Pushkatimi si “bashkëpunëtorë të anglo-amerikanëve” i Baba Ali Tomorrit e Shefqet Gllavës

1745
70 vjetori i ndarjes nga jeta të klerikëve bektashinj, baba Ali Tomorri e Shefqet Gllava
Klerikët e njohur atdhetarë, pushkatohen më 14 janar të vitit 1948 si ‘bashkëpunëtorë të anglo-amerikanëve’
Mezi i muajit janar shënon një nga ngjarjet përkujtimore të rëndësishme për komunitetin bektashian e më gjerë, ndarjen nga jeta të dy klerikëve të njohur bektashinj, baba Ali Tomorrit dhe Shefqet Mahmutajt-Gllava. Pikërisht, janari i këtij viti (data 14) shënon ekzekutimin e këtyre dy klerikëve e atdhetarëve, nën akuzën e ‘bashkëpunimit me anglezët’. Përkujtimi i tyre bëhet në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane si dhe në teqetë ku ata kanë shërbyer me dekada. “Klerikët e njohur bektashinj, baba Ali Tomorri e Shefqet Koshtani-Mahmutaj ja kushtuan jetën e tyre bektashizmit. Baba Ali Tomorri ishte një klerik, intelektual, gazetar i njohur dhe atdhetar që luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve, por që pati një fat të dhimbshëm, arrestimin e pushkatimin në vitin 1948. Po ashtu dhe baba Shefqet Gllava-Mahmutaj. Për kontributin që kanë dhënë, këta klerik,ë kujtohen sot e do të kujtohen në vazhdimësi nga miliona bektashinj në mbarë botën. Ata ishin atdhetarë, shërbëtorë të Hakut, që dhanë bekim e shpresë tek besimtarët, tek afrimin e tyre në dashurinë e pakufishme për Krijuesin…”- pohon Kryegjyshi botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kleriku baba Ali Tomorri
Baba Ali Tomorri ishte nga fshati Shalës i Tepelenës. Ai është njohur edhe me emrat baba Ali Kulmaku, baba Ali Prishta, Varf Ali Prishta, atë Ali Tomori, varf Ali Tepelena apo Ali Gjirokastra). Këta emra i ka marrë sipas vendeve ku ka shërbyer si bektashi. Ai si rrallëkush, ka qenë ndër klerikët bektashi më të arsimuar për kohën kur shërbeu si i tillë. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, vijoi mësimet në gjimnazin: “Zosimea” të Janinës ku jepnin mësim intelektualë eruditë me kulturë të gjerë. Ka dhënë ndihmesë të madhe në periodiket e komunitetit bektashian si “Reforma” dhe “Djersa”. Baba Aliu kish marrë dorë nga baba Shabani i teqesë së Prishtës. Aty bëri betimin si bektashi, më pas, u vesh dervish. Ka qenë njeri i ditur. Është i njohur si kronikan, poet dhe përkthyes. Ka përshkruar në mënyrë shembullore, si të ketë qenë gazetar profesionist, ngjarjet dhe masakrat që bënë grekët në zonën e Skraparit, Tomorricës dhe Beratit gjatë pushtimit të Shqipërisë Jugore në vitin 1914. Kronikat që mbajnë në fund për autor Varf Aliun e Taronini janë të pashembullta. Atëherë ishte vetëm 20 vjeç. Mbas djegies së teqesë së Prishtës (atje ku sot vendi quhet Teqetë e Vjetra), varf Aliu, bashkë me baba Shabanin, baba Ahmet Koshtanin dhe disa dervishë të tjerë u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në teqenë e Kajros, te baba Lutfiu. Aty qëndruan derisa u largua rreziku i pushtuesve grekë. Baba Shabani vdiq dhe u varros në Kajro. Të tjerët u kthyen në Shqipëri. Qendra për varf Ali Tomorrin ishte teqeja ku ai kish bërë betimin si bektashi, Prishta. Kjo është arsyeja që shumë shkrime të shkruara nga ai, nënshkruhen varf Ali Prishta apo Taronini. Si njeri i kompletuar (ai zotëronte gjuhën turke, arabe dhe frënge), ka luajtur një rol të veçantë në organizimin e Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë. Ndërkohë varf Aliu ka qenë edhe në ceremoninë e dekretimit të baba Kamberit, mbasi në atë kohë ndërroi jetë baba Hyseni, i cili, deri atëherë kish qenë udhërrëfyesi i asaj teqeje. Baba Ali Tomori (Prishta), si krijues, gazetar e shkrimtar, ishte i njohur edhe në rrethet letrare të vendit. Madje pas Çlirimit, në vitin 1946, me rastin e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes. Është rasti që të sjellim një nga poezitë e tij të shumta, e cila i kushtohet Kongresit të Parë Bektashian të mbajtur në Prishtë: Lavdi Zotit, gjithësisë/ Në udhë të Bektashisë/ Të bijve të Shqipërisë/ Që ra dita me shkëlqim!…Falur në zotrinjtë e mirë/ Me zëmër e me dëshirë/ Nuk jemi n’errësirë…

Pas përfundimit të Kongresit të Prishtës, varf Ali Tomorri u dekretua baba, titull i cili iu dha nga baba Ahmet Turhani. Që nga kjo kohë u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit. Baba Ali Tomori ishte vjershëtor i zoti. Zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe. Në kohën kur u mblodh Kongresi i Prishtës nxori një fletore të mbiquajtur “Reforma”. Vepra të tjera të baba Ali Tomorit janë “Histori Bektashiane”, “Literatura e Bektashinjve”, “Bektashinjtë e Shqipërisë” – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorit u botuan në gazetat e kohës. Baba Ali Tomori ka qenë promotori i Kongresit të Dytë Bektashian, i cili u mblodh në teqenë e baba Sulejmanit, në Gjirokastër. Ai mori pjesë drejtpërdrejt me armë në dorë, për të luftuar krah për krah me bashkatdhetarët kundër nazi-fashizmit. Mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin, e mbledhur në datat 2 – 3 të muajit gusht të vitit 1943, e zgjodhi baba Ali Tomorin (Prishta) anëtar të Shtabit të Ushtrisë të Qarkut të Beratit, ku midis të tjerëve, bënin pjesë dhe figura të shquara të Luftës Nacionalçlirimtare, si: Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Gjin Marku, Mestan Ujaniku etj.

Më 14 janar të vitit 1948 ai u akuzua si “spiun” i anglezëve (!) Ndaj edhe e pushkatuan. Një fund ky, shumë tragjik, i pamerituar për një bektashi që kish kontribuar me aq dashuri për Shqipërinë dhe fenë bektashiane. Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qenë: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria !”

Martiri i bektashizmit, baba Shefqet Gllava
Baba Shefqeti (Shefqet Mahmuti-Gllava) u lind në vitin 1885 në fshatin Gllavë e Madhe të Tepelenës. Ai vinte nga një familje e njohur atdhetare dhe me lidhje të hershme me besimin bektashian. Njëkohësisht, prindërit e tij, kishin dëshirë që Shefqeti të shkollohej dhe ti përkushtohej me shpirtë besimit bektashian. Për këtë shkak, në vitin 1906, kur nuk kishte mbushur ende 11 vjeç, nisi të shkojë në shkollë në Turballi. Në vitin 1913, Shefqeti kthehet në vendlindje, në fshatin e tij në Gllavë, por tashmë i veshur me petkun e klerikut bektashian. Kjo ditë, mbahet men si një ditë e shënuar, jo vetëm për klerikun e ri bektashian, por dhe familjarët, të afërmit dhe gjithë fshati. Djalin e ri të veshur me petkun e shenjtë, teksa ai u fut në fshat, pothuaj, askush nuk e njohu. Ishin motra e vëllezërit e tij, Xhemile, Refat, Jakup dhe Ahmet që e pritën të parët dhe u gëzuan pa masë për ardhjen e vëllait, jo vetëm se i kishte marr malli e kishin shumë kohë pa e parë, por dhe se ai tashmë ishte me uniformën e shenjtë bektashiane. Spontanisht, klerikut të ri të sapokthyer në vendlindje, nga ku u largua fëmijë, i bëhet një pritje madhështore. Në shtëpinë e Refatit erdhi pothuaj i gjithë fshati. Në respekt të tij, për gati një javë, besimtarë bektashianë të fshatit, shtruan dreka e darka. Për 19 vite shërbeu në fshatin e tij në Gllavë dhe ishte baba për gjithë zonën. Këtu, baba Shefqeti fiton një simpati të madhe në gjithë zonën. Nisën të afrohen e të bëhen myhypë nga zona, nga Tepelena, Skrapari, Përmeti e Berati. Në vitin 1928, baba Shefqeti u transferua në Koshtan. Në Koshtane, i dhënë shpirtërish e fizikisht bektashizmit, ai u gjendej pranë të varfërve, hallexhinjve, njerëzve pa përjashtim, në zgjidhjen e problemeve që kishin dhe forcimin e besimit tek Zoti. Me këtë sjellje, ai fiton respektin dhe dashurinë e besimtarëve. Gjatë shërbimit të gjatë si klerik bektashian, ai administronte njëkohësisht një pasuri shumë të madhe që e vuri në shërbim të teqes dhe besimtarëve. Në dhjetor të vitit 1948, baba Shefqeti u arrestua për agjitacion e propogandë kundër pushtetit të kohës. Pas një gjykimi, dhe pse shumë dëshmi ishin pro tij, ai u dënua me pushkatim dhe më 14 janar të vitit 1948, u ekzekutua. U varros diku në Gjirokastër (në vendin ku u ndërtua NSHN-ja, e nuk i janë gjetur eshtrat). Pasoja e pushkatimit të tij, i vuajti familja. Vëllezërive iu hoqën triskat e fronit, ndërsa nga familja e të afërmit, asnjë nga fëmijët nuk iu shkolluan. 
Përgatitën: S. Xhelaj & K. Boriçi
“Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Klerikët e njohur bektashinj, baba Ali Tomorri e Shefqet Koshtani-Mahmutaj ja kushtuan jetën e tyre bektashizmit. Baba Ali Tomorri ishte një klerik, intelektual, gazetar i njohur dhe atdhetar që luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve, por që pati një fat të dhimbshëm, arrestimin e pushkatimin në vitin 1948. Po ashtu dhe baba Shefqet Gllava-Mahmutaj. Për kontributin që kanë dhënë, këta klerikë kujtohen sot e do të kujtohen në vazhdimësi nga miliona bektashinj në mbarë botën. Ata ishin atdhetarë, shërbëtorë të Hakut, që dhanë bekim e shpresë tek besimtarët, tek afrimin e tyre në dshurinë e pakufishme për Krijuesin…”
Sigal