që mendon. Këtu shikojmë edhe njëherë themelin e patundshëm të filozofisë. Të gjitha idetë që janë përpjekur që ta trajtojnë njeriun si një send kanë qenë me pasoja katastrofike për lirinë njerëzore. Edhe psikologjia, nuk niset nga hipoteza e një njerëzimi kudo homogjen, pasi ajo niset nga një fakt, se njeriu është prezent për vetveten përmes mendimit. Në qoftë se në të gjitha kohët dhe vendet psikologët, që nuk kanë komunikuar me njeri tjetrin, kanë pranuar të njejtat fakte thelbësore, nga kjo pikëpamje mund të thuhet se njerëzimi është homogjen. Lexoni Konfucin, legjendat budiste, ligjet Manu, dialogët e Sokratit, të gjitha shkrimet e filozofëve dhe kudo ju do të gjeni dallimin ndërmjet mendimit dhe shqisave, arsyes dhe pasioneve, të vullnetit nga instikti, të kujtesës nga parashikimi. Pra, linjat thelbësore të njerëzimit janë kudo njëlloj.

Ndryshimet janë rastësore.

Nga një pikëpamje e përgjithshme edhe idetë mbi bukurinë, dallimi i një hunde me kurriz nga një hundë si shqiponjë, për shembull,është i konsiderueshëm, por për një anatomist, ky dallim nuk ka kurrfarë rëndësie. Na thuhet dhe përsëritet shpesh se filozofia është një shkencë e palëvizshme dhe pa të ardhme dhe se nuk ka bërë asnjë progres që nga koha e Platonit dhe Aristotelit. Për t’ju përgjigjur siç duhet kësaj akuze duhet bërë një tabllo e tërë historisë së filozofisë, por po kufizohem në disa pika. Për shembull, në psikologji, linjat e mëdha mbi natyrën njerëzore janë përmendur nga Platoni dhe Aristoteli, por mund të flasim për një progres të konsiderueshëm në disa drejtime: 1. Analiza dhe teoria e ndjenjave dhe prirjeve; 2. Teoria e shenjave dhe marrëdhëniet e tyre me mendimin; 3. Teoria e vullnetit të lirë; 4. Teoria e marrëdhënieve të moralit dhe fizikës. Nga këto katër teori, e para i përket shkollës skoceze, e dyta shkollës së Kondijakut, e treta dhe e katërta Maine de Biran dhe Cabanis. Po kështu në logjikë, është pranuar se logjika deduktive u krijua nga Aristoteli, ndërkaq modernët, duke filluar nga Hamilton, kanë bërë një progres të rëndësishëm dhe punimet e Hegelit kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e filozofëve. Por, 1. Pavarësisht se çfarë thonë adhuruesit e Aristotelit, logjika induktive është krejt moderne dhe daton me Beikonin. Kjo logjikë përbën lavdinë e Anglisë dhe të Skocisë, duke shtuar këtu edhe punimet origjinale të Millit, pa folur sot për logjikën e Frege dhe logjikën simbolike. 2. Teoria e gabimeve, e skicuar nga Beikoni, është vepër e Malbranshit dhe sot ka një progres të jashtzakonshëm në gjykimet probable. 3. Teoria e dëshmisë dhe metoda historike është vepër e kohëve moderne dhe i përket gjithë botës. Edhe në moral, pavarësisht veprave të antikëve, kemi një progres që mund të shprehet në disa drejtime: 1. Teoria e ndjenjave morale, vepër e admirueshme e Hutcheson, Smith, Fergusson dhe Jacobi dhe tërë shkolla sentimentale e shek. XVIII; 2. Teoria e detyrimit moral, e përpunuar nga Kanti me një qartësi të pakrahasueshme, që shekujt e mëparshëm nuk kishin guxuar ta preknin: 3. Teoria e të drejtës si rezultat i punimeve të Grotius, Montesquieu, Rousseau dhe Kant dhe që përbën parimin e madh të politikës moderne, pa përmendur këtu kontributin e Kirkegardit, Shelerit, Levinasit dhe tërë shkollës ekzistencialiste; 4. Përsa i takon estetikës, mund të thuhet se është një shkencë krejt moderne. Pa dyshim, në antikitet, Platoni, Aristoteli dhe sidomos Plotini kanë patur ide të admirueshme, por pikëpamjet e tyre ishin pa ndikim deri në shek. XVIII. Themeluesit e vërtetë të estetikës shkencore dolën në Gjermani me Kantin, Hegelin dhe në Francë me Cousin dhe Jouffroy. Prandaj, dhe filozofia nuk mbaron me asnjë filozof sado i madh që të ketë qenë ai. Kushti njerëzor dhe liria nuk mund të mendohen pa frymën kundërshtuese të filozofisë ndaj çdo autoriteti. Jo rastësisht Prometeu mbahet si filozof, pasi i pari u ngrit kundër fatit. Prandaj, Hesiodi na e paraqet Prometeun duke i dhënë këtë këshillë Epimetheut :

Prometeu : Cila është lumturia më e mëdhe në sytë e njerëzve ?

Epimetheu : Një grua dhe shumë para. Dhe Prometeu që i thotë : Kujdes nga dhuratat e Zeusit olimpik, refuzoi ato. Kështu, Prometeu i thotë të vëllait që t’i refuzojë dhuratat e Zeusit, domethënë të fatit, përmes një ndërgjegjësimi filozofik dhe kundërshtues, përmes së cilës njeriu çlirohet nga gjithçka, që nuk është fryt i aktivitetit të tij, që edhe pse i lodhshëm është shumë më i lartë dhe fisnik, pasi mban gjurmën e përgjegjësisë së tij. Motivi i kundërshtimit prometean do të rimerret nga Sartri te Mizat, ku Oresti pohon para zotit lirinë e vet dhe i kundërshton pushtetin. Tërë filozofia perëndimore është dominuar nga shpirti i protestës dhe revolta e Prometeut na përball gjithmonë me problemin e formimit të njeriut nga vetvetja, me kundërshtimin e gjithçkaje që e tjetërson. Revolta e Prometeut karakterizon mendimin modern. Prometeu bëhet simbol i individit të pavarur dhe të lirë dhe që e konsideron ekzistencën e tij si një fillim radikalisht të ri dhe unik. Mesa duket kjo ishte arsyeja pse Kamy e bëri Prometeun si përfaqësuesin më të mirë të ekzistencës njerëzore, si një përpjekje e vazhdueshme drejt lirisë dhe të qenit vetvetja dhe revoltën, një imperativ të ekzistencës njerëzore. « E keqja që provon një njeri i vetëm bëhet murajë kolektive, shkruante Kamy te Njeriu i revoltuar. “Në provën e përditshme, që është jona, revolta luan të njejtin rol si “cogito” në rendin e mendimit: ajo është dëshmia e parë. Por, kjo dëshmi e nxjerr njeriun nga vetmia e tij. Ai është vendi i përbashkët, që vendos mbi të gjithë njerëzit vlerën e parë. Unë revoltohem, prandaj ne jemi”. Dhe pas një reflektimi të gjatë filozofik mbi revoltën metafizike dhe si është projektuar ajo në revoltën historike, lidhur me pasojat tragjike të dy revolucioneve të mëdha, ai francez dhe ai rus, ku përmes thirrjeve për një botë të re dhe njeri të ri u justifikuan mizoritë më të mëdha, ai do të preçizojë: «« Unë revoltohem prandaj ne jemi », ose « Jemi vetëm ne » i revoltës metafizike », revolta në lidhje me historinë shton se në vend që të vritet dhe të vdesësh për të prodhuar qenien që ne nuk jemi, ne duhet të jetojmë dhe të bëjmë që të jetohet për të krijuar atë që ne jemi ». Këto fjalë të Kamysë duhet të na bëjnë që të reflektojmë në mënyrë filozofike të kaluarën tonë totalitare, kur nën joshjen e ideve për një botë të re dhe një njeri të ri, turmat bërtisnin « Rroftë !» për liderin e madh dhe « Poshtë !», për heronjtë e mendimit pa shprehur asnjë shenjë vuajtje për tjetrin.

Regjimet totalitare që përjetuam, përfaqësojnë botën e jo-lirisë, të moszbutjes, botën e ndrydhur ku edhe Zoti ishte tërhequr.

Përballë autoritetit të tyre arbitrar, meskin dhe të padrejtë, e vetmja rrugë shpëtimi ishte të ndiqje ligjin tënd individual, të refuzoje nënshtrimin dhe të kapërxeheshin barrierat ndaluese. Kur sistemet e refuzojnë lirinë, atëherë vijnë periudhat e katastrofave. Ndoshta, Niçja e kishte parashikuar këtë kohë kur shkruante : « Utopia », « njeriu ideal », hujnizimi i natyrës, vaniteti i vënies në skenë të vetë personit tënd, varësia ndaj propagandës sociale, sharlatanizmi – kjo është ajo që na dha shekulli i XIX ». Niçja parashikoi jo vetëm sharlatanizmin, por edhe kameleonizmin e njeriut modern. Sikur Niçja ta shikonte se çfarë forma ka marrë kameleonizmi në shoqërinë tonë post-totalitare, ndoshta do të mbyllej vetë në çmendinë. Sipas tij, ata që hiqen si interesantë futen në kategorinë e kameleonëve, pasi « ata nuk janë në kontradiktë me vetveten, ata janë të lumtur dhe të sigurtë, por ata nuk kanë aspak zhvillim, gjendjet e tyre shpirtërore ndodhen njera pranë tjetrës, megjithëse të ndara shtatë herë. Ata ndryshojnë, ata nuk evolojnë drejtë një të bëri ». Në kohë tranzicionesh kategoria e kameleonëve, që fliste Niçja shtohen. Prandaj reflektimi ndaj të kaluarës ka rëndësi themelore në kuptimin e shpirtit të kohës, sepse, siç shkruante mendimtari gjerman Troelsh, « Të analizosh dhe të kapësh atë që përbën esencën shpirtërore të një epoke, ja detyra për të cilën konkurojnë historiani, përmes investigimit kritik të fakteve, dhe filozofi, përmes imagjinatës së tij teorike – detyrë përmes së cilës historiani bëhet filozof dhe filozofi historian. Historiani gjen aty fundin dhe arritjen e një kërkimi se si formohen konfigurimet e mëdha historike; filozofi gjen më shumë bazën dhe presupozimet që i mundësojnë për të krijuar normat dhe gjykimet vlerore, me ndihmën e të cilave i duhet të vlerësojë në mënyrë të përhershme realizimet e një epoke». Kjo detyrë na imponohet edhe ne tani për të kuptuar shpirtin e kohës sonë.