Qemal Lamaj: Ismail Kadare u përjetësua si gjeni i letrave shqiptare

Me përgjegjësi e dëshirën e mirë, shkruaj për të shprehur mendimin tim në 90 vjetërin e lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit të madh, një prej figurave më të vlerësuara dhe një personalitet unik i kulturës shqiptare në botë.

Ismail Kadare me veprën e tij vuri në memorjen e kombit vlerat e kulturës origjinale të shqiptarëve. Me mjeshtërinë e mendimit të tij, ai trajtoi me përgjegjësi e cilësi të lartë të formulimit e transmetimit aktual të ngjarjeve madhore historike, miteve e legjendave. Ai me të drejtë cilësohet si gjeniu i papërsëritshëm i letrave shqipe.

Sigal

Ismail Kadare në kritikën dhe kulturën botërore përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për studimet letrare shqiptare, por edhe për afirmimin ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë e kulturës sonë. Vepra e tij dëshmon se krijimtaria e Kadaresë nuk është thjesht vetëm objekt leximi, por një korpus i qëndrueshëm kritik, i pranishëm në tradita të ndryshme akademike dhe në gjuhët kryesore të kulturës botërore.

Ismail Kadare është shkrimtari që i dha letërsisë një hapsirë të re universale. Ai arriti të shndërrojë letërsinë, mitin dhe kujtesën e një kombi me histori të lashtë të ndarë padrejtësisht e të gjakosur nga pushtuesit e shovinistët e huaj në kategori estetike e morale me domethënie ndërgjegjësuese kombëtare e ndërkombëtare. Vepra e tij flet për fatin e njeriut patriot e liridashës, për pushtetin e lirinë, për dhunën e padrejtësitë e historisë, besën dhe qëndresën e mendimit e të guximit për të rezistuar, mposhtur vështirësitë e ndryshuar me durim realitetin e forcuar identitetin kombëtar. Temat e analizuara e shkruara me stil të veçantë ku fjala kumbon fuqishëm, e vendosin atë natyrshëm në dialog me traditën kombëtare e evropiane, nga antikiteti e deri te aktualiteti i kohës sonë moderne.

Kadare është autori më i njohur shqiptar në letërsinë botërore. Vepra e Kadaresë tregon se ai nuk është vetëm një autor kombëtar i përkthyer në afro 40 gjuhë të huaja, por një shkrimtar me përmasa botërore, i njohur e lexuar, vlerësuar e debatuar në opinonin publik, median, shkolla, universitete, akademi dhe qendra studimore e shkencore, personalitete me artikulime dinjitoze në libra dhe enciklopedi. Kritika letrare e brendshme dhe ajo ndërkombëtare, e reflektuar në mënyrë sistematike edhe në botimet e shumta, e dëshmon qartë këtë kontribut e status dhe e vendos me meritë e denjësisht veprën e tij në një nivel dimensional e dinjitoz të qëndrueshëm personal e krahasues me autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me botimin e fundit në tre vëllime “Kadare në kritikën ndërkombëtare” të promovuar me rastin e 90 vjetorit të lindjes, më 28.01.2026, dokumenton dhe transmeton për të njohur më gjerësisht kontributi me dimensionin filozofik, kritik, gjuhësor dhe ndërkulturor të veprës kadareane sot. Ai reflekton një hapsirë dialogu midis shkollave kritike shqiptare e ndërkombëtare evropiane e më gjerë, duke e forcuar më tej personalitetin e Kadaresë bashkë me autorët e tjerë të mëdhenj Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, etj., si dhe praninë e tij të aq të lartësuar në horizontin e mendimit letrar ndërkombëtar.

Dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit tregojnë se, edhe pse Ismail Kadare nuk u prek drejtpërdrejt nga represioni i regjimit gjatë jetës së tij. Madje ai u vlerësua nga autoritetet zyrtare.  Edhe rati Kadare është dëshmi  e mekanizmit të frikës dhe interpretimit ideologjik të krijmatërisë  letrare dhe mbajtjes nën vëzhgim të vazhdueshëm të individit që bëhet i rrezikshëm për regjimin. Ndjekia dhe persekutimi i personaliteteve, krijuesve e intelektualëve në regjimet totalitare tregojnë se nuk është e nevojëshme të goditen të gjithë njëkohësisht. Qëllimi është që të gjithë të ndjejnë frikën dhe të ndjejnë realisht se janë potencialisht të pafuqishëm, të pasigurtë e të goditshëm në kohën e përshtatëshme. Shkrimtari tentohet për ta inkriminuar e arrestur, por nuk dënohet. Ai regjistrohet, interpretohet, arkivohet dhe mbahet nën vëzhgim, një mënyrë për ta shndërruar lirinë krijuese në vetë-kontroll dhe brenda kornizës politike, ideologjike e letrare.

Ismaili i shpëtoi dënimit nga vetë personaliteti që krijoi dhe mbështetja e mendimit shoqëror dhe njohja ndërkombëtare.

Shqiptarët, shteti e institucionet studimore e shkencore e vlerësojnë këtë jubile si një akt kujtese kulturore, por njëkohësisht edhe si një akt përgjegjësia morale e shkencore dobinë për të studiuar, sistemuar e transmetuar trashëgiminë e një autori me kontribute të jashëzakonshme që ia dhënë identitet origjinal e dinjitet të merituar letërsisë e kulturës shqiptare në qytetërimin e sotëm.  Vlerësimi me përgjegjësi i veprës në këtë përvejtor është një nderim për Ismail Kadarenë, por edhe një shembull pozitiv motivues për brezat e ardhshëm, fëmijët e të rinjtë, njerëzit e thjeshtë e studiuesit që ta ruajnë e transmetojnë këtë trashëgimi duke e njohur, lexuar, rishikuar e pasuruar dhe vendosur veprën e tij në dialog të vazhdueshëm për edukimin dhe dialog me kulturën kombëtare e atë ndërkombëtare.