Rama paralajmëron arrestime në Bashkinë e Lushnjës: Jepni leje të paligjshme për karburante, kur vjen puna te pastrimi nuk veproni

173
Sigal

Në mbledhjen e sotme me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama nuk është treguar i kursyer në kritika lidhur me pastrimin e qyteteve, ndërsa në veçanti u ndal në bashkinë e Lushnjës ku paralajmëroi edhe për arrestime.

Rama tha se jepen leje të paligjshme për ndërtimin e karburanteve në rrugët kombëtare, por për pastrimin e këtyre rrugëve nuk kujdeset askush. Ai iu referua rastit të ndërtimit të një karburanti që u shemb nga IKMT një ditë më parë në Lushnjë, për të cilin paralajmëroi se do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që firmosën lejen e tij.

“Panorama është e qartë, asgjë e re nuk u tha në kuptimin që nuk ka shqiptarë që nuk ngacmohet nga këto pamje, të cilave duhet t’u japim fund me sezbën. Nëse kthejmë kokën pas, ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, por populli nuk pyet si ke qenë dje, por si je sot dhe sot situata është në udhëkryq dhe duhet të dalim tani, jo pas disa vitesh. Duhet vetëm qartësi dhe vullnet. Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonë rurale.

Për fat të keq kemi në Shqipëri një numër të papranueshëm venddepozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminal enë raport me mjedisin dhe në shkelje të detyrimeve ligjore që çdo ditë përdoren nga ju. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, kemi rrugët kombëtare që janë problem më vete, për të dhënë leje të paligjshme për karburante hyni edhe te rrugët kombëtare, kur vjen puna te pastrimi as nuk hyni në rrugën kombëtare dhe as jua kërkon kush.

Për atë karburantin e prishur dje, do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës. Bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje për asgjë në rrugët kombëtare.”- tha Rama.