Qazim Sejdini: S’do lejojmë helmet nga Siria të asgjësohen në Elbasan!

551
Sigal

Kryebashkiaku: Mbi 200 mijë banorë të qytetit e rrethinave vuajnë ndotjen e Metalurgjikut dhe djegieve urbane

 Kryetari i Bashkisë së Elbasanit zoti Qazim Sejdini, ka deklaruar edhe njëherë prerazi se do të jetë mbrojtësi i zjarrtë i jetës së banorëve të qytetit të tij, duke mos pranuar dhe mos lejuar futjen e mbeturinave të armëve kimike siriane. Në një prononcim për mediat zoti Sejdini tha se: “Mbetem i vendosur të mos pajtohem me asnjë vendim për futjen e asnjë gram armë kimike siriane në territorin e Elbasanit, e cila do të ishte fatkeqësia më e madhe për popullatën dhe ambientin, e cila edhe kështu në këtë situatë po vuan ndotjen e helmeve të dala nga oxhakët e ish-kombinatit metalurgjik”. Kryetari Sejdini ka qenë dhe mbetet i vendosur edhe për masat radikale ndaj ndotësve të tjerë të qytetit të Elbasanit, duke ngritur vazhdimisht zërin e tij në të gjitha dikasteret qeveritare. Zoti Sejdini prej 3-4 vitesh po lufton fuqishëm për marrjen e një territori nga ish-kombinati metalurgjik për të ndërtuar landfillin e plehrave të qytetit, aq i domosdoshëm për higjienën dhe pastërtinë e Elbasanit. Prej vitesh plehrat e qytetit digjen në periferinë e Elbasanit, dhe shpesh tymi tyre shkakton smog të llahtarshëm në disa lagje të tij. Por duket se lajmi i përhapur në media se “Në Mjekës do të vijnë edhe armët kimike të Sirisë për demontim”, ka zgjuar tek zoti Sejdini sërish indinjatën qytetare dhe intelektuale, të cilën po përpiqet ta bashkojë edhe me të tjera  rrethe intelektuale e popullore për ti thënë “Ndal Helmeve nga Siria!”. Ardhja e tyre do të ishte  një katastrofë jo vetëm ekologjike por edhe njerëzore për Elbasanin, i cili më shumë se kurrë ka mbrojtës të interesave të popullatës tij, kryetarin e Bashkisë zotin Qazim Sejdini. Kryetari Bashkisë  tha se “duhet ti themi pro jetës, pro turizmit, pro ruajtjes së natyrës, pro resurseve që ka zona e Elbasanit dhe gjithë Shqipëria jonë e përbashkët,  dhe ndal ndotjes dhe kërcënimit të jetës së njerëzve sot dhe brezave të do të vijnë”. Prej afro 5 vitesh në fshatin Mjekës vetëm 7 km larg Elbasanit, demontohen armë të kalibrave të ndryshëm dhe municione, të cilat jo vetëm kanë dëmtuar banesat dhe ambientin e bukur të asaj zone, por edhe jetën e banorëve dhe veçanërisht të punëtorëve brenda saj. Ndaj ardhja e mbeturinave të armëve kimike, do të ishte katastrofa më e madhe dhe kërcënimi më evident  ndaj asaj zone dhe qytetit të Elbasanit. Sipas vendimeve të OKB dhe rregullave ushtarake, duhen të paktën 30 km larg qendrat e demontimit të këtyre armëve kimike, gjë të cilën Shqipëria  jo vetëm nuk e plotëson si kusht, por nuk ka as kapacitetet njerëzore e teknologjike të nevojshme. Nga ana e tyre edhe banorët e fshatit Mjekës kanë shprehur kënaqësinë e tyre dhe i janë bashkuar mbështetjes së Kryetarit të Bashkisë, duke i kërkuar qeverisë të mos pranojë futjen e tyre , sepse do të ndeshen me protesta të fuqishme dhe të pa negociueshme popullore.