Rasti “Shkëlzen Selimi”, si u kthye KPA nga gjykatë në shtojcë të KPK

723
Sigal

Një procedurë “rutinore” për ndreqje gabimesh materiale në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit zbulon se ky institucion, jo vetëm që mbështet të gjithë rastet e shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve nga Komisoni i Pavarur i Kualifikimit, por edhe arsyetimit i merr “copy-paste” nga shkalla më e ulët.

Të premten, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvillon një seancë në dhomë këshillimi për të ndrequr disa gabime materiale në vendimin nr.3 të vitit 2019, nëpërmjet të cilit u la në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Kjo seancë, e cila ndryshe nga të tjerat e zhvilluara nga KPA, është thirrur në kushtet e mungesës totale të transparencës, pritet të korrigjojë një seri gabimesh materiale, kryesisht në renditjen e referencave ligjore.

“Korrigjimi i gabimeve materiale” është një proces rutinor në procedurën civile, administrative dhe penale. Ligjvënësi e ka parashikuar një dispozitë të posaçme për këtë çështje, me qëllimin që të saktësohen gabimet gjatë zbardhjes së vendimeve gjyqësore.

Por, në rastin konkret, “gabimet materiale” dëshmojnë se Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk është angazhuar thuajse fare për të analizuar shkaqet e ankimit të gjyqtarit Shkëlzen Selimi.

Ky fakt konstatohet nga krahasimi ndërmjet vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Të dy institucionet e Vetingut, në vendimet përkatëse për shkarkimin e gjyqtarit Selimi, kanë bërë të njëjtat gabime materiale.

Pra, të njëjtat dispozita që ka ngatërruar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjenden edhe në vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Është thuajse e pamundur që gabimet materiale të treshes së KPK të përputhen në mënyrë thuajse identike me trupën prej pesë gjyqtarësh të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Variani më i besueshëm, që shpjegon atë që ka ndodhur në rastin e gjyqtarit Selimi, është ai që Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shërbyer si “noter” i vendimit të shkarkimit të shkallës së parë.

Ky variant dëshmon, gjithashtu, edhe një mos-koordinim ndërmjet stafeve të institucionit të Vetingut. Shkalla e parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka konstatuar gabimet materiale në vendimin e shkarkimit të Selimit pak pasi ky i fundit kishte bërë ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ndërkohë, KPA, e cila ka marrë vetëm variantin e parë, me gabime materiale të vendimit të KPK, i është referuar atij për të “analizuar” vendimin e saj për shkarkimin përfundimtar të Shkëlzen Selimit.

Pra, ndërkohë që KPK i kishte korrigjuar gabimet, KPA, duke mos u angazhuar aspak në analizën e saj, i është referuar variantit të parë të shkallës së parë të Vetingut. Shkalla e dytë e Vetingut ka marrë “copy-paste” vendimin e KPK dhe, thjesht, i ka vënë vulën përfundimtare.

Por, siç duket, edhe KPA është “ftilluar” për gabimet materiale dhe tashmë ka vendosur që të zhvillojë një seancë, larg vëmendjes së publikut, me shumë mundësi, për të fshehur paaftësinë dhe mënyrën okulte të veprimtarisë së tyre.

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, u shkarkua në Korrik 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjyqësore e KPK konstatoi, sipas vendimit të saj, lidhje të papërshtatshme të gjyqtarit Selimi me elementë të krimit të organizuar.

Në fakt, nga provat e administruara dhe faktet e bëra publike, rezulton që \personat të konsideruar “kontakte të papërshtatshëm” nuk janë të hetuar e aq më tepër të dënuar për veprimtari që lidhen me krimin e organizuar.

Seanca dëgjimore e Shkëlzen Selimit para Komisionit të Vetingut u parapri nga një fushatë denigruese dhe shantazhuese e televizionit pro-qeveritar “Top Channel”. Një seri kronikash televizive, të shoqëruara me aludime denigruese ndaj gjyqtarit Selimi duket se kanë ndikuar në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtari Selimi, në ankimin për vendimin e shkarkimit, ndër të tjera, e ka përmendur faktin se procesi ndaj tij është paragjykuar, pasi trupa e KPK është vënë në shërbim të pronares së televizionit Top Channel, për shkak të një interesi privat të biznesmenes.

Pavarësisht argumentave të paraqitur në ankimin drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ky institucion i rrëzoi të gjitha, duke lënë në fuqi vendimin e shkarkimit, të marrë më parë nga KPK për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.