Qeveria: Kushtet për shitjen e naftës dhe gazit

442
Këshilli i Ministrave përcaktoni, me një vendim të posaçëm, rregullat dhe normat e mirëmbajtjes të instalimeve 
Këshilli i Ministrave përcaktoi, me një vendim të posaçëm, rregullat, kushtet teknike dhe normat e mirëmbajtjes të instalimeve që shërbejnë për përpunimin, transportin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit e nënprodukteve të tyre. “Qëllimi i këtij vendimi është rritja e sigurisë dhe përmbushja e standardeve, nëpërmjet kryerjes së shërbimeve periodike, të specializuara, për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe të instalimeve nën presion që u shërbejnë këtyre aktiviteteve, si dhe certifikimit të zbatimit të normave teknike në këtë fushë”, thuhet në materialin shpjegues të vendimit. Qeveria ka përcaktuar që shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë e përpunimit, të transportimit, depozitimit dhe tregtimit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre janë përgjegjëse për kryerjen e kontrollit teknik, periodik të instalimeve të tyre, të cilat duhet të jenë të pajisura edhe me mbrojtjen katodike dhe duhet të demonstrojnë përputhshmërinë e saj me kërkesat e legjislacionit në fuqi për konformitetin. Ndërkohë inspektorati shtetëror përgjegjës, në varësi të ministrisë përgjegjëse që mbulon veprimtarinë hidrokarbure, merr masa për zbatimin e këtij vendimi. “Në rastet kur konstatohet mosrespektimi i kërkesave të këtij vendimi, inspektorati shtetëror përgjegjës merr masat përkatëse, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”, thuhet në vendim. Aty përcaktohet se “vërtetimet teknike për respektimin e normave dhe të kushteve teknike në instalimet teknologjike për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre lëshohen nga organet e miratuara të vlerësimit të konformitetit, të akredituara në fushën e certifikimit dhe të inspektimit teknik të linjave teknologjike në fushën hidrokarbure”. “Këto organe, përveç kërkesave të përgjithshme të akreditimit, duhet të plotësojnë edhe kërkesa të veçanta për njohjen dhe operimin e sistemeve e të instalimeve të fushës hidrokarbure. Kërkesat e veçanta që duhet të plotësojnë këto organe, kushtet dhe procedura për lëshimin e vërtetimeve teknike miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës që mbulon veprimtarinë hidrokarbure”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Sigal