Qafë e Gjarprit e Gur i Prerë, do kujtohesh ngaherë…

2661
Sigal

Skicë nga Xhevahir Cirongu

Sa herë që vështroj këtë foto, kujtoj me lot në sy djemtë e vajzat që luftuan me guxim e trimëri kundër nazi-fashizmit . Vështroj me kujdes pas kaq vitesh çdo gur e plis dheu. Dhe …aty gjen ende gjurmë gjaku të tharë! Në lapidar janë të shkruar emrat e dëshmorëve që ranë për lirinë e atdheut tonë Shqipëri. Ishte 6 qershori i vitit 1944, ku atëherë në këto dy qafa malesh në Tomor u zhvillua beteja e ashpër midis forcave gjermane të ardhur nga Korça, Lozhani e Vidhkuqi. Në këto gryka malesh ishin pozicionuar shqiponjat partizane të Brigadës Parë e të Pestë Sulmuese. Beteja qe shumë e ashpër midis forcave partizane dhe gjermane, madje deri në përleshje trup me trup. Tym e flakë u ndez dheu, drurët e gurët. Kënga e zogjve s’dëgjohej më. Lulet s’kishin aromën e tyre, sepse baruti ua prishi buzëqeshjen dhe shkëlqimin, sa dhe dielli vajtonte atë ditë qershori të vitit 1944-ës. 6 qershor 2018! Përsëri kujtojmë me lot, dhimbje e krenari si 74 vite më parë këtë betejë të përgjakshme. Në lapidar janë skalitur emrat e 32 dëshmorëve.

Ata jenë yje që ndriçojnë në altarin e lirisë! Lulet rriten me gjakun e dëshmorëve e u thonë çdo ditë “mirëmëngjesi” dëshmorëve të lirisë, ashtu si në gjithë Shqipërinë , edhe në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë. Populli i zonës Tomorricë, Skrapar, Vërçë e Sulovë, Gramsh, Gorë e Opar, Korçë , u kanë thurur e këndojnë shumë këngë dëshmorëve që ranë në fushën e betejës së përgjakshme, më 6 qershor 1944, në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë. I kujtojmë dëshmorët e atdheut ngaherë, sepse ata kanë vetëm ditëlindjen e përhershme që ka emrin, Liri!