RABIJA MBRUJTUR ME GJAK, VËSHTRON KURORË DHE KULMAK…

683
Sigal

Nga Naim Deraj

 

Në teqenë e Rabijes, përkujtohen martirët e rënë në luftën për liri. Këtë vit kjo ngjarje e rëndësishme përkon me 140 vjetorin e themelimit të kësaj teqeje. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka ardhur vetë në këtë përvjetor për të nderuar martirët që prehen në atë truall të mbrujtur me gjak. Ishim nisur nga Tirana pa çelur dita për të arritur sa më shpejt. Para nesh kishte të tjerë që ecnin me padurimin për të arritur sa më parë. Dielli i nxehtë i korrikut nuk mund të pengonte pelegrinët që ngjiteshin kodrave të vështira për të nderuar ata që ranë në atë truall në korrikun e vitit 1943. Ngjitemi në të përpjetën e shkëmbit të Koçit dhe në lagjen Gjergaj të Levanit ku kemi përballë lisin e Gjergajt, kurse më tej, në lagjen Bregaj, hap krahët si harka me mëngë, lisi i famshëm me emrin kuptimplotë “Shenjti”. Peizazhi i këtij fshati të krijon ndjesinë se je përballë një foleje shqiponje gjigante, mbi të cilën përplas krahët shpendi luftëtar. Duke iu afruar banesave të fshatit Levan të Tepelenës, aty ku bashkohet rruga e fshatit me rrugën që të çon për në Allkomemaj dhe Rabije, u takuam me një grup banorësh të Levanit. Disa djem e vajza i mbanin këngën një burri të moshuar, i cili ia thoshte:

 ”…Dëgjoni o shqiptar në Rabije seç u bë,/  Vranë babanë dhe dervishët, si në qerbela u bë…!”

Në ato zëra të pastër si ujë gurre, derdhej dhimbja e krenaria e popullit për bijtë e tij të rënë në luftën për liri. Ishim të rrëmbyer nga ajo atmosferë e mbushur me dhimbje dhe mirënjohje për martirët, kur pranë nesh po vinte Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në ato çaste, mbi të pranishmit ra një nur i bukur. Kryegjyshit i uroi i pari mirëseardhjen Medin Caushi dhe pa humbur kohë vijuam rrugën për në Rabije…

Me të mbërritur në vendin e shenjtë pushtohemi nga atmosfera e krijuar. Nga ato kodra e pllaja të bekuara ku njeriu ndihet si në parajsë, vështrimi shkon nga Kulmaku i baba Tomorit në kurorën lart në supet e malit përmbi Sevaster. Në mënyrë lakonike atmosfera e atij mjedisi lexohej e përjetohej në valët e polifonisë së disa banorëve vendas: “…Rabija mbrujtur me gjak,/Vështron Kurorë e Kulmak…”. Aty na dukej se duke zgjatur dorën, do preknim Gllavën, malet e Tepelenës, Beratit dhe Skraparit. Në ato kodra e male të veshura me harkanë jeshile të thellë, kanë jetuar dhe luftuar në shekuj ata që ishin betuar për atdhe dhe për fe. Aty ndihet jehona e betejave të bektashiut famëmadh Ali Pash Tepelena, sakrificat e baba Ismailit, baba Medin Gllavës, baba Ahmet Turanit, baba Sali Matohasanaj, baba Ali Tomorit dhe shumë dervishëve e bektashinjve të tjerë, të cilët janë të pranishëm në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Të pranishmit, megjithëse të vendosur në mënyrë të kujdesshme, duke ruajtur distancën nga njeri-tjetri për shkak të pandemisë, ishin të bashkuar në shpirt. Portreti dhe sytë; gjithë qenia e tyre rrezatonte dritë, mall dhe admirim. Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaji, në krye të klerikëve që e shoqëronin, përuroi tyrben e re dhe u drejtua nga busti i baba Abazit. Në krah kishte Abaz Memushin, nipin e baba Abazit. Taçet dhe uniformat e tyre shndrisnin mes njerëzve të pranishëm. Nëpër vezullimet e asaj drite, ishin pëllumbat e bardhë të paqes ngritur për fluturim nga trualli i mbrujtur me gjakun e martirëve. Tyrbeja e ndërtuar nga familja e nipit të baba Abazit bashkë me përmendoren dhe mjediset që ka në përbërje janë një kompleks impresionant. Ashtu si baba Abazi, në krye të martirëve në ato ditë sakrifice për liri, edhe ky kompleks në krye të tyrbeve të tjera, është mejdani i gjithë klerikëve që prehen aty. Abaz Memushi i ri, ishte aty me familjarë dhe të afërm të tij. Aty pranë ishin pasardhësit e Izet dhe Qemal Kapllanit; Raziu, Ramazani dhe familjarët e tyre. Në çdo korrik, ata vijnë dhe ndezin qirinjtë për të kujtuar të rënët dhe prindërit e tyre, të cilët ashtu të përgjakur erdhën në ditët tona dëshmitarë të gjallë të sakrificës që bënë martirët e Rabijes. Ishim mësuar që këtu të takonim Xha Izetin, por këtë përvjetor nuk e takuam dot. Ai pasi kaloi kufirin e një shekull, shkoi të prehet në paqe. Mes të pranishmëve ishin edhe shumë njerëz që nuk mundëm tua shënojmë emrat, por identiteti i tyre është ai i atdhetarëve bektashi. Mes këtyre njerëzve, të bien në sy të moshuar të kërrusur nga pesha e kohës, të rinj e të reja si lastarë dhe fëmijë si filiza, të cilët kanë ardhur mbi supet e të rriturve për të hedhur hapat e para në këtë truall të shenjtë. Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj u drejtohet dhe u flet të pranishmëve:  “Kam nderin dhe fatin e madh që të jem sot pranë jush dhe më lejoni që si Kryegjysh Botëror Bektashian, t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë ditë përkujtimore, duke ju uruar fat dhe mbarësi në familjet tuaja! Ky vend i bekuar, këtu në lartësitë e maleve, ka lidhur kurdoherë në mënyrë të mrekullueshme, historinë e tarikatit bektashian me historinë e kësaj treve. Historia e këtij vendi, që zë fill me ardhjen këtu të dervishëve të Haxhi Bektash Veliut, të cilët parashihnin në misionin e tyre jo thjeshtë përhapjen e diturive të Islamit, por edhe mbrujtjen e shpirtit të lirisë, të ideve të lume të paqes universale. Ende sot, kur flitet për toponiminë e krahinës së Tepelenës dhe krejt trevave shqiptare se feja, atdheu, familja, vëllazëria e tarikatit, ishin të shenjta. Për shenjtërinë e tyre ja vlente madhe edhe sakrifica më sublime. Teqeja e Rabijes do të rritej nëpër vite, jo thjeshtë në pikëpamjen e shtimit të myhibëve dhe dashamirësve, jo thjeshtë në pikëpamje të shtimit të sipërfaqes së tokës, pyjeve, kullotave dhe bagëtive. Rritja e saj kishte të bënte me emrin dhe historinë që po bënte, duke qëndruar brenda misionit të saj historik, së bashku me teqenë e Turanit, të Koshtanit, të Harakopit dhe të Gllavës. Në mënyrë të veçantë, misioni atdhetar i teqesë së Rabijes, do të binte në pah në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20, në momentet kur postmbajtësi i saj, ishte baba Selman Gricaj nga Martaneshi. Përveç edukatës familjare bektashiane, si dhe traditave të shquara martaneshase, baba Selmani mori leksione të tarikatit në udhëtimet e tij në Haxh, në Irak, në qendrën botërore të Haxhi Bektashit. Tek morali dhe fryma e tij, ishin ndërthurur në mënyrë më të harmonishme dhimbshuria për vatanin me dhimbësinë për urtësinë e tarikatit tonë. Me veprën e tij, ky klerik i dha emër të mirë, jo thjeshtë teqesë së Rabijes, por vetë bektashizmit shqiptar. Është kjo arsyeja që sot e kësaj dite, në kuvendet tepelenase këndohen vargjet: Baballarë të mirë qenë,/ Që të gjithë në Tepelenë,/ Por mbi krye, përmbi krye,/ Ish Selmani në Rabije…./”. Sigurisht, fletët e arta të historikut të kësaj teqeje, do të mbeten gjithmonë të hapura, në ngjarjen e trishtuar të korrikut të vitit 1943. Klerikët bektashianë të Shqipërisë nuk mund të rrinin indiferent ndaj ngjarjeve kulmore të Luftës së Dytë Botërore, ku fatet e kombeve dhe sidomos fati ynë, po binte në duar të fashizmit. Ishin të shumtë klerikët tanë ët cilët e kuptuan se kundër fashizmit nuk mund që vetëm të flitej, por duhej ngritur me armë në dorë, përkrah besimtarëve, në fushëbetejën e lirisë së kombit. Lidhja e klerikëve të teqesë së Rabijes, me formacionet luftarake nacionalçlirimtare të vendit, bënë që teqeja të shndërrohej në vatër të shenjtë atdhetarizmi, që dashamirësit e saj të shumtë të rrëmbenin armët kundër bishës fashiste. Ka qenë ky shkaku që në 23 korrikun e vitit 1943, forca të shumta italiane, me mjete të motorizuara dhe të armatosura deri në dhëmbë, iu drejtuan teqesë së Rabijes, a thua sikur këtu të ishin mijëra luftëtarë shqiptarë. Mllefi fashist, kishte të bënte sidomos me aspiratën e pashuar bektashiane të lirisë së kombit të tyre. Këtë mllef ata e rrëfyen me pushkatimin e baba Abaz Rabijes, të dervishëve: Bajram Lamaj nga Levani, Hasanit nga Rabija, Feimit nga Gllava dhe Bajramit nga Mallakastra. Këta emra të ndritur klerikësh, së bashku me 27 besimtarë dhe myhibanë të tjerë që u vranë dhe masakruan po atë ditë, tanimë kanë hyrë padyshim në panteonin e lirisë së kombit tonë. Nder dhe respekt të përjetshëm për jetën dhe veprën e tyre!

Ne duhej të ishim shumë sot, në këtë vend, në përkujtim të asaj ngjarje të vitit 1943. Por pandemia në të cilën po kalojmë, na i bën të pamundur takimet fizike, uljen e përbashkët në kuvende dhe në sofra bektashiane. Ne jemi të ndërgjegjshëm se duhet t’u përmbahemi me urtësinë tonë çdo këshille apo urdhrave të dhënë prej mekanizmave shtetërorë. Ne jemi besimplotë dhe i lutemi Zotit të Lartë ta kalojmë një orë e më parë këtë pandemi, për t’iu kthyer jetës sonë familjare takimeve dhe bisedave me të dashurit, sidomos bisedave shpirtërore në mjediset e mrekullueshëm të teqeve tona.”

Në kohë dreke dëshira e të gjithëve ishte ta kishin Kryegjyshin në çdo sofër mbi barin e gjelbër nën hijen e lisave. Ai ecën duke i takuar, uruar e premtuar se do të ishin së bashku përsëri.

Duke marrë rrugën e kthimit Kryegjyshi u drejtua nga ne dhe na tha:Do vemi për një kafe te Medin Caushi! Medini, ky pasardhës i denjë i disa patriotëve të mirënjohur bektashi, vijon të promovojë pa u kursyer traditën bektashiane dhe kontribuon në ngritjen e mirëmbajtjen e institucioneve në vendet e shenjta. Në Harakop, Gllavë, Rabije, është i dukshëm kontributi i tij financiar dhe shpirtëror. Një pjesë e të ardhurave nga puna e familjes së tij, është përdorur në këto vende të shenjta. Në truallin e Caushajve është lisi madhështor “Shenjti”. Në trungun e këtij lisi ka pjesë të thara, gunga e zgavra dhe gjurmë të degëve të këputura nga mosha dhe stuhitë, si shenjat e plagëve të një luftëtari të vjetër, por këto nuk ia pakësojnë madhështinë, përkundrazi e bëjnë më të veçantë e më madhështor. Pranë këtij lisi takohen , bisedojnë e qajnë hallet njerëzit. Kështu thonë se ka shërbyer brez pas brezi. Trualli ku ndodhet ky lis është edhe vendlindja e disa figurave atdhetare të bektashinjve me emër si baba Medin Gllava, baba Neki Caushi, baba Demka dhe baba Nuro.

Kur u afrua te lisi, Kryegjyshi, duke kundruar me qetësi, u drejtua në këmbë drejt tij. Ndaloi për pak çaste në murin që rrethonte trungun gjigant dhe sikur do të takonte një mik të vjetër malluar prej kohërash, u ngjit mbi ata gurë dhe u mbështet në trungun e stërlashtë duke medituar për disa çaste. Ne të pranishmit vështronim atë pamje të paharruara. Nëpër rrudhat e lëkurës së plasaritur të lisit shumëshekullor, Kryegjyshi shihte historinë dhe sakrificat e atdhetarëve bektashian. Kodrat për rreth me vendet e shenjta në gjirin e tyre, përbënin teatrin hyjnor. Medini i përmendi Kryegjyshit vendet e shenjta në Levan si: Teqeja e famshme e Harkopit me tyrben e madhe dhe e vogël, mekami i dervish Jonuzit, mekami i baba Orhanit,Varroshi i baba Rizai.

Trualli ku ndodhet ky lis, është edhe vendlindja e shumë figurave atdhetare të bektashinjve me emër si Baba Medin Gllava, baba Neki Caushi, baba Demka, baba Nurua. Nëse do të të bëhej e mundur që ky lis dhe trualli ku është do të shpalleshin vend pelegrinazhi bektashian, do të ishte me shumë vlerë për brezat. Aty pranë, në shkallët e shtëpisë, Medini dhe Merushja, që dukeshin sikur fluturonin, i uruan Kryegjyshit mirëseardhjen,. Ajo derë ka qenë e hapur për miq e shokë, për njerëz të thjeshtë e hallexhinj dhe për personalitete të larta të vendit, por ardhja e Kryegjyshit Botëror Bektashian ishte ngjarje historike, që i kalonte përmasat e zakonshme. Haxhi Dede Edmond Brahimaj vështronte në muret e dhomës portretet e bektashinjve margaritarë, baba Medin Gllava dhe baba Neki Caushi dhe në ato çaste, u shpreh se i kishte të gjalla kujtimet për baba Nekiun qysh nga orët e para të viteve 90-91, kur në krah të ish Kryegjyshit Haxhi Dede Reshat Bardhi kishin punuar ditë e natë për ringritjen e institucioneve bektashiane. Zonja e shtëpisë, Merushja kishte ardhur në atë derë vajzë e re dhe ishte rritur me historitë e bektashinjve të dëgjuara nga më të moshuarit. Ajo i kishte shërbyer baba Nekiut për dhjetëra vjet si prindërve të saj dhe kishte marrë shpërblim uratën e tij. Ishte një mrekulli të shikoje se si ajo dhe Medini kryenin me dashuri ritet bektashiane në shtëpinë e tyre. Pasi u ulëm dhe u bënë urimet tradicionale, biseda rrodhi e ngrohtë dhe nuk kish të mbaruar.  Ne të gjithë dëshironim të vazhdonte sa më gjatë ajo ditë, por Kryegjyshi duhej të nisej edhe për disa takime të tjera në vende të shenjta. Ditë si kjo që po përjetonim, janë të pakta në jetën e njerëzve, por ato kanë brenda tyre tharmin e pashtershme që forca mistike e figurave të paharruara bektashiane i forcon dhe ripërtërin vlerat edhe në të ardhmen.