Reagon Akademia e Shkencave/ Martin Camaj, një nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë

392
Sigal

Akademia e Shkencave ka reaguar në lidhje me debatin e fundit që ka nisur në opinionin publik letrar dhe jo vetëm në lidhje me shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Një shkrim i Auron Tares ku aludon se shkrimtarët në fjalë kanë qënë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja ka inicuar diskutimet. Kujtojmë se Martin Camaj është një nga shkrimtarët shqiptar me kontribut të gjerë letrar në mërgim. Ai jetoi kryesisht në Gjermani gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën diktaturën komuniste. Nëpërmjet një postimi në Facebook në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave, institucioni në fjalë duket se tenton ti shuajë këto debate për Martin Camajn, ndërsa për hesht për Koliqin. Akademia shprehet se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet. Akademi e Shkencave në postimin e saj citon edhe shkrimtarin Ismail Kadare për kontributin letrar dhe kulturor të Martin Camajt: Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë

Postimi i plotë i Akademisë së Shkencave:

Martin Camaj – një nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë

Tiranë, më 9 korrik 2020

Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare.

Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet.

Krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor.

Në këtë optikë përgjegjësie institucionale, Akademia e Shkencave e ka shprehur qendrimin e vet ndaj vendit që kanë në historinë e letërsisë këta personalitete përmes kërkimeve cilësore në formën e monografive, artikujve shkencorë dhe botimeve enciklopedike të shumë anëtarëve të saj, që qendrojnë mbi përditshmërinë e debateve mediatike.

Akademia rikonfirmon vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur zgjedh të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare:

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.