Qëlloi mbi policinë, Ardjan Çapja dërgohet në Drejtorinë e Policisë Tiranë

493
Ardjan Çapja, një nga autorët e dyshuar se qëlluan mbi policinë në Elbasan, javën e kaluar, është dërguar nga spitali i burgut drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Nën masa të forta sigurie, 48-vjeçarit do t’i merren shenjat e gishtave dhe më pas do të dërgohet për në burgun 313. Ai kishte shfaqur probleme shëndetësore me zemrën dhe që prej të enjtes ndodhej në spital. Për të Gjykata e Krimeve të Rënda i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Të shtunën Gjykata për Krimet e Rënda caktoi edhe masën “arrest me burg” për Florenc Çapjen dhe Bledar Muçën, ndërsa për Ambri Sinakollin, Fiqeret Meçen, Kastriot Peqinin, Serxho Hakiljan e Jetmir Shehun u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 1 muaj. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes ku anëtarë të fisit Çapja hapën zjarr ndaj forcave të rendit. Kështu pak para se të qëllohej me armë automjeti ku ndodheshin dy punonjës të forcave operacionale, kanë qenë në lëvizje në rrugën “ Emin Matraxhiu” .
Mjeti që ata duhej t’a mbanin në vëzhgim i ka shoqëruar nga pas për një kohë të shkurtër dhe më pas ua ka bërë me shenjë me drita që të ndalonin.
Pas këtij sinjalizimi nga dera e pasme e tij, ka dalë një person i cili ka qëlluar me pistoletë xhamin e pasëm të makinës së policisë. Më pas ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit ku pas ndërhyrjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është bërë i mundur arrestimi i Ardian Çapjes, Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës.
Sigal