Qeveria sfidon Gjykatën duke favorizuar shkatërruesin ambientalist, KURUM

541
Sigal

SUPERSKANDALI/Publikohet në Fletoren Zyrtare koncesioni i rafinerisë së Cërrikut

Publikimi në fletoren zyrtare të koncesionit të rafinerisë së Cërrikut tregoi dhe një herë papërgjegjshmërinë dhe paligjshmërinë e vendimeve të Qeverisë në ikje. Me gjithë zhurmën mediatike që u bë për këtë çështje, Qeveria e ligjëroi këtë koncesion duke e botuar në fletoren zyrtare. E gjithë kjo, bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ “Njoftim fituesi për rafinerinë e naftës Cërrik, Elbasan, shpallur në buletinin e prokurimit publik nr 27, datë 08.07.2013”. Qeveria në ikje shkel ligjin me të dyja këmbët duke favorizuar ndotësin kryesor të ambientit në Elbasan, “Kurum International”. Kompania turke “Kurum”, pas një sërë koncesionesh që ka përfituar veçanërisht kohët e fundit, tashmë ka në dorë dhe Rafinerinë e Naftës në Cërrik.

Koncesionet për “Kurum”

Vetëm gjatë vitit 2013, “Kurum” ka përfituar disa koncesione në vendin tonë. Pas blerjes së 4 hidrocentraleve, “Kurum” i ka kërkuar qeverisë që në paratë e premtuara sipas kontratës të mos llogaritet TVSH-ja. Pra, sipas “Kurum”, nëse oferta ishte 110 milionë euro, qeverisë do t’i dorëzoheshin vetëm 88 milionë euro. Dhe kështu u bë. Pas kësaj, kompania “Kurum” u shpall fituese e koncesionit të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit. Ky terminal iu dha për menaxhim turqve për 35 vjet. Në bazë të marrëveshjes, kompania “Kurum” do të investojë 35 milionë dollarë në këtë terminal, por duke parë që as në uzinën e shkrirjes në Elbasan nuk ka bërë asnjë lloj investimi, gjasat për të bërë diçka të tillë në terminalin e Durrësit duken tejet të pakta. Pak më vonë, qeveria u angazhua në një tjetër shpërblim për “Kurum”. Skrapi i mbledhur nga makinat e vjetruara në Shqipëri, të cilat sipas një akti normativ të miratuar në shtator të vitit 2011 duhej të largoheshin nga rrugët nacionale, i jepet për menaxhim kompanisë “Kurum”. Tani, “Kurum” do të ketë në dorë dhe një tjetër pasuri shtetërore, Rafinerinë e Naftës Cërrik.

Qeveria merr vendime në kundërshtim me Gjykatën

Qeveria shqiptare merr vendime në kundërshtim me vendimet e Gjykatës. Kështu Gjykata e Tiranës në datën 22.07.2013, ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Bashkimit të Shoqërive ‘Delta’ sha, ‘Dast’ sha dhe ‘S.T.N.P.M’ shpk, për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ “Njoftim fituesi për rafinerinë e naftës Cërrik, Elbasan, shpallur në buletinin e prokurimit publik nr 27, datë 08.07.2013”. Ndërkohë në mbledhjen e Qeverisë në datë 24.07.2013, pra dy ditë më pas nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u mor vendimi për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “ROT”  (Rehabilitim – Operim – Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Kurum International”, sh.a., për rehabilitimin e rafinerisë së Cërrikut, rrethi Elbasan.

Odiseja e rafinerisë së Cërrikut

23.01.2013

– Ministria e Ekonomisë, bazuar në VKM, nr.54, datë 23.01.2013 “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik” dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, organizoi në 15 mars 2013 procedurën konkurruese për dhënien me konçesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, rrethi Elbasan.

– Në garën koncesionare morën pjesë 2 subjekte ofertuese dhe konkretisht:

1- Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Dast” sh.a., “Delta” sh.a. dhe “STNPM” sh.p.k.

2- Operatori ekonomik “Kurum International” sh.a.

02.04.2013

Me anë të shkresës nr. 1373/5, datë 02.04.2013 “Njoftim për ofertuesit e skualifikuar”, METE njofton operatorin ekonomik “Kurum International” sh.a. se oferta e paraqitur nё kёtё procedurё konkurrimi ёshtё skualifikuar.

05.04.2013

Në datën 05.04.2013, operatori ekonomik “Kurum International” sh.a. paraqitet ankim pranë Komisionit të Prokurimit Publik

08.05.2013

Në datën 08.05.2013, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, me kërkesë të këtij të fundit, u organizua një seancë dëgjimore me përfaqësues të operatorit ekonomik ankimues për të kërkuar disa sqarime në lidhje me disa pika të ankesës së këtij subjekti.

– Komisioni i Prokurimit Publik pas shqyrtimit të ankesës, dokumentacionit bashkëngjitur, të dokumenteve të dërguara nga autoriteti kontraktues si dhe pas seancës dëgjimore të organizuar, vendosi:

1. Të pranojë ankesën e operatorit ekonomik “Kurum International” sh.a., për procedurën koncensionare me objekt “Dhënie me koncesion e formës ROT të rafinerisë së naftës Cërrik, Elbasan”, zhvilluar nga autoriteti kontraktues Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në datë 15.03.2013;

2. Autoriteti kontraktues të shfuqizojë pikën 2 të vendimit të KVO-së, datë 02.04.2013;

3. Autoriteti kontraktues të korrigjojë shkeljen e konstatuar duke kualifikuar operatorin ekonomik “Kurum International” sh.a.;

– METE, në zbatim të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, dërgoi në Këshillin e Ministrave propozimin për të lidhur kontratë me shoqërinë Kurum, duke e zyrtarizuar kështu fituesin.

12.07.2013

Në 12 korrik bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Dast” sh.a., “Delta” sh.a. dhe “STNPM” sh.p.k e ka ankimuar shpalljen e Kurum si fitues në Gjykatën e Tiranës, e cila ka pezulluar shpalljen e fituesit të koncesionit të rafinerisë së Cërrikut, deri në shpalljen e vendimit final të gjykatës.

22.07.2013

Gjykata pezullon shpalljen e fituesit të rafinerisë së Cërrikut

Gjykata e shkallës së parë Tiranë, ka marrë në shqyrtim në 12.07.2013 çështjen civile me nr. 15745, me paditës: Bashkimi i Shoqërive ‘Delta’ sha, ‘Dast’ sha dhe ‘S.T.N.P.M’ shpk dhe të paditur: Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Objekti: Pezullimi i zbatimit të aktit administrativ, ‘Njoftim fituesi për rafinerinë e naftës Cërrik, Elbasan, shpallur në buletinin e prokurimit publik nr 27, datë 08.07.2013.

Në seancën gjyqësore të 22.07.2013, Gjykatësi Artur Gaxhi vendosi: “Gjykata pasi u njoh me kërkimin e paditësit për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ njoftim fituesi për rafinerinë e naftës Cërrik Elbasan shpallur në buletinin e prokurimit publik nr 27 dt 08.07.2013 dhe provat e cituar më sipër e vlerëson të drejtë kërkesën për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ të cituar më sipër dhe vlerëson të pranojë atë duke vendosur:

1- Pezullimin e zbatimit të aktit administrativ “njoftim fituesi për rafinerinë e naftës Cërrik Elbasan” shpallur në buletinin e prokurimit publik nr 27, datë 08.07.2013 deri në përfundim të gjykimit të çështjes.

2- Kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, e cila do të zhvillohet në datë 08.10.3013, ora 09.30.

24.07.2013

Vendimi

VENDIM Nr. 613, datë 24.7.2013 PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT TË FORMËS “ROT” (REHABILITIM, OPERIM, TRANSFERIM), TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË “KURUM INTERNATIONAL” SHA, PËR REHABILITIMIN E RAFINERISË SË CËRRIKUT, RRETHI ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21 pika 4, e 27 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Miratimin e kontratës së koncesionit të formës “ROT” (rehabilitim, operim, transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Kurum International” sh.a., për rehabilitimin e rafinerisë së Cërrikut, rrethi Elbasan, sipas tekstit dhe anekseve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.