Qazim Sejdini: Mbyllëm një vit me arritje, projekte dhe premtime të mbajtura

618
Kreu i Bashkisë së re të Elbasanit, zoti Qazim Sejdini në një intervistë për “Telegraf” ka detajuar problemet, por edhe arritjet e vitit 2015, vështirësitë dhe projektet për një Elbasan të ri dhe bashkëkohor, duke synuar përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit. 
Zoti Sejdini, sipas jush si po mbyllet viti 2015?
Viti 2015 edhe për Bashkinë e Elbasanit, mua dhe stafin tim, natyrisht po mbyllet me hallet dhe problemet e ditës, por edhe vijueshmërinë e premtimeve, të cilat po mbahen nga ne çdo ditë, me vijueshmërinë e projekteve që synojnë një infrastrukturë të re, një rrjet kanalizimesh të ri, një rrjet ujësjellësi të ri, një rrjet ndriçimi për çdo lagje të qytetit, pastërti dhe higjienë maksimale për qytetin dhe ambientet ku jeton komuniteti. Viti 2015 po mbyllet me angazhimin maksimal të stafit tim, të drejtuesve të rinj të njësive administrative, për t’ju gjendur sa më pranë halleve dhe problemeve të popullatës, po mbyllet me angazhimin e Bashkisë dhe stafit për të siguruar ngrohje në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e qytetit, për të siguruar bazën e nevojshme materiale etj. Viti 2015 po mbyllet me angazhimet e Bashkisë për t’ju ardhur në ndihmë moshës së tretë, për të cilët janë ngritur qendra modern, ku ata kalojnë kohën e lirë, për t’ju ardhur në ndihmë romëve kësaj shtrese, e cila ka shumë nevojë për t’i zgjidhur hallet dhe problemet, duke nisur nga strehimi, arsimimi, punësimi etj. Ne sivjet jemi të parët si Bashki që kemi futur në shkolla gjuhën rome, po ashtu edhe në Universitetin e Elbasanit, jemi të parë që kemi nisur zbatimin e projekteve për t’i integruar ata në jetën shoqërore të qytetarëve elbasanas. Bashkia e Elbasanit ishte e para që thithi nga qeveria dhe që mori “OK” e kryeministrit Rama qysh para fushatës zgjedhore për ngritjen e landfillit të plehrave nga më modernët në Shqipëri, dhe polifunksional dhe që së shpejti nis nga puna. Ne jemi të parë që kemi thithur investime nga fondet qeveritare për strehimin, punësimin, nxitjen e biznesit dhe ndihmën ndaj shtresave në nevojë. Jemi të parët për konsensusin e arritur në Këshillin Bashkiak, kur bëhet fjalë për interesat e qytetit dhe komunitetit, kjo natyrisht i shërben për mirë edhe klimës politike në Elbasan. Kjo padyshim tregon edhe për qytetarinë që i karakterizon elbasanasit. 
Kam dëgjuar, se fill pas fitores së mandatit të tretë i zutë derën ministrave. Çfarë konkretisht, kërkuat?
Po e vërtetë është, e kisha premtuar edhe gjatë fushatës time elektorale, i kisha premtuar banorëve të Bashkisë re, por edhe ministrave, duke ju deklaruar se, vetëm 24 orë pas fitores do të jem i pari që do të trokas në derën tuaj për hallet e qytetit dhe projektet e investimeve. Dhe e vërteta është se dera e tyre ka qenë dhe mbetet e hapur për mua, për qytetin dhe projektet e investimeve për Elbasanin e ri dhe modern. Trokita në derën e çdo ministri dhe mora prej tyre jo vetëm “OK” me fjalë, por edhe me vepra, mora fondet e investimeve, që kanë nisur të bëhen realitet prej 2 muajsh. Kemi nisur investimet madhore në infrastrukturë, rrjetin e kanalizimeve, ujit të pijshëm, ndriçimin e akseve dhe rrugicave, ndërtimin e parqeve, dhe e kemi nisur nga parku “Aqif Pasha”, i cili shumë shpejt do të jetë një qendër e re dhe moderne për qytetarët, fëmijët dhe moshën e tretë, me gjelbërim, ndriçim, dhe aksesorë të tjerë bashkëkohorë. Planet dhe projektet e Bashkisë së Elbasanit, që unë drejtoj dhe stafit tim, janë të shumta dhe afatgjata, por unë shpesh preferoj të mos flas shumë, por të veproj shumë. Dhe mendoj se e kam arritur ta bëj realitet këtë. Sot Elbasani është një qytet ku jetohet, investohet, krijohet, promovohet dhe projektohet e ardhmja e qytetit dhe brezave. Ku fundviti ka ardhur bashkë me realizimin e premtimeve të dhëna qytetarëve, ka ardhur bashkë me angazhimin e stafit tim të ri, për ta kthyer Elbasanin në qytetin e lakmueshëm për resurset e veta, për turizmin, prodhimet e veta tradicionale, pasi ky qytet dhe banorët e tij e meritojnë, pasi janë punëtorë, bujarë, dinjitozë, dhe besojnë se edhe viti 2016 do t’u sjellë atyre suksese dhe mbarësi të tjera. 
Ju Faleminderit, zoti Sejdini
Edhe unë ju falënderoj, ju dhe gazetën tuaj “Telegraf”, e cila ka qenë dhe mbetet e dashur për mua, një gazetë, të cilën e kam në zyrën time qysh herët në mëngjes. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e ri 2016! 
Sigal