Qendra e Holokaustit “Jad Vashem” vlerëson Kasem Koçerrin, Meta: Krenar që asnjë hebre s’u lejua të binte në duart e nazistëve

124
Sigal

 

Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta si dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, u zhvillua në Institucionin e Kreut të Shtetit ceremonia e vlerësimit të Kasem Koçerrit dhe familjes së tij nga fshati Beshisht i Vlorës, për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e çiftit hebreo-vlonjat Moisi dhe Zhaneta Solomoni, nga Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit “Jad Vashem”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Ju uroj mirëseardhjen në Institucionin e Kreut të Shtetit!

Është privilegj të jemi së bashku me ambasadën e Shtetit të Izraelit, për të nderuar një familje të thjeshtë shqiptare, e cila në kohët më të errëta të historisë njerëzore, të Holokaustit, mori në besë, strehoi dhe shpëtoi nga përndjekja naziste, dy jetë njerëzish.

‘Torahu’, Bibla e Vjetër e hebrenjve thotë: ‘Ai që shpëton qoftë edhe një jetë njeriu, ka shpëtuar botën mbarë!’

Ndërsa ne, shqiptarët, themi: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!’

Më 4 nëntor 1996, Jad Vashemi, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, pasi verifikoi historinë e të mbijetuarve dhe dokumentet përkatëse, e shpalli Kasem Koçerrin si ‘Të Drejtë mes Kombeve’.

Kasem Koçerri, një fshatar nga Beshishti i Vlorës, i dha besën, strehoi dhe shpëtoi nga kthetrat e nazistëve gjermanë Moisi dhe Zhani Solomonin, duke i fshehur në shtëpinë e tij, si dhe duke rrezikuar jetën e tij e të familjarëve.

Historia e familjes Solomoni është një nga dhjetëra e qindra histori të hebrenjve që u gjendën në vendin tonë, në ato vite të errëta të historisë njerëzore, dhe që me shumë dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar.

Mikpritja, fisnikëria dhe bujaria shqiptare, sidomos gjatë periudhës së Holokaustit, nuk njohu kufij.

Mikpritja jonë është shndërruar në proverbiale, anembanë botës, që nga Izraeli, vendet europiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe ne, me të drejtë, jemi krenar për faktin që, asnjë hebre i vetëm, nuk u lejua të binte në duar e nazistëve gjermanë.

Ndërsa sot, kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të një vlerësimi të rrallë dhe zyrtar nga Jad Vashemi i Shtetit të Izraelit, ndaj Kasem Koçerrit, një bashkatdhetari tonë të thjeshtë, por mbartës dhe përçues i denjë të virtyteve më të mira shqiptare.

Ky vlerësim është njëkohësisht, një shembull i lidhjes së fortë, që vazhdon të ekzistojë midis dy popujve tanë dhe i respektimit të veprës së shumë familjeve shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lavdi përjetë veprës së rrallë njerëzore të familjeve shqiptare! I përjetshëm qoftë kujtimi fisnik i Kasem Koçerrit si i “Drejtë mes Kombesh!”