Rastet në spitale janë rritur.Koronavirusi ‘shkon’ edhe në Korçë

322
Sigal

Edhe 13 raste të reja janë regjistruar me koronavirus në vendin tonë, duke e çuar numrin e të prekurve në 89, ku pjesa më e madhe është në Tiranë.

Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se tre prej rasteve të reja janë nga Korça.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 33 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19: – 8 qytetarë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe  3 qytetarë nga Korça. Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 89 raste”, tha Albana Fico, drejtoresha e ISHP-së.

Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.

Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë.

4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.

Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.