Raporti i koncesioneve: Gjatë vitit 2019 u zhvilluan 6 procedura, kontratat nga portet tek shkollat

335
Sigal

Agjencia e Prokurimit Publik bëri me dije se në vitin 2019 u bënë të paktën gjashtë njoftime për procedura prokurimi me objekt koncesione të ndryshme por vetëm 5 prej tyre rezultojnë me njoftime fituesish.

“Nga totali prej 6 njoftimeve të kontratave të shpallura për t’u zhvilluar në 2019, rezulton se: në 3 raste është kryer shpallja e fituesve të procedurave koncesionare/PPP brenda vitit 2019. Në dy raste procedurat e shpallura jane në proces shqyrtimi dhe vlerësimi të ofertave për shpalljen e fituesit. Në 1(një) rast procedura e publikuar në vitin 2019 është anulluar” thuhet në dokumentin e APP.

I njëjti nënvizon se nga totali prej 5 (pesë) njoftimeve fituesi të shpallura gjatë 2019, rezulton se: në tre raste është kryer shpallja e fituesve të procedurave koncesionare/PPP brenda vitit 2019 ndërsa në dy raste janë shpallur fitues nga procedurat koncesionare/PPP të publikuara në vitin 2018.

Por cilat janë disa nga koncesionet që janë dhënë përmes sistemit të prokurimit vitin e shkuar. Edhe pse raporti i APP nuk i specifikon vitin e shkuar kishte procedura nga më të ndryshmet që nisnin nga koncesioni i kolaudimit të pompave të karburanteve tek dhënia me koncesion e porteve.

Procedura e koncesionit të porteve ishte ndër më të fundit dhe përfshin dhënien e Portit të Limionit në Sarandë që është një port ekzistues kurse porti i dytë ai i Rodonit që është një projekt për një port jahtesh në këtë zonë. Të dy portet u dhanë për një afat 35 vjet dhe kompania fituese e të parit parashikon të investojë të paktën 10.5 milionë euro kurse në portin e jahteve në Rodon kompania fituese parashikonte 883 milionë lekë.

Koncesioni tjetër ku shpallja e kontratës u bë në dhjetor 2018 por nënshkrimi i kontratës për fituesin u bë në mars 2019 është ai për Aeroportin e Kukësit ku kompania Bami shpk dhe Global Technical Mechanics sh.p.k u angazhuan për një investim 8 milionë euro në projekt.

Një tjetër koncesion i njoftuar në vitin 2019 dhe me fitues të shpallur në nëntor të vitit të shkuar ishte ai për ndërtimin e katër shkollave me një vlerë 17 milionë euro dhe fitues ishin bashkimi i gjashtë kompanive.