Rama dhe Manastirliu spekuluan me ‘studimin e ISHP’ për sterilizimin

51

Pas akuzave të ngritura nga SPAK, Rama dhe Manastirliu e morën në mbrojtje koncesionin e sterilizimit me argumentin se kishte ulur ditët e qëndrimit të pacientëve në spital sipas një studimi – që ISHP thotë se nuk vlerëson zbatimin e kontratës në fjalë.

Sigal

Vetëm pak ditë pas arrestimeve të SPAK për kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja në atë kohë e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shfaqën në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë për ta quajtur atë ‘një sukses’.

Në korridorin e spitalit ishin ekspozuar disa mjete të vjetra dhe të ndryshkura kirurgjikale, ndërsa kamerat kujdeseshin të fiksonin kontrastin me aparaturat e reja të sterilizimit.

“…vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi në total që është bërë për këtë proces,” -tha Rama nga spitali “Shefqet Ndroqi”.

I njëjti mesazh u përforcua edhe nga Manastirliu, e cila iu referua një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, për efikasitetin e investimeve në shërbimet kirurgjikale.

“ISHP këtë vit ka bërë një studim mbi efikasitetin dhe eficensën e gjithë investimeve në shërbimet kirurgjikale dhe ka shqyrtuar një nga investimet më të mëdha që është shërbimi i integruar i instrumenteve dhe sterilizimit dhe çfarë ka nxjerrë është kjo: Ky investim ka reduktuar me 20 për qind përdorimin e antibiotikëve, e dyta ka ulur ditët e qëndrimit, dhe nga 2014 deri tani është ulur me 2.3 ditë qëndrimi…,” tha Manastirliu.

Por ndryshe nga mesazhet e Ramës dhe Manastirliut, ISHP tha se nuk kishte kryer një vlerësim mbi zbatimin e kontratës së sterilizimit.

ISHP tha se kishte kryer studimin me titull “Vlerësimi i ecurisë së infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor postkirurgjikal, pas ndërhyrjeve efektive në sistemin shëndetësor”, por nuk e vuri atë në dispozicion.

“Ky studim i kryer nuk ka qenë posaçërisht për të vlerësuar zbatimin e kontratës, së cilës ju i referoheni,” -tha drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini.

Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, koncesioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të studimit të fizibilitetit. Ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen prej dy muajsh në qeli për këtë kontratë, ndërsa hetime po kryhen edhe për ish-ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani.

Ndërsa koncesioni i sterilizimit u bë pis nga akuzat e ngritura nga SPAK, zyrtarët më të lartë të qeverisë e devijuan debatin publik te përfitimi që kishte pasur sektori shëndetësor – veçanërisht me uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital.

Për të verifikuar këto pretendime, BIRN i kërkoi ISHP-së studimin në fjalë dhe mori dhjetra faqe monitorimesh në spitale të ndryshme të vendit ndër vite për nivelin e infeksioneve spitalore, por asnjë studim krahasues për ndikimin e investimeve dhe aq më pak të kontratës koncesionare të sterilizimit.

Ndërsa të dhënat mbi reduktimin e infeksioneve të plagëve operatore kanë dalë sipas ISHP-së nga monitorimet rutinë dhe nuk kanë lidhje “me vlerësimin apo një studim të mirëfilltë”.

Sipas ISHP-së, ulja e infeksioneve spitalore ndodh për shkak të disa faktorëve ndikues si; infrastruktura spitalore, sterilizimi dhe dezinfektimi i mjeteve kirurgjikale, kushtet e punës, mjetet mbrojtëse personale, pajisja me aparatura mjekësore, mjekimi adekuat, sistemi i aspirimit, etj..

Në përgjigjen e Tominit pranohet se studimet krahasuese për vitet 2013-2023 tregojnë se ndotja mikrobike është ulur, – “pasi janë ndërmarrë një sërë hapash për parandalimin”.

Por, ky institucion nuk qe në gjendje të jepte një përgjigje se sa ka ndikuar faktori “sterilizim” në përmirësimin e situatës.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj kërkesës për koment se në çfarë të dhënash e kishte bazuar qëndrimin e tij, ndërsa Manastirliu, e cila mban detyrën e ministres së Arsimit dhe Sportit që nga shtatori, mohoi që t’i jetë referuar një studimi të posaçëm të ISHP-së në fjalën e saj.

“U jam referuar një serie treguesish, që janë pjesë e disa raporteve vlerësuese apo hulumtimeve të kryera në seri kohore si dhe të dhëna të institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve vendas dhe të huaj dhe jam bazuar në këto referenca,” -tha ajo nëpërmjet një zëdhënseje.

Studimi i fundit i ISHP-së, që nxjerr përfundime për nivelin e ndikimit të sterilizimit në përhapjen e infeksioneve spitalore i përket periudhës 2010-2013, ku setet kirurgjikale dhe reanimuese kanë rreth 23 për qind të peshës për infeksionet./Birn