“Puseta” e abuzimeve “Bankers”, 9 vjet pa u “hapur” nga shteti

548
Gazeta “Telegraf’, në vijim të zbardhjes së “Dosjes së zezë” të kompanisë “Bankers”, po publikon sot një pjesë tjetër të skandaleve ligjore shtetërore në favor të ”Bankers”, të krimeve ekonomike e financiare që shteti ka bërë së bashku me kompaninë “Bankers” në favor kësaj kompanie, të heshtjes shtetërore ndaj krimeve të saj me burimet e hidrokarbureve, me helmimin e mjedisit, ujit, tokës, bagëtive dhe jetës së banorëve të komunitetit ku ka operuar. Sot po publikojmë fakte konkrete, nga detyrimet e pashlyera të kompanisë “Bankers” ndaj shtetit shqiptar dhe heshtjen 10 – vjeçare të shtetit shqiptar, për të mos e detyruar të shlyej çdo qindarkë taksë e fitim, këtë kompani aventuriere, të shpallur “person në kërkim” në 4 shtete ku ka operuar për detyrime financiare, kredi, trafiqe hidrokarburesh, transaksione e abuzime fiskale.
“Bankers” i shtetarëve, 9 vjet pa asnjë kontroll
Në Nenin 6, të Ligjit Nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për Koncesionet”, përcaktohet detyrimi që kanë 25 institucionet shtetërore qendrore, rajonale e lokale, që kanë pasur dhe kanë detyrimin për të kontrolluar në vazhdimësi kompaninë “Bankers”. Institucioni shtetëror kryesor që duhet të ketë detyrimin e përhershëm për të mbajtur nën kontroll “Bankers” është ministria që ka lidhur kontratën koncesionare, konkretisht Ministria e Energjisë! Kjo ka detyrimin që çdo 1 muaj të komunikoj me komunitetin e zonës ku vepron koncesioni dhe të hartojë raport konkret për problemet e periudhës së kontrolluar e të vëzhguar, në bashkëveprim me institucionet rajonale e lokale. Çdo 3 muaj ka detyrimin për të kryer kontroll lidhur me teknologjinë dhe masën e shfrytëzimit të zonës. Çdo 6 muaj ka detyrimin të ushtrojë kontroll të plotë për çdo detaj të veprimtarisë koncesionare dhe ta raportojë tek kryeministri. Ndërsa çdo vit ka detyrimin që ministri të raportojë në parlament. Por, rezulton se prej 9 vitesh kompania “Bankers” nuk është kontrolluar nga asnjë institucion që detyrohet me ligj për të ushtruar kontroll. Madje nuk është kontrolluar prej vitesh, as nga Ministria e Energjisë që zyrtarisht është licencuesi kontraktues në emër të shtetit shqiptar. Institucionet shtetërore, të cilët kanë pasur detyrimin të kontrollojnë kompaninë “Bankers”, por nuk e kanë bërë këtë kontroll, duke e lënë “Bankers”-in, të livadhiste për çdo detyrim mjedisor, financiar, prodhues, teknologjik, import-eksporti, teknologji shfrytëzimi, investime, shpenzime, fitime, të ardhura, transaksione bankare, kreditime, numër punonjësish, sigurime shoqërore e shëndetësore, kushtet punë e siguri teknike në puse, pasoja shëndetësore e pronësore në zonën ku vepron.
Në 10 vite, “Bankers” 99% të prodhimit në “xhep” dhe asnjë… qindarkë tatim!
Edhe pse “Bankers”, me “bekimin” dhe mbrojtjen e plotë të institucioneve ligj-zbatuese të shtetit shqiptar, ka vepruar me dy bilance (një real për vete e një fiktiv për shtetin), për të fshehur të ardhurat dhe fitimet reale që ka siguruar, rezulton se të ardhurat vjetore i ka 2.2 miliardë dollarë! Por nuk paguan taksa. Prej 10 vitesh kjo kompani nuk paguan 20 taksa që ka si detyrim fiskal ndaj shtetit dhe pushtetit lokal, punonjësve dhe komunitetit, vlera e të cilave kap shumën 257.8 milionë dollarë! Për të “shpëtuar lëkurën” nga kjo masakër financiare që ka bërë “Bankers” me taksat e shtetit, drejtorja e Tatimeve të Shqipërisë Briseida Shehaj, deklaroi se kontrolli nuk është bërë që nga viti 2011, kur në fakt ka 9 vite pa asnjë kontroll. Shtrohet pyetja: Përse nuk është bërë deri sot, sidomos në 18 muajt e “Rilindjes”, apo nuk ka lejuar ministri Gjiknuri? Kontrata e ndarjes së fitimit dhe prodhimit të naftës mes “Bankers” dhe “Albpetrol”, rezulton vetëm me 1% të prodhimit, ndërsa 99% të prodhimit e merr “Bankers”! Kjo ndarje prodhimi 99% për “Bankers” dhe 1% për Albpetrol po vazhdon prej 11 vitesh (me gjithë 3 muajt e vitit 2015). Pasqyrat e bilanceve dhe shpenzimeve që “Bankers” i hartonte dhe shteti shqiptar i miratonte e i fshihte nën “afshin” e pazareve të pista me këtë kompani, por që tashmë i ka “hapur” drejtësia, tregojnë se “Bankers’ në 10 vite nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim mbi fitimin! Ku shkonte vlera e detyrimit të tatimit? Përse kanë heshtur shtetarët? Tatimi për “Bankers” u vendos në vitin 2013. Po përmendim një fakt. Në vitin 2013, të ardhurat e kësaj kompanie ishin 576.8 milionë dollarë, ndërsa tatimi që pagoi ishte vetëm 42.7 mijë dollarë, ose sa një… furrë buke në Tiranë! Kush e ka përkëdhelur kompaninë “Bankers”, që të mos paguaj detyrime, ose të punoj pa asnjë taksë? Një vendim me Nr. 22, datë 12. 12. 2007 me objekt: “Për skemën ekzistuese të përjashtimin të operacioneve hidrokarbure nga detyrimet doganore dhe TVSH”, miratuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore me kryetar ish-Ministrin e Ekonomisë Genc Ruli dhe me anëtarë Mimoza Dhëmbi, Viktor Gumi e Mimoza Vokshi, urdhërohen institucionet ligj-zbatuese e kontrolluese të shtetit shqiptar, që “Bankers” të mos paguaj detyrime ndaj shtetit shqiptar dhe asnjë taksë tjetër lokale, deri në fund të vitit 2009, mbasi do “bëjë investime” në teknologji! Por as pas vitit 2009, kompania “Bankers” nuk bëri asnjë qindarkë pagesë tatimesh e taksash ligjore!
—————————————
Ja 30 pyetje, drejtuar ministrit Damian Gjiknuri
1. A keni pasur dijeni për krimet ekonomike, financiare, ekologjike, teknologjike që bëheshin në aktivitetin kërkues, prodhues e tregtar, prej kompanisë “Bankers”?
2. A keni kërkuar nga Kryeministri Rama, që “Bankers” të përjashtohet nga çdo lloj tatim-fitimi dhe takse kombëtare e lokale, deri në vitin 2017 dhe përse?
3. A keni tentuar të zhdukni dhe a keni zhdukur nga arkiva e ministrisë, materiale shkresore nga dosja e abuzimeve dhe favoreve të bëra për “Bankers”, duke e justifikuar me “humbje dosjesh gjatë ndarjes së Ministrisë së Ekonomisë në dy ministri?
4. A keni një sekser të cilin e përdorni për t’i bërë presion “Bankers” me këto dokumente “të zeza”, që keni tërhequr nga arkiva e ministrisë?
5. A jeni ju zoti ministër, personi që keni këmbëngulur tek Kryeministri Rama, që të miratohen 13 ligje, VKM e Udhëzime në 15 muaj, në favor të interesave të “Bankers”?
6. A ju kanë dhënë të gatshme “ekspertët” e kompanisë “Bankers”, 2 udhëzimet që keni lëshuar ju, zoti ministër, në favor të interesave të “Bankers”, konkretisht Udhëzimi Nr. 10, datë 26.1.2015 “Për rregullat dhe procedurat e shqyrtimit të ankimeve administrative të subjekteve minerare të licensuara” dhe Udhëzimi Nr. 17, datë 28.1.2015, i ministrit të Energjisë “Për përcaktimin e kritereve për miratimin e nënkontraktimit të së drejtës së lejes minerare, për kërkim-zbulim, për shfrytëzim apo për kërkim-zbulim-shfrytëzim e burimeve minerare”?
7. A keni pasur kontakte me bosin real të “Bankers”, zotin Richard Wadsworth, që lidhi kontratën në vitin 2004, në emër të kompanisë “Saxon”, sot “Bankers”; në cilët shtete jeni takuar, çfarë ju ka ofruar, sa herë jeni takuar, kush ka qenë “mblesi” dhe për çfarë keni rënë dakord?
8. Cilat janë lidhjet tuaja “konfidenciale” me drejtorin dhe zv/presidentin e përgjithshëm të “Bankers”, zotin Leonidha Çobo, sa herë keni tentuar për ta çuar në takim me kryeministrin dhe për çfarë “tematike” bisede?
9. A keni biznes të përbashkët me ndonjë “SHEF” të “Bankers” në fushën e projekteve kërkimore në sektorin e hidrokarbureve ujërave nëntokësore të puseve të naftës e gazit? A keni biznes të përbashkët me një ministër të “Rilindjes” për materiale ndërtimi e inertesh, të cilat ia shisni edhe “Bankers”?
10. A keni kërkuar që të mos shfuqizohet asnjë Ligj, VKM e udhëzim i periudhës 2004-2013, që ka lidhje me interesat dhe privilegjet e “Bankers”?
11. A keni kërcënuar me largim nga detyra, ndonjë drejtues të mjedisit në qendër e në qarkun e Fierit, nëse vazhdon të kërkoj zbatimin e ligjit mjedisor nga “Bankers”?
12. A keni rënë dakord me shefen e tatimeve të Shqipërisë, që të mos bëhet kontroll në bilancet e “Bankers” dhe ku është bërë takimi Gjiknuri-Shehaj-Çobo?
13. Cili ka qenë dhe është ndikimi juaja zoti ministër, në kupolën e doganave, për të mos kontrolluar “Bankers” në veprimtarinë ekonomike import eksporte hidrokarburesh?
14. A keni përdorur ju, zoti ministër, me ndihmën e Fatmir Mediut, grupe “të fortësh” nga Fieri, në zonën Patos-Marinzë për t’u bërë presion banorëve të zonës të mos denoncojnë veprimtarinë shpërthyese me dinamit në puse, të bërë prej “Bankers”?
15. A keni dhënë vlerësim pozitiv, zoti ministër, për BERZH në favor të kompanisë “Bankers”, të kredituar prej saj, duke e paraqitur veprimtarinë koncesionare si “model” prodhimi, mjedisi, tregtimi e raportesh të rregullta fiskale me shtetin?
16. A keni firmosur 25 ditë më parë, një vendim të pa publikuar në Fletoren Zyrtare, në lidhje me përsëritjen e Vendimit Nr. 22, datë 12. 12 2007, të firmosur nga ish-ministri Ruli, me objekt vazhdimin e përjashtimit të “Bankers” nga detyrimet doganore dhe TVSH në operacionet hidrokarbure deri në fund të vitit 2015?
17. A jeni pjesë e përfitimeve vjetore të “Bankers”, në formë përqindje aksionari i ri, me blerje të tyre nga miku juaj Leonidha Çobo dhe sa e keni masën e përfitimit?
18. A është e vërtetë që një drejtor juaji në ministri dhe një ortaku i tij drejtues i lartë në OST, me firmën e tyre projektues hartojnë projektet nënujore të puseve që përdor “Bankers”?
19. A keni lëshuar një urdhër për Albpetrol, që kompania “Bankers”, deri në vitin 2020 të vazhdoj të depozitoj në Albpetrol, vetëm 1% të prodhimit të deklaruar?
20. A keni dhënë ju, zoti ministër, autorizim që “Bankers” të bëj shpime e të nxjerr prodhim edhe në 54 puse të tjerë jashtë kontratës koncesionare, në territorin e komunave Qendër Ballsh, Libofshë, Roskovec, Bubullimë, Kolonjë, Qendër-Fier, Portëz, Ruzhdie, Cakran e Mbrostar?
21. A keni urdhëruar, zoti ministër, që të bllokohen 5 gjoba që ka vendosur “Alpetrol” dhe 9 gjoba që ka vendosur AKBN ndaj “Bankers”, gjatë vitit 2014?
22. A jeni takuar në Durrës me bosët e “Bankers”, pas shpërthimit të puseve në Marinzë, çfarë të kërkuan ata dhe për çfarë u ke dalë “garant”?
23. Sa drejtorë të ministrisë tuaj, zoti ministër, paguhen me ndërhyrjen tuaj, si “ekspert” raportesh teknike për llogari të “Bankers”?
24. A keni një raport special nga ekspertë të naftës të dërguar prej 1 viti, që ju bën me dije se duhet ndalur shfrytëzimi i puseve prej “Bankers”?
25. A ju ka kërkuar “Bankers”, të pranoni raportet e auditimit që aho bën me “ekspertë” të zgjedhur prej saj, por të firmosur nga “auditues” fiktiv të caktuar zyrtarisht prej jush?
26. A jeni ju, zoti ministër, “sekseri” që keni ndërhyrë në Ministrinë e Mbrojtjes për të licensuar ilegalisht kompaninë “Bankers”, me të drejtën e përdorimit të lëndëve plasëse?
27. A i raportoni vjedhurazi çdo ditë bosit të “Bankers”, zoti ministër, për çdo bisedë e diskutim që bëhet mes kryeministrit, mes jush dhe ministrave për masat ndaj kësaj kompanie?
28. A keni hedhur në koshin e plehrave, zoti ministër, një raport auditi të brendshëm të ministrisë, të muajit shtator 2014, që ka lidhje me favorizimet e zyrtarëve të lartë të ministrisë, ndaj “Bankers”?
29. Sa puse punojnë për ju zoti ministër, nën maskën e kompanisë “Bankers”?
30. A duhet të jepni dorëheqje pas krimit dhe skandalit që shpërtheu në Marinzë dhe pëse nuk dorëhiqeni nga detyra, zoti ministër?
————————————————————————————-
Ja 25 institucionet e shtetit shqiptar që kanë detyrim të kontrollojnë “Bankers”
1. Parlamenti
2. Kryeministria
3. Ministria e Energjisë
4. Agjencia e Prokurimeve
5. Agjencia-AKBN
6. Albpetrol
7. Ministria e Financave
8. Drejtoria e Tatimeve
9. Drejtoria e Doganave
10. Këshilli i Qarkut, Fier
11. Prefektura e Fierit
12. Bashkia-Komuna
13. Ministria e Mjedisit
14. Ministria e Punës
15. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
16. Autoriteti i Konkurrencës
17. Drejtoria e Standardizimit
18. Drejtoria e Meteorologjisë
19. Ministria e Shëndetësisë
20. Ministria e Drejtësisë
21. Agjencia e Planifikimit të Territorit
22. Ministria e Bujqësisë
23. Ministria e Rregullimit të Territorit
24. Drejtoria Rajonale e Mjedisit
25. Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik
————————————————-
Ja Ligji Nr. 9663, që detyron kontrollin çdo 6 muaj në “Bankers”
Në Nenin 6, të Ligjit Nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për Koncesionet”, përcaktohet kështu: “Në ushtrim të funksioneve për koncesionet, Agjencia e Prokurimit Publik ka këto kompetenca: u kërkon autoriteteve kontaktuese (Ministrisë së Energjisë, në rastin konkret) raportime periodike, një herë në 6 muaj, për gjendjen e koncesioneve, verifikon zbatimin e procedurave koncesionare, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, duke u kërkuar autoriteteve koncesionare të gjithë informacionin e nevojshëm, propozon masa disiplinore dhe vendos gjoba në masën e përcaktuar në legjislacionin e prokurimeve, në rastet kur vëren shkelje të procedurave të këtij ligji, bën shqyrtimin administrativ të ankesave të ofertuesve në lidhje me procedurat e koncesionit, vendos dhe shpall përjashtimin nga procedurat koncesionare të ofertuesve, që gjatë një procedure koncesionare kanë depozituar dokumente false apo kanë deklaruar informacion të rremë; dh) i jep Këshillit të Ministrave mendim për procedurën e ndjekur për koncesionet”.
—————————————————————
Ja 20 taksa me vlerë 257.8 milionë dollarë, që “Bankers” nuk i ka paguar në 10 vjet
1. Taksën e akcizës
2. Taksën e qarkullimit
3. Taksën e karbonit
4. Taksën e rentës minerare
5. Taksën TVSH
6. Taksën e lejes mjedisore
7. Taksën e pastrim gjelbërimit
8. Taksën e hapjes së puseve të ujit
9. Taksën e evadim groposjes së mbetjeve teknologjike
10. Taksën 2% nga të ardhurat, fond i garantuar për punonjësve
11. Taksën e depozitimit të prodhimit në mjedis
12. Taksën vendore të shfrytëzimit të territorit
13. Taksën kombëtare e vendore të dëmtimit të tokës
14. Taksën rajonale të mbrojtjes së shëndetit publik
15. Taksën e lejes dhe përdorimit të lendeve shpërthyese
16. Taksën e përdorimit të rrugëve rurale e nacionale
17. Taksën ndaj pushtetit lokal me 2% të të ardhurave vjetore, si administrator i territorit
18. Taksën e rehabilitimit të mjedisit nga gazrat
19. Taksën e rehabilitimit të mjedisit të përdorur
20. Taksën e sigurimit të mjedisit të rrugëve lokale e kombëtare, për transport lëndësh e materialesh ndotëse.
————————————————-
Ja 30 ligje e VKM që licensuan, mbrojtën, përkëdhelën dhe lejuan “Bankers” të abuzonte
1. Vendim Nr. 477, datë 16.07.2004, për dhënien firmës kanadeze “Sanxon” ( sot Bankersa), për kërkim, prodhim dhe tregtim hidrokarburesh në zonën Patos-Marinzë për 25 vjet.
2. Ligj nr. 9261, datë 22.7.2004 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7796, datë 17.2.1994 “Minerar i Shqipërisë”.
3. Ligj nr. 9298, datë 28.10.2004 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Koncesionit, të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim, transferim), për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romano, Durrës”.
4. Ligjin nr. 9328, datë 6.12.2004 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat”, i ndryshuar”.
5. Ligj Nr. 9346, datë 17.02.2005 “Për disa shtesa në ligjin nr. 7973, datë 26.07.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, i ndryshuar.
6. Ligj nr. 9437, datë 27.10.2005 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së grantit GEF ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim për projektin e zhvillimit të burimeve natyrore”.
7. Ligj nr. 9574, datë 3.7.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” të ndryshuar”.
8. Ligj nr. 9548, datë 01.06.2006 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin për regjistrat e shkarkimit dhe të transferimit të ndotësve”.
9. Ligj nr. 9946, date 30.06.2008 “Për sektorin e gazit natyror”.
10. Ligj nr. 9876, datë 14.02.2008 “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e bio-karburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”.
11. Ligj nr. 10.049, datë 24.12.2008 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (Kërkim-Prodhim)”.
12. Ligj nr. 10.490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol”-Patos”.
13. Ligj nr. 10.281, datë 20.05.2010 “Për miratimin e Aktit Normativ nr. 1, datë 5.5.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” të ndryshuar”.
14. Ligj nr. 3/2012 “Për miratimin e Aktit Normativ nr. 5, datë 28.12.2011, “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.418, datë 21.4.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
15. Ligj nr. 32/2012 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7811,datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”.
16. Ligj nr. 31/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)”.
17. Ligj nr. 183/2013 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të Dekretit nr. 782,datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)””.
18. Ligj nr. 162/2013 “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj”.
19. Ligji nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
20. Ligj nr. 12/2013 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”.
21. Ligj nr. 8/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8741, datë 15.2.2001 “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare””.
22. Ligji nr. 6/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9946,date 30.6.2008,”Për sektorin e gazit natyror”.
23. Udhëzim i përbashkët i MF dhe MEI nr. 673/2, datë 28.1.2014 Për përcaktimin e listës së mallrave dhe shërbimeve që përdoren në realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure nga shoqëritë e kërkimit të hidrokarbureve, të cilat përjashtohen nga pagesa e TVSH-së, si dhe procedurat e përjashtimit.
24. Ligj nr. 143/2014 datë 23.10.2014 Për një ndryshim në ligjin nr. 9876, datë 14.2.2008, “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e bio-karburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”.
25. Ligj nr. 19/2015 “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar”.
26. Vendim Nr. 19, datë 14.1.2015 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
27. Udhëzim Nr. 10, datë 26.1.2015 “Për rregullat dhe procedurat e shqyrtimit të ankimeve administrative të subjekteve minerare të licensuara”.
28. Udhëzim Nr. 17, datë 28.1.2015, i Ministrit të Energjisë “Për përcaktimin e kritereve për miratimin e nënkontraktimit të së drejtës së lejes minerare, për kërkim-zbulim, për shfrytëzim apo për kërkim-zbulim-shfrytëzim e burimeve minerare”.
29. VKM nr. 92, datë 4.2.2015 Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 945, datë 9.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Mjedisit”.
30. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 123, datë 11.2.2015 Për një shtesë në VKM nr. 7, datë 4.1.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit të nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare”.
Sigal