Punonjësit e ZVRPP Lezhë në prokurori, KLSH tregon abuzimet e tyre

558
Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 18,664 mijë lekë në regjistrimin e pallateve me shmangie pagesa detyrimesh financiare, janë regjistruar prona në zonën e Ishull Lezhë, të cilat kane qënë këneta, kanale, ranishte me sipërfaqe 537926 m2(53.79 ha), duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”. Regjistruar vendime gjykate në Malin e Renxit, duke regjistruar rrugë, shkëmb dhe rezervuar me sipërfaqe 295 ha, si dhe në 74 raste mbivendosje, nuk janë zbatuar rregullat e caktuara, por janë lejuar të kryejnë transaksione e krijuar konflike sociale, janë regjistruar objekte të legalizuara pa u kryer pagesat sipas ligjit, etj. Nuk është administruar dokumentacioni dhe në arkivin e institucionit nuk gjenden 1045 praktika (referenca pronash), si dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia ndaj personave përgjegjës, apo ndjekur ky problem në organet kompetente. Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1330/2, datë 30.12.2016, ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, me objekt:“Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2014-2016”. Me Vendimin nr. 43, datë 30.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresën nr. 1330/7 datë 30.04.2017, i janë rekomanduar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, masa me karakter organizativ, teknik (kufizimin e pasurive të trajtuara në këtë auditim), me qëllim parandalimin e veprimeve të kundraligjshme dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën 18,664 mijë lekë. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të dispozitave ligjore në fuqi, duke cënuar interesin publik , që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privatë në mënyrë të paligjshme, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për : E K, me detyrë ish-arkivist, E.L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E.J me detyrë jurist, E.Z me detyrё hartograf, K.M ish-juriste, B. RR ish-juriste dhe N.N me detyrё hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për shkeljet: ZVRPP Lezhë nuk ka marrë masat e nevojshme për ndjekjen e problemit në rrugë administrative e ligjore deri në kallzim penal, për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj personave përgjegjës, për mungesën e 1045 praktikave dokumentare (referenca), pasi nuk janë zbatuar kërkesat ligjore të marrjes dhe dorëzimit të detyrës nga punonjësit e arkivës, në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, Rregulloren nr. 184, datë 8.4.1999 “Për Punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” me ndryshime dhe Rregulloren e ZQRPP nr. 2079, datë 11.06.2007.
KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, konkretisht, E. K, me detyrë ish-arkivist, E. L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E. J detyrë jurist, E.Z me detyrё hartograf, K.M ish juriste, B.RR ish juriste, dhe N.N me detyrё hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr. 1330/11, datë 02.05.217, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 18.664 milionë lekë dhe shkelje të ligjit në regjistrimet e paligjshme të pronave, tjetërsimin e tyre në kundërshtim me ligjin, etj., për pasojë kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. I është kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë që në materialin e paraqitur të vlerësohet dhe përgjegjësia e personave të tjerë dhe ish punonjës të tjerë të ZVRPP Lezhë, që kanë kryer shkelje ligjore dhe që janë trajtuar nga ana jonë në pjesë të materialit, që është objekt i hetimit.
Sigal