Rajna Kovaçi: 8 Marsi – çfarë po festojmë në të vërtetë

578
Më duket sikur festa e 8 Marsit është një festë e keqkuptuar. Shpesh është një festë e kontestuar, hera-herës konsiderohet si një shpërthim komunist, pjesë e një të kaluare të urryer, për disa, pak hipokrite, për të tjerët pak qesharake, për shkak të klisheve që bëhen. Kjo festë sot reflekton të gjitha fytyrat e gruas së ditëve tona. Festohet edhe si festa e nënave, që në fakt bota perëndimore ka një datë të caktuar për të. Por ne e vazhdojmë këtë ngjarje, duke e festuar bashkë me nënat tona. Megjithatë është mirë që ekziston, sa më shumë urime dhe shprehje dashurie t’i dhurojmë grave dhe vajzave, aq më mirë është. Po ashtu edhe burrat le të dhurojnë dhe t’i gëzojnë sa më shumë gratë. Dhurata, lule, urime, pra të paktën të jetë pak ndryshe nga ditët e tjera. Dhe ia vlen… Zonjat dhe zonjushat organizojnë daljet e gjera me gjininë femërore. Duke frymëzuar fuqinë dhe pavarësinë femërore, dhe në këtë mënyrë mendohet se bëhet për të demonstruar në ekip. Kështu 8 Marsi ka karakter festiv, të këndshëm dhe sigurisht këto veprime nuk ia ulin rëndësinë. Duke mos harruar për asnjë çast dhunën kundër gruas, ku ne këto kohë kemi qenë kampion në rajon. Festa ka shumë fytyra, ka shumë arsye për t’u diskutuar. Por e vërteta është se kjo festë është deformuar dhe askujt tashmë nuk i shkon në mend, ta kujtojë përse pikërisht në këtë datë! Para së gjithash një gjë është e rëndësishme e cila ka mbetur: që kjo festë është nga gruaja për gruan. Pritjet tona nga burrat dhe nga fëmijët nuk janë shumë të arsyeshme dhe jo krejtësisht të justifikuara. 8 Marsi është deklaruar si Dita ndërkombëtare e Gruas nga OKB-ja në vitin 1977, pra jo nga Internacionalizmi Proletar, as nga ndonjë komitet qendror i partisë apo as nga ndonjë parti komuniste. Ka aq shumë arsye të tjera të rëndësishme, që nuk kanë të bëjnë me amësinë dhe me dashurinë apo aq më tepër me regjimet politike. Për këtë arsye ka një ditë të caktuar që quhet Dita e Nënës. 

Historia e kësaj dite
8 Marsi është dita në të cilën ne, gratë sot, kujtojmë duke e festuar sipas mënyrës sonë, por ne duhet të kujtojmë dhe të nderojmë të gjithë motrat tona që në të kaluarën me sakrificat, përpjekjet dhe punën e tyre, na drejtuan drejt në rrugën tonë – të kemi të drejtën të votojmë, të punojmë, që të jemi financiarisht të pavarura, në njëfarë mënyre, pra të kemi të drejta të barabarta me burrat në sfera sfera të jetës. Por kjo është një temë tjetër. A mund ta imagjinoni pas çdo veprimtarie që ne bëjmë qëndrojnë mitingjet e grave, demonstratat e ndryshme, dhuna, fjalimet e zjarrta nëpër tribuna para turmës së frymëzuar plot shpresa e më pas fitohet pushteti burrat i harrojnë premtimet e dhëna për gratë. Historia është e krijuar nga triumfet e vogla, si e drejta e gruas për të votuar e drejta të zgjidhet. Ka shumë gra që kanë dhënë kontribut të madh në shumë fusha të jetës, sa të vështirë e kemi ta këqyrim me vështrim kritik gjithë këtë trashëgimi, të cilën sot pak a shumë e kemi përvetësuar dhe e kemi kthyer dhe e pranojmë si të jetë vepra jonë, për pak kohë. Trashëgimia jonë amtare nuk mund të jetë e papërfillshme. Nuk mund të harrojmë luftën e grave tona patriote për mbrojtjen e trojeve dhe të gjuhës tonë, si heroinën tonë Shote Galica, e cila u shndërrua në shembull të rezistencës gruas shqiptare. Kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për pavarësinë e Shqipërisë. Intelektualet e para, mësueset që thyen zakone, doke e tabu. Trimëreshat tona që luftuan krah për krah me burrat si Nora e Kelmendit etj. Për gjithë ato gra që ishin të parat në pofesionet e tyre e shndritën si yje, për gratë partizane, që besuan në një botë të re dhe dhanë jetën, si Margarita Tutulani, Fato Berberi, Persefoni Kokëdhima, Dylbere Bylykbashi etj. Për ato gra që dhanë kontributin e tyre në të gjitha fushat e jetës për ndërtimin e Shqipërisë. Ato që sakrifikuan deri në vetëmohim për familjen e tyre. Shumë prej intelektualeve të rralla që u persekutuan dhe u eliminuan nga diktatura komuniste, si Musine Kokalari, Marie Shllaku, Sabiha Kasimati, Marije Deda, Blanka Balliçi, Barbara Orgocka etj. Që skalitën faqe të përgjakura, plot dhimbje, vuajtje, tortura, internime. Pa harruar gratë e sotme që luftojnë çdo ditë me realitetin për ta ndryshuar dhe për t’u gjendur krah për krah me burrat për përparimin e shoqërisë. Emrat e tyre gjenden të gdhendura në historinë botërore të lëvizjes emancipimit të grave, me të gjitha si motrat e tyre nëpër botë. Gratë shqiptare ruajtën me fanatizëm, mëkuan e kultivuan traditën e trashëguar brez pas brezi. Gruaja ilire kishte të drejta më shumë se gratë e botës antike greke. Mbretëresha e famshme Teuta, mbretëresha e ilirëve dhe e liburnëve. Helena Topi, Mamica Kastrioti, Donika e madhe, Rugina Balsha. E famshmja Elena Lukrecia Peshkopia, Dhaskalina Boubulina, Elena Gjika-Dora d’Istria patriotja, intelektualja e rrallë dhe rilindësja e madhe shqiptare. Rilindësi i madh shqiptar Naim Frashëri shkruante këto fraza për gruan shqiptare: ”Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri, se fëmija së pari nga nëna marrin arsimin dhe mësimet”. Filloi hapja e shkollave të para femërore si në Shkodër, me në krye Tina Nikën, Kushe Micën. Shkolla për vasha në Korçë nën drejtimin e intelektualeve Sevasti Qirjazi Doko dhe Parashqevi Qiriazi. Në Gjirokastër nën drejtimin e Urani Rumbos etj. Vajzat dhe gratë shqiptare të feve të ndryshme filluan të shkolloheshin edhe në Prizren. Në këto shkolla zhvilloheshin shumë lëndë si gjuha shqipe, matematika, gjeografia, historia, etj. Ishin të mëdha pengesat përballë emancipimit të femrës shqiptare. Pushtuesit turq, grek dhe serbë kryen vrasje, burgosje dhe syrgjynosje të mësueseve si Helidhona Falli, që iu përgjigj turqve dhe grekëve: ”Jam një çupë e varfër dhe jetime, por dëshira ime është të punoj për gjuhën time”. Sevasti Qirjazi, e cila në atë kohë ishte drejtoresha e shkollës, ishte vendosur nga grekët e treta në listë për t’u ekzekutuar. Pa harruar gratë e ditëve tona si kirurgen e famshme Dok. Rushen Golemi, një mjeke-kirurge shumë e talentuar me nivel të lartë profesional, dhe intelektuale e rrallë. Fatkeqësisht u nda nga jeta, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në shoqërinë shqiptare. Emili Dishnica Glozheni, Androniqi Zeko Antonio, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku, Yllka Mujo, Xhanfize Keko, Ksanthipi Begeja, Andromaqi Gjergji, Dhora Leka, Marie Kraja, Lola Gjoka, Vllasova Musta, Vojsava Nelo, Luljeta Leshanaku, Rita Petro, Ornela Vorpsi, Elvira Dones, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti etj. Janë nënat dhe gjyshet tona, që kanë shtruar rrugën për të gjitha gratë pas atyre që kanë ëndërruar. Tashmë për arsimim falas, për të patur një vend në shoqëri. Ky shkrim nuk është një mesazh feminist. Unë vetëm do të doja të theksoja se ne gratë i detyrohemi datës së 8 marsit për veten tonë, për gratë, për të kaluarën dhe për të ardhmen, që reflektohet në gjeneratën që po rrisim. Dhe kjo festë duhet të jetë, sepse gratë para nesh e meritojnë mirënjohjen. Ato gra që e kanë bërë historinë dhe vazhdojnë ta bëjnë që gëzojmë ne sot –statusin e barabartë në martesë, të drejta të barabarta në biznes dhe arsim, zgjedhja e lirë e profesionit, e drejta për të pasur pagë të barabartë (megjithëse këtë të drejtë ende nuk e kemi harruar), privilegje, zë i rëndësishëm në shoqëri, që dëgjohet dhe ka peshën e duhur. Në kohët moderne, theksi, sigurisht, është zhvendosur në mënyrë të konsiderueshme nga pasja e të drejtave dhe tek pohimi i vetë-shpallur. Barrierat para nesh nuk janë të pakta dhe qëndrojnë brenda nesh, megjithëse ka ende shumë vende në botë ku të drejtat themelore nuk pranohen nga shoqëria maskiliste dhe po dëmtohen. Para nesh qëndrojnë shumë sfida. Është e vërtetë se qeveria jonë i ka të plotësuara kuotat gjinore, por gratë mbeten si objekte që askush nuk i pyet për asgjë. Është e vërtetë që ne kemi aprovuar shumë rezoluta për mbrojtjen e gruas, për barazinë gjinore etj. Por asnjëra prej tyre nuk është monitoruar, pra mbeten si fije letre pa vlerë nëpër sirtarët e institucioneve. Por deri kur? Është e vërtetë që numri i deputeteve gra është i lartë dhe i arrin standardet evropiane, por sa seanca u janë kushtuar grave dhe problemeve të tyre, çfarë ka zgjidhur ky parlament? Mungesën e punësimit, problemin e pushimit masiv të grave, varfërinë e tejskajshme, heqjen e mbështetjes sociale, mungesën e ekzistencës së kushteve lehtësuese për gratë që punojnë? Ndonjë bonus për gratë kryefamiljare? Apo qeveria të ketë mirësinë të rrisë shpenzimet publike për arsimimin e grave? Po për përmirësimin e shëndetit të saj, kur jemi dëshmitarë se në shumë fshatra nuk ka ambulance. Duhet të rriten masat për parandalimin e vdekshmërisë foshnjore. Deri kur koordinatori gjinor nëpër qytete të ndryshme e bashki do të jetë përfaqësuar prej ndonjë burri? Detyrë të cilën e bën nga zori e jo nga qejfi. Është e vërtetë që duhet t’i kujtojmë disa role tradicionale tonat dhe të dimë si ta mbrojmë feminitetin tonë, përballë sulmit të kësaj bote të egër mashkullore. Duket sikur tashmë është momenti i duhur, për të cilin kemi nevojë për të konsoliduar ekuilibrin. Për veten tonë, në familje dhe në shoqëri. Arritja e harmonisë është një aftësi që ne e kemi. Por, ah, sikur të ishte vetëm kjo…!
Sigal