Quo vadis, Shqipëria jonë?

560
Sigal

Po jetojmë në kohë absurditetesh, kur e zeza quhet e bardhë dhe e bardha quhet e zezë, kur tradhtarët e kriminelët quhen atdhetarë të kulluar dhe atdhetarët e vërtetë quhen tradhtarë e kriminelë. Prandaj shtrojmë pyetjen “Quo vadis?”, d.m.th. ku po shkon Shqipëria me këto absurditete? Kjo ndodh se politikanët e shtetarët që dolën në krye të vendit për ta qeverisur, pas përmbysjes së sistemit të mëparshëm socialist, nuk kishin si qëllim sjelljen e demokracisë për ta bërë Shqipërinë si Evropa, por pasurimi i tyre me çdo mjet, duke mos përfillur asnjë normë morale e shoqërore, pa asnjë ndjenjë atdhetarizmi e mëshire ndaj popullit. Sloganet e përdorura Liri-demokraci, ta bëjmë Shqipërinë si Evropa etj,u shërbenin për t`i hedhë hi syve popullit, sepse kalimin në ekonominë e tregut e shfrytëzuan për pasurimin babëzisht të tyre me anën e grabitjes së pasurisë së popullit dhe duke shkatërruar ekonominë e ndërtuar me djersën e tij. Ana tjetër e veprimtarisë keqbërëse të forcave që erdhën në pushtet ishte shtrembërimi i fakteve historike, duke e kthyer historinë e vërtetë me kokë poshtë, injorimi i ndjenjave të një populli të tërë që luftoi me heroizëm e bëri sakrifica të panumërta në luftë për çlirimin e vendit, derdhi gjakun e mbi 28 mijë bijve e bijave të tij. Mohohet e denigrohet LANÇ, nëpërkëmbet dinjiteti i luftëtarëve të asaj lufte, i veteranëve, shpërfillen dëshmorët dhe rehabilitohen, nderohen e ngrihen në piedestal dallkaukët, kriminelët, tradhtarët me damkë dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë. S`kanë të mbaruar këstet e shpërblimit me miliona lekë të pasardhësve të të përndjekurve politikë dhe i të burgosurve që shumica e tyre janë dënuar për abuzime, vjedhje e shkelje të ligjeve në fuqi. Kurse pasardhësit e dëshmorëve që derdhën gjakun për çlirimin e atdheut edhe një shpërblim simbolik që merrnin në sistemin e mëparshëm ua hoqën pas ndryshimit të atij sistemi. Ndërsa veteranët e LANÇ shpërblehen me një pension lufte të papërfillshëm. Flitet e shkruhet se do të sillen eshtrat e tradhtarit Mit`hat Frashëri në atdheun e tradhtuar prej tij, rivarrimin me ceremoni shtetërore dhe vendosjen e bustit të tij pranë atdhetarëve të mëdhenj Avdul, Naim e Sami Frashëri, kur ai nuk e meriton këtë nderim që po i bëhet, sepse gjatë Luftës për çlirimin e vendit u vu në shërbim të nazistëve gjermanë, hyri në marrëveshje me Napoleon Zervën për ta vënë Shqipërinë nën ombrellën greke, apo me Pashiçin e Serbisë. Ndërsa partia e Mit`hat Frashërit, Balli Kombëtar, bashkë me nazistët gjermanë vranë mijëra djem e vajza të popullit shqiptar që luftonin për çlirimin e vendit. Edhe nëse qeveritarët e kanë shumë për zemër t`i ngrenë bust Mit`hatit, të mos e vendosin në krah të atdhetarëve të mëdhenj, por në krah të shtatores së Ahmet Zogollit që i bashkon tradhtia e lartë dhe, se aty mund t`u vijë ndonjë ditë edhe busti i tradhtarit tjetër me damkë, i Esat Toptanit. Kërkohet me ngulm e me zell të madh që një kamp i zakonshëm pune për të internuarit në Tepelenë të shndërrohet arbitrarisht në kamp shfarosjeje si Aushvici shqiptar, se kështu duan pinjollët e bashkëpunëtorëve të pushtuesve e të tradhtarëve. Dhe qeveria jonë nëpërmjet ministres së Kulturës e bekon dhe presidenti i vendit mban fjalime përgëzues tek kazermat e ushtrisë italiane të Tepelenës. Më të madh turp për këta pushtetarë nuk do të ketë në botë. Po a kishte furra djegieje të internuarish në Tepelenë, siç kishte Aushvici? Apo të internuarit atje ushqimin e kishin të garantuar, shkollimin e fëmijëve po, mjekimin e shtrimin në spital po. Kurse kampi gjerman i shfarosjes në Aushvic nuk kishte asnjë nga këto, veç furrave të djegies. Dhe ishte koha kur vendi i dalë nga Lufta dhe me një gjendje ekonomike të mjerueshme, kishte shumë vështirësi e probleme që reflektoheshin edhe në këtë kamp, i cili nuk ishte kamp pushimi apo kovalishencë, por kamp pune. Dhe në rast së kanë vdekur disa fëmijë në atë kamp, mos vallë vdisnin pak në tërë vendin për shkak të mungesës së ushqimit, të mjekëve e të barnave? Në famëkëqin e ashtuquajtur Bunkart, janë ekspozuar portretet e kriminelëve si Hamit Matjani me shokë në madhësinë dhe vendin më të dukshëm dhe u bëhet reklamë e madhe, siç i bëhet edhe të ashtuquajturës “Shtëpi me gjethe”. A thua se është zbuluar Amerika?! Po cili shtet nuk ka bunkerë e strehime për kohë lufte, që u dukka aq e çuditshme në vendin tonë?! Bunkerët e vendit tonë që anatemohen e satirizohen aq shumë nuk i shpiku Shqipëria për herë të parë. Shtetet Evropiane i kanë ndërtuar ato shumë kohë përpara nesh, që në Luftën e Parë Botërore dhe pas saj. Është i njohur fortifikimi i quajtur “Vija Mazhino” në Francë. Të tillë fortifikimesh ka në disa shtete të tjera të Evropës Veriore, por asnjë nga këto shtete nuk i bëri bunkerart dhe as shau qeveritë e kohës që i kanë ndërtuar. Kjo gjë ndodh vetëm në Shqipëri nga injoranca dhe mendjelehtësia për përfitime politike. Në situatat kur u ndërtuan bunkerët në Shqipëri, e vetmja masë e mundshme mbrojtëse ndaj një kërcënimi real dhe aspak imagjinar, siç broçkullisin sot ata që nuk e kanë jetuar atë situatë apo që duan të baltosin sistemin politiko-shoqëror në të cilin u ndërtuan, ishte ndërtimi i bunkerëve. Shqipëria as raketa e as bomba atomike nuk mund ndërtonte, siç bënin e bëjnë shtetet e mëdha me zhvillim e industri të fuqishme. Të gjitha veprimet e lartpërmendura nuk kanë shpjegim tjetër veç uljes këmbëkryq në Shqipëri të neofashizmit e neonazizmit, gjë që përbën tradhti të idealeve të popullit shqiptar. Prandaj veteranët dhe invalidët e LANÇ dhe familjet e dëshmorëve në Vlorë janë shumë të brengosur e të revoltuar, janë kundër këtyre veprimeve  dhe shprehin protestën Energjike ndaj atyre që duan të sjellin eshtrat e tradhtarit Mit`hat Frashëri dhe t`i bëjnë nderime zyrtare, ndaj atyre që duan të fyejnë popullin atdhetar të Tepelenës dhe të gjithë Shqipërisë me përpjekjet që po bëjnë për shndërrimin e kampit të punës në një kamp shfarosës pa qenë i tillë etj.

Zotërinj, ne nuk luftuam e nuk e derdhëm gjakun lumë për të rehabilituar e nderuar antikombëtarët dhe tradhtarët e të gjitha kallëpeve. Luftuam për çlirimin e atdheut dhe vënien e tij në rrugën e zhvillimit e të përparimit, gjë që u bë realitet në saje të asaj lufte që politikanëve të sotëm u therin sytë.

Kryesia e Komitetit të Veteranëve të LAN

Kryesia e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve

Kryesia e Invalidëve të LANÇ   VLORË