Qeveria nuk ka dhënë paratë e burgjeve dhe internimeve, na mashtroi

580
Shtëpanja, që dikur quhej “fshati kulakëve”, ndodhet vetëm 5.5 km larg qytetit të Cërrikut, me një popullsi prej afro 12.500 banorësh. Ky fshat, që dikur mblidhte kontingjentin e të burgosurve politikë dhe shërbente edhe si vend për të internuarit politikë dhe familjet e tyre, ka pasur edhe vetë me dhjetëra persona, të cilët janë dënuar politikisht. Pas vitit 1990, banorët e fshatit të “kulakëve” ishin ndër të parët që përqafuan idetë demokratike dhe u rreshtuan në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, duke shpresuar se do të merrnin një ditë dëmshpërblimin e baballarëve, gjyshërve, vëllezërve dhe djemve të tyre, të dënuar, e pakta me 10 vjet burg dhe e shumta me 25 vjet, apo dënime kapitale. 
Të dënuarit politikë të komunizmit, të pashpërblyer në demokraci
Banorët e Shtëpanjës, prej 25 vitesh asnjëherë nuk kanë parë, përjetuar dhe nuk kanë shpresuar se një ditë ata do të dëmshpërbleheshin 100 për qind nga qeveritë, pavarësisht se deputetët dhe shpurat e tyre në çdo fushatë u premtonin se “do të merrni paratë, do të hapen vende pune, do të keni parajsën”. Shtëpanja sot jeton vetëm nga paratë e emigrantëve, pasi atje prej 25 vitesh veç rikonstruksionit gjysmak të shkollës në 1996, nuk ka pasur asnjë investim, punësim, zhvillim. Por, duke harruar këto dhe premtimet, banorët e fshatit, të etiketuar dikur si “fshati kulakëve”, kërkojnë paratë e burgjeve dhe internimeve. Ata, prej vitit 2005, ku morën veç 270 mijë lekëve të vjetra, deri sot nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga asnjë qeveri. Në 8 vitet e qeverisjes së PD, u mashtruan dhe nuk morën asgjë, kurse prej afro 3 vitesh ata po mashtrohen edhe nga PS, e cila u premtoi në fushatat e fundit kësaj shtrese “paratë 100 për qind për të gjithë ish-të përndjekurit dhe të pushkatuarit”. 
Qeveritarët dhe politikanët, veçse i gënjejnë me premtime 
Dhjetëra e dhjetëra familje dhe pasardhës të tyre, si nga familjet Muça, Lamçja, Xhika, Plaka, etj, deklarojnë se “të gjitha qeveritë na kanë premtuar, të gjitha na kanë mashtruar, është skandal, kemi marrë vetëm 270 mijë lekë të vjetra dhe ndonjë letër me vlerë dhe nuk kemi marrë asgjë, pasi na thonë keni mangësi të dosjes, të dokumentacionit, keni vonesa, keni pengesa, prit gomar të mbijë bar, jemi të mashtruar, i kemi nisur letër edhe deputetit të zonës Musa Ulqinit, edhe ish-ministrit Veliaj, edhe ministrit të ri të Mirëqenies Sociale, Klosit dhe pak shpresa kemi, ndaj kemi dalë në protesta, dhe do të bllokojmë aksin rrugor Cërrik-Banjë deri në plotësimin e kërkesave tona”. 
Banorët i bëjnë apel kryeministrit, ministrit dhe deputetit për të drejtat e tyre ligjore
Banorët e fshatit të “kulakëve” kërkojnë nga ministri Klosi, kryeministri Rama dhe deputeti zonës Musa Ulqini, një përgjigje të saktë dhe të shpejtë, lidhur me afatin e marrjes së parave të burgjeve, pushkatimeve dhe atyre të internimeve të bëra për 45 vjet rresht, ndryshe ata nuk do të ndalin protestat, dhe nuk do të qasin këmbë politikani në fshatin e tyre”. Shpresat e tyre janë shuar edhe nga premtimet e krerët e shoqatave të ish-të përndjekurve, pasi edhe ata, sipas tyre, “shohin interesat e tyre dhe nuk kanë ardhur qoftë edhe njëherë tek ne në fshatin e “kulakëve” në Shtëpanjë dhe të shohin si jetojnë ish-të burgosurit politikë, familjet e tyre, fëmijët e tyre, ndërkohë që, kur duhemi për protesta, na njoftojnë 5 ditë para, boll me premtime dhe mashtrime të tilla”.
Banorët e mashtruar do të reagojnë fort ndaj qeverisë
Nënkryetari i degës të Ish-Persekutuarve, Ilmi Plaka u shpreh se, “qeveria po vonon dhënien e parave që na takojnë, kjo nuk është serioze, na thonë se keni mungesa në dosje, në dokumentacion dhe ne presim me vite, kurse ata që janë akoma gjallë dhe po shkojnë nga 85 apo 90 vjeç dhe që janë drejt fundit, nuk kanë marrë asnjë qindarkë, ku janë premtimet e bëra, qoftë nga Veliaj dhe nga Klosi, ndaj i kërkojmë të mos tallen me ne, sepse edhe ne do të dimë t’u përgjigjemi”.
Ilir Dyrmishi
Sigal