Pushtetarët të nxirë nga plazhet, pyjet dhe shqiptarët të sterrosur nga zjarret

268
Sigal

Malet dhe pasuria kombëtare janë në mëshirë të fatit dhe po digjen nga zjarret, ndërkohë që pushtetarët lokalë, pas misionit të 25 prillit, kanë nisur pushimet. Mali i Tomorrit, së bashku me faunën ka 1 javë që po shkrumbohet dhe deputetët e Qarkut të Beratit, që dy muaj më parë shkonin natën shtëpi më shtëpi si “mama dhia” për vota, tani kanë ikur në drejtim të paditur. Vendi nuk ka avion  zjarrfikës, por avioni qeveritar, shëtit në tërë botën

Nga Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës ‘Telegraf’  

Edhe pse ka kaluar 1 javë, zjarri në Malin e Tomorrit, vazhdon të shkrumbojë mijra hektarë me pisha, bredha, shkurre, flakët e së cilit natën vonë duken deri në brigjet e Barit në Itali. Bashkë me pyjet, po digjen edhe kafshët, për të cilët qeveria gjoja, ka vënë në zbatim ligjin për gjuetinë, duke ndaluar gjahtarët të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Dhe mirë ka bërë. Por ndërsa kafshët e mjera si ariu, ujku, dhelpra, lepujt, dhitë e egra, kaprolli, zogjtë dhe shpendët menduan se u shpëtuan gjahtarëve për 8 vjet, mjaftoi një zjarr për t’i shkrumbuar, sëbashku me foletë dhe guvat ku këto kafshë kishin strehën e tyre. Sikur të mos i mjaftonte zhveshja që po i bëhet nga guroret, Mali i Tomorrit, një vend i shenjtë, po shkrumbohet edhe nga indiferenca e tejskajshme dhe papërgjegjshmëria e shtetit.

“Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, por ka avionë për kryeministrin, i cili shëtit anembanë botës, madje në shumë raste edhe për të promovuar ekspozita  pikture…”

Por zjarret, përveç Malit të Tomorrit, po shkrumbojnë gjithë vendin nga Jugu në Veri dhe kjo,për turp të qeverisë e shtetit, pasi Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, por ka avionë  për kryeministrin i cili shëtit anembanë botës, madje, në shumë raste, edhe për të promovuar ekspozita pikture. Ndoshta pamjeve të vrasjeve për shezllonet, shoqëruar edhe me fotot e çadrave, do t’u shtohen në ekspozitat e radhës, edhe momente nga zjarret më frymëzuese në Shqipëri, ku masakra dhe heshtja për shkrumbosjen e Malit të Tomorrit, do të jetë më i veçanti për shijet e piktorit.

Njoftojini deputetët e Beratit se, Malin e Tomorrit po e shkrumbon zjarri!

Po ku janë deputetët e Beratit, të cilët nuk lanë shtëpi pa shkelur dhe pa hyrë për të mbledhur vota? Deputetët të shoqëruar edhe nga shpura e tyre, policia, pushteti lokal, drejtorët rajonalë por edhe nga bandat më kriminale të trafiqeve në Zvicër, Itali, Greqi e Belgjikë, sa niste errësira, si ujqër dhe çakenj, lyenin duart dhe këmbët, duke imituar “mama-dhinë” dhe turreshin nga dritaret, dyert dhe oxhaqet, për të kërkuar vota. Ku janë strukur këta pehlivanë? Pse nuk marrin inciativën për të shuar zjarrin që po shkrumbon malin e shenjtë të Tomorrit ? Përgjigja dihet: “Mora votën, të bëfsha Malin e Tomorrit”. Një pjese prej tyre nuk ua ndjen, sepse nuk kanë asnjë lidhje me Beratin, Poliçanin dhe Skraparin. Ndërsa disa të tjerë, janë mësuar që të kërcejnë sa hu më hu dhe ta trajtojnë qarkun e Beratit si lopë për ta mjelë çdo katër vjet, por pa e ushqyer asnjë ditë.

“Ku janë strukur deputetët e Qarkut të Beratit që nuk kujtohen për zjarrin në Malin e Tomorrit ?  Vetëm dy muaj më parë, sa niste errësira, ata si ujqër dhe çakenj, lyenin duart dhe këmbët duke imituar “mama-dhinë” dhe turreshin nga dritaret, dyert dhe oxhaqet për të kërkuar vota.”

Por hipokrizia e qeveritarëve tanë ka të bëjë edhe me faktin se, për ta mbajtur zjarrin “larg menderes” së tyre, në sarajet private që kanë ndërtuar në Surrel dhe rreth Dajtit, është vendosur me shërbim “non stop”, 1 automjet zjarrfikës, i kompletuar me 6 punonjës dhe një linjë e posaçme furnizimi me ujë të bollshëm, për rast emergjence… Është rast i rrallë në botë, që një shtetar si kryeministri ynë, del e “zbardh dhëmbët” ekraneve televizive dhe shkon për t’u freskuar në plazhe me një ushtri roje, me rërë të situr, me ujë të filtruar e ushqime importi të sigurta, kur 50% e pemëtoreve, territorit të gjelbër dhe parqeve e qendrave turistike, banesave dhe restoranteve po digjen nga zjarret e për më tepër, kur populli bën plazhe në dallgë ujërash të zeza, në rërë të mbushur me jashtëqitje e plehra, në bregdet pa asnjë roje sigurie dhe me ushqime që të “vrasin”.

Por alarmi qëndron tek zjarret që po djegin gjithë territorin e vendit! Qeveria nuk po i shuan dot, për shkak se në gjysmat e bashkive nuk janë ngritur stacione zjarrfikës, edhe pse ka miratuar ligjin e ka akorduar fondet, që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Qeveria nuk po i shuan dot zjarret, mbasi në 100% të zonave rurale ku gjenden pyjet e kullotat, nuk ka shërbim zjarrfikës, në 80% të stacioneve zjarrfikës, nuk ka ekipe të kompletuara, as në numër dhe, as si efektivë të specializuar.

Zonat pa ujë e në flakë, 34 kryetarë dhe 60% e zyrtarëve të bashkive, në plazhe, pasi realizuan planin e grumbullimit dhe blerjes së votave të 25 prillit.

Pasi vulosën paradhënie kutitë e 25 prillit, firmosën edhe tenderët e radhës, shumica e kryetarëve të bashkive në Shqipëri, u hipën familjarisht avionëve e veturave luksoze dhe shkuan me pushime në plazhe e resorte malore, për t’u rikthyer në javën e fundit të gushtit, në vilat dhe rezidencat e tyre private!

“Pasi vulosën paradhënie kutitë e 25 prillit, firmosën edhe tenderët e radhës, shumica e kryetarëve të bashkive në Shqipëri, u hipën familjarisht avionëve e veturave luksoze dhe shkuan me pushime në plazhe e resorte malore”

Nisur prej një letre të ardhur në redaksi nga banorët e një qyteti turistik, lidhur me faktin që qyteti i tyre ishte prej 15 ditësh pa “asnjë pikë” ujë, ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit, drejtori i ujësjellësit, nënkryetarët dhe pothuajse gjithë administrata e bashkisë, kishin ikur në plazhe, gazeta “Telegraf”, kreu një investigim, duke telefonuar në të 61 bashkitë e vendit, duke u prezantuar si “investitor i huaj”, që kërkonte takim me kryetarët ose nënkryetarët! Nga telefonatat e bëra në 61 bashkitë që ka vendi, në 34 prej tyre na dhanë të njëjtën përgjigje: “Kryetari dhe n/kryetari janë me leje, kanë ikur me pushime në plazh, kthehen në shtator”! Nga përgjigjet, mësuam se 34 prej krye-bashkiakëve, kanë shkuar me pushime jashtë Shqipërisë, 13 prej të cilëve kanë përdorur bileta avioni, të planifikuara për “vizita pune”! Nga vëzhgimet dhe investigimet që kanë kryer gazetarët e “Telegraf” në zona, rezulton se përveç kryetarëve, me pushime vjetore kanë ikur edhe 60% nëpunësve të zyrave të shërbimeve të përditshme ndaj popullit, kanë ikur me pushime! Madje, në 26 prej bashkive, janë boshatisur edhe zyrat e Gjendjes Civile, duke lënë vetëm nga 1 punonjës, me pasojë kaosin e krijuar prej kërkesave të shumta që kanë emigrantët për shërbime dhe qytetarët që duan të regjistrojnë adresat e reja nga frika e gjobës sa 1 pension mujor pleqërie! Vetëm në Shqipëri ndodh skandali shtetëror që kur zonat “vishen” nga flakët e zjarrit shkatërrues dhe banorët “digjen” për ujë, kryetarët e 34 bashkive dhe vartësit e tyre… relaksohen nëpër plazhe!